Ky debat makabër, si pasqyra e degradimit tonë moral
Nga Astrit Patozi
Ky debati i neveritshëm me të vdekurit e COVID-it, është pasqyra më e qartë e degradimit të politikës në Shqipëri dhe prova më e fortë se ne nuk jemi një vend normal.
Sepse po të ishim, jo thjesht kjo çështje nuk do të ekzistonte, por në një rast të tillë, kur dorashka hidhet në publik, nuk mund të kishte më kthim prapa.
Njëri nga duelistët duhet ta paguante shtrenjtë dëmin, ngaqë nuk mund të jenë të pafajshëm të dy palët njëkohësisht.
Sepse është njësoj e rëndë për publikun, si t’i fshehësh të vdekurit për politikë, ashtu edhe po ta shpikësh këtë makabritet për një grusht votash më shumë.
Por jam i sigurt se asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe kur publiku të mësojë më shumë për të vërtetën e kësaj shëmtie morale.
Sepse kundërshtarët e tërbuar të momentit do të vijojnë me të njëjtin pasion dhe me të njëjtin cinizëm konfliktin e tyre të paskrupullt, i cili vazhdon prej dekadash, me ndalesa të shkurtra në momente pazaresh, që janë edhe më të pista se vetë lufta midis tyre.