Mark Vuji, një figurë enciklopedike që i mungon arsimit

Nga Fran Gjoka/Të gjithë dëshirojmë të jemi të suksesshëm, por nuk është e lehtë të ndjekësh gjithnjë shtigjet që të çojnë në këtë udhë. Ti do që “të arrish” dhe për të arritur, duhet “të nisesh”. Për të nisur na duhet kurajo, veçanërisht kur nisesh për një qëllim të guximshëm e të largët. Një ndër ata që guxuan dhe që ia arriti ishte “Mësuesi i Popullit”, Prof. Dr. Mark Vuji, i cili më 24 korrik 2016 mbush plot një vit që kur u nda nga jeta, duke lënë pas veprën e shkëlqyer të punës shumëvjeçare studimore-shkencore, për të cilën punoi dhe eksperimentoi deri në fund të jetës së tij. Prof. Dr. Mark Vuji ishte shkencëtari dhe mendimtari që ngriti nga themelet arsimin e mesëm të përgjithshëm në Lezhë, që shumë shpejt u bë një qendër e rëndësishme e trajnim-kualifikimit të mësuesve edhe në shkallë kombëtare, duke u kthyer në shkollë eksperimentale për metodat e mësimdhënies në tërësi dhe atyre të të nxënit në veçanti. Jo më kot studiuesit e kanë quajtur “Mësuesi i mësuesve”. Drejtori ynë i palodhur do të mbetet ikona e arsimit të Lezhës dhe më gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj, me vepren e tij monumentale në fushën e arsimimit dhe edukimit.

Për këtë figurë të ndritur të shenjtërisë së arsimit është folur dhe shkruar shumë dhe është thënë jo pak. Profesori ynë e lidhi jetën e tij arsimore e sociale me Lezhën, të cilës i dha të gjitha energjitë e pashtershme, potencialin e tij intelektual, pa asnjë rezervë, për disa dekada, atje ku zunë vend shumë breza të rinj, më vonë punonjës e intelektualë të mirëfilltë dhe në mes tyre dhe personalitete të njohura për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë. Sot, në njëvjetorin e ndarjes nga jeta, të gjithë ish nxënësit, mësuesit, kolegët e bashkë me ta një komunitet i tërë lezhjan i falin atij nderimin, dashurinë dhe mirënjohjen e thellë, që për 30 vjet drejtoi (udhëhoqi) Gjimnazin më me zë të Lezhës, duke mbetur i pavdekshëm në kujtesën e brezave. Ai i dha arsimit shqiptar aq shumë, sa pakkush më parë kishte menduar t’i realizonte. Pajisi mësues dhe studentë me një mendim të ri bashkëkohor, të aftë të përballet me sfidat e kohës dhe t’u japë përgjigje problemeve të ndërlikuara që shtronte arsimi ynë kombëtar gjatë të gjithë zhvillimit të tij. Ai ishte ndoshta i vetmi personalitet i arsimit që ka njohur në detaje ritmet e zhvillimit, pengesat e dala në periudha të ndryshme e që ka thënë me kompetencë shkencore fjalën e tij të vërtetuar në praktikën e punës së gjallë me studentët dhe me mësuesit, me të cilët nuk i ndahej eksperimentimeve për të vërtetuar saktësisht vërtetësinë e studimeve të tyre. “Mund të kesh defekte, të jesh plot ankthe dhe të jetosh ndonjëherë i mërzitur, por mos harro që jeta jote është sipërmarrja më e madhe në botë. Vetëm ti mund ta pengosh që të mos lartësohet.”-thotë Papa Francesku. Referuar kësaj thënie, mund të bëjmë dhe krahasimin me jetën e veprën Profesor Mark Vujit, e cila është një shembull i rrallë pune heroike në fushën e vështirë të shkencës e të kërkimit shkencor e pedagogjik, fushë në të cilën për 60 vjet punoi dhe hulumtoi për t’i dhënë shkollës sonë më të mirën e duhur. Ky njeri punoi me një vullnet Prometeu, me një shembull e cilësi të rallë, me një dashuri ndaj komunitetit lezhjan, duke u bërë didakti më i shquar, pedagogu i dashur, organizatori i shkollës dhe i arsimit dhe për shumë probleme të të mësuarit, veçanërisht të të nxënit, duke u bërë kështu një ndër drejtuesit e shkollave më të aftë të vendit tonë për të lënë jo vetëm emrin e Tij të nderuar në memorien e shkollës shqipe, por dhe veprën e Tij konkrete me studime shkencore profesionale, që i dhanë një hop cilësor punës në arsimin shqiptar.

