Miss Shqipëria 2016, një histori, një kala, një miss

Ka ardhur në fund shtegtimi i këtij viti i vajzave konkurrenteve të Miss Shqipëria 2016. Pas një turi tre javor, 32 bukuroshet janë vendosur tashmë në qytetin e Lezhës, i cili është vendi mikpritës i natës finale kur do të shpallet mbretëresha e bukurisë për këtë vit. Kështu pra, 10 vjet më pas konkursi më i madh i bukurisë shqiptare rikthehet në Lezhë, kësaj radhe jo në Memorialin e Skënderbeut kur u bë për herë të parë aty, por në pedonalen e bukur të sapondërtuar të qytetit për të kujtuar se Lezha është një qytet që ka gjithmonë diçka për të treguar. Ndërkohë që skena tashmë është ngritur dhe mbrëmjen e 4 korrikut, me prezantimin e Rozana Radit dhe Enkel Demit, nën gjykimin e një jurie me personazhe të njohur, personalitete nga fusha të ndryshme, do të shpallet Miss Shqipëria 2016. Përveç kësaj janë vendosur edhe detajet e spektaklit që sivjet transmetohet në Digitalb. Shumë të ftuar dhe surpriza pritet të ketë këtë vit në Miss Shqipëria. Këngëtarja nga Maqedonia, Kaliopi, disa herë pjesëmarrëse në Eurosong do të jetë një nga të ftuarat speciale të spektaklit. Ndërsa një tjetër ish-konkurrente në Festivalin Europian, shqiptare kësaj radhe, Eneda Tarifa do të ngjitet gjithashtu në skenën e finales së Miss Shqipërisë. Gjithashtu artistët AltinGoci, Devis Xherahu dhe Filloreta Raçi do të jenë të ftuar specialë të spektaklit.  Ka mbërritur ndërkohë në Shqipëri për të qenë pjesë e jurisë së “Miss Shqipëria” fituesja e “Miss Globe 2015”, bukuroshja filipinase Ann Lorraine Maniego Colis e shpallur si më e bukura e Globit në Toronto, Kanada, tetorin e kaluar, i pari konkurs ndërkombëtar bukurie i organizuar nga një shqiptar jashtë Shqipërisë, nga Petri Bozo. Bashke me Colis vjen në Shqipëri edhe drejtorja Nacionale e Kanadasë, Mias Santa Ana Pilar.

Gjithashtu ka mbërritur nga Londra edhe mbretëresha në fuqi e Miss Shqipëria, bukuroshja, Sara Karaj, e shpallur Miss Shqipëria 2015 në Voskopojë, e cila mbrëmjen e 4 korrikut do të dorëzojë kurorën e bukurisë me të cilën mbretëroi një vit dhe përfaqësoi Shqipërinë në Miss Globe.  Ndërkohë formula e shtegtimit të këtij viti të Miss Shqipërisë nuk ka ndryshuar, vazhdon të jetë: një kala, një histori, një miss. Veçse me një “ndryshim”. Sivjet janë vizituar pjesë më e madhe e kalave ku Miss Shqipëria ka shtegtuar përgjatë këtyre 18 vjetëve. Në këto kohë të zhvillimit të teknologjisë, rrjeteve sociale dhe kujtimeve të një momenti dhe pëlqimeve on line, “Deliart” bashkë me 32 nimfat e këtij viti ka rizgjuar qetësinë e Torres Veneciane dhe Amfiteatrit të Durrësit, kalasë së Prezës, Krujës, Beratit, Elbasanit, Kaninës, Butrintit, Lëkursit, Finiqit dhe Bashtovës. Jo vetëm për të rikujtuar legjendat dhe historitë e tyre të vërteta, por edhe për të thënë sërish dhe pa u lodhur, se ato vazhdojnë të jenë aty, na presin tu fshijmë pluhurin e harresës dhe t’i zgjojmë. Dhe kjo është një eksperiencë e vërtetë, jo një çast virtual, një like, apo një rrjet social në modë për momentin. Të gjitha këto eksperienca të mbledhura, emocione dhe ethe gare do t’i shohim mbrëmjen e 4 korrikut, ku bashkë me shumë detaje të ruajtura surprizë premtohet një spektakël dhe mbrëmje që do të mbahet mend.

SHKARKO APP