“Në Voskopojë, vjen Kryezonja e skenës Violeta Manushi”

Nga Zenepe Luka

Kështu është titulluar veprimtaria kulturore, që u organizua nga Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, në ditën e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të Artistes së Popullit Violeta Manushi. Përveç anëtareve të Fondacionit, pjesë e të cilit janë edhe aktorët, “Nderi i Kombit”, Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, ishte edhe “Artisti i Popullit”, Luftar Paja, banorë të hershëm të Voskopojës. Pjesë e eventit u bënë edhe 50 pushues, që ishin fansa të aktores së madhe. Ajo çka ra në sy dhe u kritikua nga pjesëmarrësit ishte mungesa e drejtuesve të pushtetit vendor dhe aktorëve të teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Pjesë e veprimtarisë ishte edhe bashkëbisedimi për librin “Violeta Manushi, Kryezonja e Skenës”. Fondacioni bëri homazhe dhe vendosi lule edhe tek Shtatorja e Violeta Manushit në Tushemisht. Violeta Manushi ka qenë themeluese e Fondacionit dhe pjesëmarrëse në të gjitha veprimtaritë e organizuara brenda dhe jashtë vendit deri sa u largua nga jeta. Për vetë kushtet që kishte, aktorja gjatë kohës që ishte e sëmurë, pati edhe kujdesin e Fondacionit, që plotësoi një nga amanetet e saj: Të shihte me sytë e saj librin e jetës “Violeta Manushi Kryezonja e Skekës “ me autore Zenepe Luka.

Veprimtaria

Në sallën luksoze të Hotel Akademia në Voskopojë, vendlindjen e aktores, u mbajt një simpozium, veprimtari, që bëhej për herë të parë gjatë jetës dhe më pas për aktoren Violeta Manushi. Kumtesën “Violeta Manushi, themeluese e Fondacionit, jeta e saj në librin në librin “Violeta Manushi Kryezonja e skenës”. Amanetet e aktores, që mbetën në letër e mbajti Presidente e Fondacionit. Ligjëratën “Violeta Manushi, gurthemeli e Teatrit Kombëtar” e mbajti Nderi i Kombit Margarita Xhepa. Prof.Dr.Makbule Çeço, referoi kumtesën “ Kujtimet e mia për aktoren e madhe, të pavdekshmen Violeta Manushi”.

Rolet e Violeta Manushit, e bëjnë të pavdekshme aktoren e madhe, kolegen e paharruar” ishte ligjërata e Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”. Luan Fidani, administrator i Komunës së Voskopojës, falenderoi Fondacionin për organizimin e kësaj veprimtarie, ndërsa mungesën e mbështetjes për organizimin e saj, ia faturoi bashkisë së qytetit, nga varet. Aktiviteti i sponsorizua nga biznesmeni, Agron Liço.

“Unë ndjehem i nderuar, që dhashë aq sa munda për të mbështetur këtë veprimtari, që i kushtohet aktores së madhe Voskopojare Violeta Manushi. Artistja e madhe është e Voskopojës, e Korçës, e Shqipërisë dhe për të vlerësuar e kujtuar, e kemi detyrë të gjithë, por shmangia e institucioneve të shtetit, është e pafalshme. Me personalitete të tilla, sikurse është Violeta Manushi, mburret një Komb i tërë”,- tha Liço.

Rezoluta e Fondacionit

Në përfundim u lexua Rezoluta e bërë Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi” , për përpjekjet që u bënë përgjatë 1 muaji për të bashkëpunuar e gjetur mbështetje financiare për organizimin e kësaj veprimtarie, që ndoshta i takonte Teatrit “Andon Zako Çajupi” për ta organizuar. Në Rezolutë thuhet se pati kontakte të drejtpërdrejta telefonike me kryetaren e Qarkut zonj.Ana Vrusho, kryetarin e bashkisë Sotiraq Filo dhe drejtoren e teatrit zonjën Zamira Kita, që në unison u shprehën : “Nuk kemi fonde”. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve të detyruara ligjërisht për të nderuar e vlerësuar figura madhore të artit, sikurse ishte në këtë rast Artistja e Popullit Violeta Manushi, jo vetëm nuk mbështetën financiarisht aktivitetin, por nuk denjuan, as të merrnin pjesë në aktivitetin, që u organizua në Voskopojë, vendlindjen e Artistes së madhe.

SHKARKO APP