Në këto dy dekada e gjysëm të mendimit të lirë, opinioni arsimdashës është motivuar nga puna e profesorit, nga shkrimet e shumta e veprat që ndiqnin njëra-tjetrën, të gjitha të përshkuara nga një mendim bashkëkohor, realizim e objektivitet i lartësuar. Janë sot të paktë studiues të përkushtuar, siç ishte Profesori ynë, që la pas një seri botimesh, sidomos në fushën socialpedagogjike, didaktike, veçanërisht për të nxënit e të mësuarit, dy probleme shumë themelore për çdo shkollë të sotme shqiptare, pas kryeveprave të tij “Filozofia arsimore e Fishtës”, “Vetvlerësimi arsimor” dhe së fundmi “ Vizioni mësimor” , që fatmirësisht gjeti dritën e botimit pak muaj para se të ndahej nga jeta. Të gjitha këto e bënë Profesorin tonë një figurë emblematike të dashur e të respektuar, kurse veprat e tij do të jenë gjithmonë të kërkuara dhe të lexuara, jo vetëm nga mësuesit, por nga gjithë shtresat dhe profesionet. Ne brezi, që kemi patur fatin të punojmë e të shkëmbejmë mendime me Profesorin, kemi ndjerë nga afër interesimin maksimal, mbështetjen dhe inkurajimin e tij ndaj dhe mirënjohja për të, si pjesë e marrëdhënieve të veçanta të krijuara tashmë në vite, do të jetë pjesë e kujtesës tonë, që do të na shoqërojë sa të jemi gjallë. Ne mbetemi krenar që kemi patur fatin të jemi bashkëkohës, shumëkush, nxënës e kolegë të Profesor Mark Vujit, që i përkasin shkollës që themeloi ai, që janë formuar e frymëzuar nga mendimi i vyer e nga puna e tij kolosale.

Unë do të kujtoj përherë me dashuri e me nostalgji takimet e bisedat pothuajse të përditshme herë në shtëpinë e tij apo në një kafe aty afër. Poeti dhe psikologu i njohur, Ndue Dragusha ka meritë të veçantë që bëri çmos që librat e tij të fundit të botoheshin sa ishte gjallë, që ai të ndjente kënaqësinë që ndjen autori kur veprat shkojnë në destinacionin e duhur. Takimet, bisedat e diskutimet për reformimin e shkollës kanë qenë për ne një shkollë tjetër në vete pra, një shkollë e vërtetë. Ky njeri mbetet në kujtesën e brezave të mësuesisë një bashkëbisedues i këndshëm, që të tërhiqte vëmendjen dhe të mahniste me kulturën, por dhe me mënyrën e komunikimit përfekt të shpjegimit të gjërave deri në detajet më të vogla, në imtësitë, duke e kopsitur gjithmonë problemin nga të gjitha anët. Kujtesa e tij brilante ishte një ndër “armët” e tij më të fuqishme. Ishte e pamundur që të përcaktohej koha e qëndrimit me profesorin, sepse ajo kalonte ashtu si ujë nën urë, pa u ndjerë dhe ti mbeteshe gjithmonë i mahnitur dhe shumë i plotësuar, por gjithmonë me dëshirën për të mos u shkëputur prej tij. Aq i thjeshtë ishte sa, kur bisedoje me të, shumëherë ndjeheshe ngushtë për elokuencën e tij në të folur, njohuritë e thella që kishte jo vetëm në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, edukimit dhe arsimit në tërësi, por edhe në atë të letërsisë dhe të historisë, të problemeve shoqërore të kohës. Erudicioni i tij kishte në bazë librin, që nuk e shqiti kurrë nga duart, gazeta “Mësuesi”, që, siç thoshte shpesh ai, ishte miku i tij i përhershëm, revistat dhe buletinet shkencore dhe pedagogjike, letrat e bardha të ndara përgjysmë, fshirësja dha lapsi që kishte, që i  bindej atij dhe ashtu siç dinte ai. E megjithatë, kur ndodheshe përballë tij, bisedoje lirshëm, ishe i shpenguar, pasi ai e ngiste bisedën atje, për të cilët njerëzit kishin interes dhe njohuri. Tërë jetën e tij u karakterizua nga një modesti e çuditshme, ndonëse asnjë fjalë, siç thotë populli, nuk i binte në tokë, shpesh thoshte: “Mos ju mërzita?”. Ai fliste me nostagji, si gjithnjë, për brezat e nxënësve që kishte kaluar nëpër duar gjatë 30 viteve të drejtimit të Gjimnazit të njohur “Hydajet Lezha”. Nuk ka qytetar lezhjanë, prind ose ish nxënës, bashkpunëtorë të tij të hershëm, por edhe shumë breza të sotëm, drejtues të niveleve të ndryshme dhe specialistë, që nuk flasin sot me respekt dhe admirim të pakufishëm për mësuesin e të gjithëve, Mark Vujin. Dhe jo për nostalgji, por sepse ai e ka merituar dekada me radhë, pasi, siç e ka cilësuar njëri prej ish nxënësve të kahershëm të tij, poeti i njohur Ndoc Gjetja: “Ai është patriarku i arsimit të Lezhës”, sepse ai ngriti nga themelet arsimin e mesëm dhe askush më tepër se ai nuk ka merita në zhvillimin dhe konsolidimin e shkollës.

