Mësimi online në shtëpinë e zyshë Pinës, situatën e pandemisë e krahason me 1997

Dita e një mësuese sot në Shqipëri  është e përqëndruar gjatë gjithë kohës në procesin e mësimit online. Mësuese Pina Vata shprehet se vështirësi ka më shumë me komunikimin me nxënësit me probleme sociale dhe ekonomike. Rikthimin në shkollë të maturantëve ajo e cilëson të drejtë, mëgjithëse shprehet skeptike për respektimin e rregullave nga nxënësit.

Mësimi online është e vetmja mënyrë për zhvillimin e procesit. Me sms, video call, apo edhe voice mesages shpjegojnë mësimet dhe leksionet e radhës.

Pina Vata jep mësim në gjimnazin “Anton Zako Çajupi”. Ajo  ka  26 vite punë në fushën e arsimit dhe situatën e sotme ajo e krahason me periudhën në vitin e 1997.

“Aty rreziku ishte i papritur. Në një moment të caktuar dilje në rrugë dhe përfundojë me një plumb në kokë. Kishte ankth, kishte stres.”

Jo të gjithë kanë akses në internet dhe pajisje elektronike, ndaj me disa nxënës komunikimi është vetëm me telefonata.

“Pamundësi për të pasur akses në internet apo dhe pamundësi për të pasur një celular.”

Menaxhimi i gjimnazistëve është një tjetër sfidë por nëse  mësimi bëhet veçmas, shprehet ajo, atëherë është më e përballueshme.

Edhe kopjimi është bërë më i lehtë.

“Ka mundësi kopjimi, do një marifet që fëmijët të mos e shikojnë punën e njëri-tjetrit.”

Mësimi online i merr një kohë të konsiderueshme në ditë, ndërsa si orarin më të përshtatshëm ajo vlerëson orët e pasdites dhe darkës.

“Fëmijët janë më shumë zgjuar natën sesa ditën dhe atëherë i gjen më të freskët.”

Dikur një nxënës penalizohej nëse përdorte celular gjatë orës së mësimit, sot ora e mësimit nuk zhvillohet dot pa celular.

“Duhet të vihej një urdhër që tu hiqej telefoni, duhet ti detyrojë të hiqnin telefonin nga dora dhe kjo më mërziste. Mirëpo tani na u desh shumë telefoni.”

Rikthimin e maturantëve në shkollë mësuese Pina e vlerëson, megjithëse nuk fsheh as frikën për moszbatimin e rregullave anti-Covid.

“E vetmja gjë që më shqetëson është se sa do të jenë ata të kujdesshëm për të ruajtur njëri-tjetrin.”

Gati dy muaj pa shkuar në ambientet e shkollës, mësuese Pina Vata përlotet kur thotë se e ka marrë malli për nxënësit.

“Më ka marrë sinqerisht, po më ngacmove këtu do të zë dhe qaj pastaj. Janë shumë të mirë. Aty në klasën time ka fëmijë me shumë probleme, fëmijë që kërkonin dashuri, fëmijë që kërkonin vëmendje”.

Zhvillimi i mësimit online ka bërë që disa nxënës të mos marrin pjesë gjatë orëve mësimore, por ka edhe shumë nga ata që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në kontakt me stafin akademik.

/Ora News

SHKARKO APP