Një këngë dashurie

Prezantohet nga botuesi francez në “Marché de la Poésie”, manifestimi më i njohur poetik në Francë, libri Territoret e shpirtit » me autor Luan Rama Luc Vidal Libri « Territoret e shpirtit » me autor Luan Rama është një mënyrë për të vazhduar bashkëpunimin tonë të vjetër që ishte ndërprerë. Më 2001 unë botova librin tënd me poezi në dy gjuhë, frëngjisht-shqip Mbulomëni me një copëz qiell, mbi dramën e emigrantëve dhe të mërgimit, ekzilit. Më 1999, ishte Udha e gjatë në tunelin e Platonit ( Le long chemin sous le tunel de Platon), një ese mbi artistin e pushtetin në epokën totalitare, në vendin tënd, nën diktaturën e Enver Hoxhës. Ashpërsisë së botës ti i përgjigjeshe me bukurinë e poezisë dhe fjalën profeci.

Ti e sheh poetin si një profet. A është gjithashtu dhe një zedhënës i Zotit, i Hyjnive të Olimpit apo të një zoti ?… Ai u jep mundësi njerëzve t’i këndojnë bukurisë dhe të ulen në gjunjët e saj siç bëri Rimbaud. Eshtë një dhunti prrallore. Këto fjalë na sigurojnë një mbrojtje dhe na çlirojnë nga frikat. Homazhi që ti i bën në poezitë e tua Victor Hugo-së, e dëshmon këtë. Vdekja e një poeti pikëtakon ndonjëherë shpirtin e popullit. Shpirti është pikërisht fryma, frymëmarrja, principi vital ku marrin jetë forcat e brendshme shpirtërore apo transhendente si fjala poezi (nga greqishtja e vjetër poesis), çka do të thotë të bësh, të krijosh, të fabrikosh. Në intimitetin e banesës së tij, poeti bëhet « voyant », parashikues. Qartësia që ai na ofron, kjo plagë më e afërt e diellit siç shkruante René Char, i ofron botës mundësitë e shërimit të shpirtrave tanë të plagosur. I dua poezitë e tua dhe vargëzimet e gjata lirike ku dallgët e fjalëve të tua gjeniale vijnë me ndjenja e yje vëllazërore. Dua në veçanti disa prej tyre si « Poetët vdesin si zogjtë » dhe që digjen ende, sytë e hapur e të njomur, « Shenjat e pikësimit » me vargjet që shkojnë si kalorës… mbi letrën e shenjtë, « Njëqind dashuritë e Pablo Nerudës » që mbërthejnë trupin tënd dhe të gjithë botës, « Kënga e fundit e Robert Desnos » që priste agimin…

Libri yt është një këngë dashurie për njeriun e dashuruar si dhe mjaft intim. Ai përshkohet nga poezia franceze dhe poezia e botës, nga zënkat njerëzore, tragjeditë dhe luftërat shkatërrimtare, nga jeta e përditshme, nga qytetet (Parisi në veçanti), nga vështirësi që vendi yt, Shqipëria, përballon me mund.

Nuk e di nëse një poezi mund të pengojë një luftë, por e shpërndarë në kohën e duhur nga shkollat, komunitetet, nga mediat e festivalet, në kafenetë dhe në rrugë, mund të kontribuojë në paqen e botës dhe veçanërisht në paqen e brendshme të njeriut. Forca e fjalës që përçohet nga poezia, nëse ajo frymëzon njeriun politik dhe njeriun e zakonshëm, kjo sjell sinqeritetin dhe nevojën për të kërkuar harmoninë brenda vetes.

Poeti është udhëtar i palodhshëm fjalësh. Erazmi modern që ti kërkon të fillojë një « revolucion » humanist e besoj edhe midis nesh, është në këto territore shpirti që ti i përshkon me durim. Nëse Erazmi shkruante veprën e tij Elozh i çmendurisë, ti në fund të fundit shkruan elozhin e poezisë, atë të poezisë së tashme dhe profecinë e ardhmërisë së botës për të mirën e vendit tënd dhe të botës. /Shqip

SHKARKO APP