E gjithë jeta dhe veprimtaria e Profesorit është pasqyruar bukur artistikisht e profesionalisht nga Profesor Asocuar Doktor Qazim Dushku në monografinë e njohur “Mësues i mësuesve”, që përbën një objekt të veçantë studimi e përfitimi, sidomos për gjeneratat e reja të mësuesisë shqiptare. Profesor Qazimi kishte fatin dhe privilegjin e të qënit nxënës i Mark Vujit, koleg dhe bashkëpunëtor në studimet e tyre. Profesor Mark Vuji ishte i lidhur ngushtë me jetën, me njerëzit, me preokupimet e hallet e njerëzve në nevojë dhe pse vërtetë ai kishte një pension minimal dhe që pushteti vendor nuk tregoi vlerësimin e duhur dhe nuk e stimuloi materialisht për t’i krijuar kushte të përshtatshme pune sa ishte gjallë. Puna ime si gazetar i arsimit më ka bërë të isha një ndër njerëzit e tij më të afërt dhe diskutimet tona vazhdonin gjatë, shumë gjatë, deri në orët e vona të natës. Dhe kur shkëputeshim, përsëri komunikonim në celular, sepse na dukej se duhej ruajtur linja e bisedës sonë e pashkëputur. Nuk kishte ditë që të mos komunikonim dhe nuk kishte çast që të mos dëshironim të ishim së bashku. Ky ishte Profesor Dr. Mark Vuji për të gjithë ata që e kanë njohur.Fatmirësisht kam patur dhe i kam ruajtur lidhjet e komunikimin e pandërprerë me Profesorin dhe kur kisha dalë në pension. Sa më shumë kalonin ditët dhe vitet, aq më shumë e ndjente nevojën për t’u takuar me shokë e miq të shumtë të tij. Dhe qëndrimi me të përherë ishte “leksion” miqësor shumë tërheqës. Kur ndahesha prej tij, pyetja e Profesorit ishte: -Kur do të vish?

Shtëpia e Mark Vujit nuk pushonte kurrë nga vizitorët, një traditë e krijuar që kur ishte gjallë gruaja e tij, Bukuria. Bukurie Vuji mbetet një grua e mësuese e merituar e rrallë, e mbushur me plot dashuri, që u nda nga jeta dhjetë vjet më parë e që ruhet e pavdekshme në kujtesën e brezave.  “Vdekja nuk është humbja më e madhe, humbja më e madhe është ajo që vdes brenda nesh, ndërkohë që jetojmë.” Këtë shprehje të Norman Cousins e përdorte shpesh profesori, për të na bërë të ditur se njeriu duhet që të punojë gjatë të gjithë jetës së tij në dobi të shoqërisë.

Te Profesor Marku ndërthuret natyrshëm njeriu dhe shkencëtari, pedagogu dhe didakti, qytetari, intelektuali, atdhetari dhe mësuesi. Me krijimtarinë e vet ai ka ditur të paraprijë idetë e zhvillimit global dhe rajonal. Ai mbetet një figurë enciklopedike, që meriton gjithmonë respekt e nderim, model për të gjithë ata që aspirojnë për të punuar për shkollën shqipe. Kuptohet, që është e vështirë që brenda një shkrimi të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën dhe veprën e gjerë e të gjithanëshme të një personaliteti të tillë si Mark Vuji. Është e sigurtë që figura e studiuesit të talentuar, që me plot gojë do ta quanim ikona e arsimit të Lezhës, modeli i cilësisë dhe i dashurisë njerëzore, që ia kushtoi dijes dhe edukimit, të mbetet gjithmonë një emblemë. Kjo figurë e ndritur duhet të ndriçohet më në thellësi e gjerësi në të ardhmen, jo thjeshtë si shfaqje respekti dhe vlerësimi ndaj tij, por edhe si një ndihmesë në shërbim të brezave të rinj të mësuesisë, të historisë dhe të mendimit të ri pedagogjik shqiptar.

SHKARKO APP