Mirditë, 7 besëtarët e Lajthizës, monument për dëshmorët e atdheut vrarë nga serbët
“Guri i Besës” quhet monumenti përkujtimor vendosur në Reps të Mirditës për shtatë besëtarët e Lajthizës, dëshmorët e atdheut që dhanë jetë në krah të Ded Gjo Lulit, duke luftuar për mbrotjen e trojeve shqiptare. Ceremonia përkujtoi besnikërinë e këtyre burrave ndaj çështjes shqiptare.
Shtatë besëtarët e Lajthizës, dëshmorë të atdheut, vrarë nga serbët në vitin 1915, u nderuan me një përmendore të quajtur Guri i Besës. Ceremonia u organizua në Reps të Mirditës ku drejtues vendorë, e të afërm të dëshmorëve risollën në kujtesë heroizmin e tyre duke theksuar se shtatë besëtarët e Lajthizës nuk e tradhtuan Ded Gjo Lulin.
Gjovalin Ndoja, studiues: “Përsa i përket ngjarjes së sotme, ka qenë bërë një shtrembërim i madh historik. Kanë ndarë 7 heronj dhe dëshmorë nga Ded Gjo Luli për të nxjerrë Mirditën të pabesë”.
Ilmi Kurti, shoqata atdhetare “Malësia”: “Del në dritë të diellit e vërteta e historisë së Ded Gjo Lulit dhe burrave të Mirditës”.
Gjon Lleshi, shoqata “Mirdita”: “Është i veçantë për faktin se vendoset nderi historik i Mirditës për besën që ajo ka pasur emblemën e saj në vite”.
Veprimtaritë përkujtimore u mbyllën me një sesion shkencor, ku studiues, historianë dhe akademikë, sollën fakte, dëshmi dhe dokumente historike mbi të vërtetën e kësaj ngjarjeje që është pjesë e krenarisë së Mirditës dhe Malësisë së Madhe.