Mbi kryet e Këlcyrës…

Nga Marin Mema/Mbi kryet e qytetit të sotëm të Këlcyrës ngrihet një kështjellë e lashtë që dikur shërbente për të kontrolluar luginën e lumit Aos (Vjosë). Ajo mendohet, sipas arkeologëve, se i përket shekullit të tretë para Krishtit dhe ka një teknikë ndërtimore të ngjashme me atë të mjaft fortifikimeve të tjera të luginës së Drinos.  Në hartën arkeologjike të Shqipërisë, ndërtimi i saj lidhet me veprimtarinë e Pirros së Epirit. Për fat të keq, gërmime arkeologjike nuk janë kryer ashtu siç edhe punimet restauruese mungojnë, çka do të thotë se rikrijimi i plotë i historisë së saj është i vështirë.

Për të kuptuar rëndësinë e kësaj zone mjafton të përmendësh betejën e famshme midis Filipit V të Maqedonisë dhe romakut Titus Quinctius Flaminius ne vitin 198 para Krishtit. Ishte pikërisht kjo përballje e madhe që i dha udhë më pas shtrirjes së pushtetit romak shumë më tej deri në territoret e Greqisë së lashtë.

Sipas historianëve të lashtësisë, Filipi V kishte bllokuar grykën e lumit duke zënë në këtë mënyrë pozicionin më strategjik, që do t’i lejonte të shkatërronte ushtritë kundërshtare. Megjithatë ai nuk kish marrë parasysh ndihmën që romakëve u erdhi nga vendasit, që i treguan shtigjet e fshehta përmes të cilave trupat e Titus Quinctius Flaminius u kapën shpinën maqedonasve duke i shpartalluar…

Kështjella, sigurisht, është përdorur edhe gjatë periudhës bizantine kur këtu qëndronte një njësi administrative, por edhe ushtarake e Klisurës, e cila ashtu si në lashtësi kishte detyrë qendrore ruajtjen e zonës dhe rrugëkalimeve. Në një pjesë tjetër ndodhen edhe rrënojat e një fortifikimi mesjetar, të cilat ndërthuren me muret e lashta. Në pjesën më të madhe ajo sigurohej pikërisht nga këto mure, ndërsa në perëndim humnera u siguron një mbrojtje natyrore.

Historia e jashtëzakonshme e këtij qyteti rrotullohet me atë të kështjellës, pa harruar sigurisht edhe sarajet e rrënuara të Ali bej Këlcyrës. Deri sot ato nuk janë vënë kurrkund në funksion të vizitorëve, edhe pse kjo zonë përbën një nga resurset më të mëdha turistike shqiptare./Blitz.al/

SHKARKO APP