Meta do t’u kërkojë përdoruesve në BE leje për përdorimin e të dhënave
Gjiganti i rrjeteve sociale, Meta, më 1 gusht tha se synon që të kërkojë nga përdoruesit që gjenden në shtetet e Bashkimit Evropian që ata të japin pëlqim për lejimin e përdorimit të të dhënave gjatë reklamimit, përfshirë edhe Facebook.
Ky njoftim vjen pas presionit të bërë nga rregullatorët evropianë.
Meta tha se ndryshimet synojnë të adresojnë “kërkesat e rregullatorëve” pas mospajtimeve me Komisionin irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, që mbikëqyrë rregullat e BE-së sa i përket të dhënave, në bazë të të cilave Meta drejton operacionet e saj evropiane.
Në janar, rregullatorët evropianë kishin hedhur poshtë bazën ligjore që përdorej deri atëherë – që njihen si “interesat legjitime” – , duke argumentuar se Meta kishte përdorur këtë bazë ligjore për të justifikuar mbledhjen e të dhënave personale të përdoruesve të cilat i ka përdorur gjatë reklamave.