Një shembull i shkëlqyer i shqiptarisë dhe qëndrimi i akullt i Tiranës
Nga:
Vetëm pak ditë më parë, në mes të Beogradit, madje në zemër të tij, një shqiptar jo dhe aq i zakonshëm, tregoi brenda Skupshtinës ( Kuvendit ) të Serbisë, se si mund të mbrohet me krenari e dinjitet, identiteti ynë kombëtar, duke befasuar e shkaktuar pakënaqësi dhe ilaritet mes deputetëve serbë, të pamësuar me kurajon prej të “çmenduri”, të një biri të shqipes, siç do të na quante aq bukur dhe saktë, poeti i përmasave botërore Lord Xhorxh Gordon Bajron, apo edhe Lord Harold Julian Amery, Ministër i famshëm konservator i Madhërisë së saj, i cili ka jetuar si misionar britanik, për rreth një vit në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kryesisht në Dibër, ku ka “mbaruar” edhe Universitetin e dytë, atë të “Kembrixhit” dibran, pas atij të Oksfordit në Angli.
Dhe ky shqiptar, me një modesti të natyrshme, pa dashur aspak të bëjë e të duket si VIP, quhet Shaip Kamberi, ndoshta i vetmi shqiptar, deputet i Skupshtinës serbe.Me një shqipe të pastër, me një qetësi të admirueshme, pa u emocionuar dhe impresionuar aspak, se trembur jo e jo, mbajti një fjalim tronditës, të padëgjuar më parë në atë sallë, në dekada të tëra. Këtë burrë, nuk e pengoi dot as kinezëria e Kryetarit të porsa zgjedhur të Kuvendit të Serbisë, ish-zëdhënës i Milosheviçit, ish-Kryeministër dhe ish-Ministër i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili tentoi të kapej pas një detaji teknik, pasi gjoja, duhej folur në serbisht, ngaqë “mungonte” një përkthyes nga Shqipëria në Kuvendin e Serbisë. Gjakftohtë dhe i palëkundur, Shaip Kamberi e vazhdoi dhe e mbaroi fjalën e tij në shqip.
Ai, në thelb të fjalës së tij, kishte vendimin absurd, diskriminues dhe racist të Gjykatës së Lartë të Serbisë, për të quajtur normal, pra të padënueshëm, etiketimin fyes, poshtërues, pezhorativ të shqiptarëve, nga një prej figurave më apokaliptike, të botës së nëndheshme aktuale shovene serbe, por të lyer me varak, Aleksandar Vulin, i cili, ashtu si një prej homologëve pararendës të tij, disa dekada më parë, Ministri më jetëgjatë i Brendshëm dhe Shef i UDBA-s, i Jugosllavisë së Marshall Titos, i quan shqiptarët “shiptari” dhe jo allbanac, siç edhe thirren ata në gjuhën serbe, gjuhë kjo, shumë më e vonë se shqipja jonë. Po kush është ky Aleksandar Vulin?
I lindur më 2 Tetor 1972, në Novi Sad dhe i diplomuar për Drejtësi në Kragujevac, ai ka kaluar edhe nëpërmjet Kolegjit Serb të Sigurisë edhe Mbrojtjes, pra paralelisht, edhe me edukim ushtarako-policor. I infiltruar në agjenci shtypi, lajmesh e gazetash deri në Drejtor i Përgjithshëm, hyri në Partinë Socialiste, ku filloi karrierën partiake dhe më pas edhe shtetërore, si zëdhënës i famëkeqes Mira ( Mirjana ) Markoviç-Milosheviç, një lloj Helena Çaushesku, apo Nexhmije Hoxha, mbesë e Davorjanka Paunoviç -Zdenka, dashuria e jetës e Josip Broz Titos. Ai publikoi edhe katër libra, dy prej të cilëve, u përkthyen dhe u botuan, e ku tjetër veçse në Rusi.
Detyra e parë e rëndësishme e Vulinit ishte Drejtor i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, e pastaj Ministër ( pa portofol ) për Kosovën e Metohinë, Ministër i Punës, Ministër i Mbrojtjes dhe aktualisht Ministër i Brendshëm, që ngjan shumë me antishqiptarin e tërbuar, Rankoviçin , jo vetëmnga emri i njejtë, Aleksandar. Vulin pra, Ministri më i rëndësishëm i Qeverisë së Serbisë , i etiketon dhe i fyen shqiptarët me nofkën “shiptari”, ndaj edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar për Preshevë -Bujanoc- Medvegjë, e ka hedhur në gjyq, në të cilin, siç edhe e kemi përmendur më sipër, Gjykata e Lartë në Beograd, nuk “konstatoi” fyerje, ndaj edhe e mbylli çështjen, duke institucionizuar juridikisht ksenofobinë , diskriminimin dhe racizmin përçmues ndaj shqiptarëve. Ndërkohë në fund të 2018, Gjykata e Apelit, ka vendosur, t’a konsiderojë fyese dhe poshtëruese, termin “shiptari”dhe e cilësonte atë, si shprehje të urrejtjejes dhe ofezës ndaj shqiptarëve. Shaip Kamberi, në fjalimin brilant të tij, para kokave të nxehta të deputetëve serbë, që në vend të trurit kanë qymyr të ndezur, ndër të tjera, bën krahasimin e pakontestueshëm, “Po sikur, një mëngjes, homologu kosovar i Vulinit , të ngrihet e t’i quajë serbët “shkije”, si do të ndihej ai”.
Mjaft i goditur në fjalën e tij është krahasimi me hierarkët nazistë, të cilët filluar nga Hitleri, Himleri, Geringu, Gëbelsi etj, përcaktonin, se si do të quheshin hebrenjtë. Më pas, Shaip Kamberi i drejtohet edhe Kryeministres serbe ( e deklaruar lesbike ), Anna Brnabiç, “Kjo është Serbia “demokratike” e Vuçiçit dhe e juaja, që aspiron të hyjë në Europë” , e po kështu , këtë pyetje retorike ai, iu a drejton edhe Merkelit , Makronit , Ursula von der Leyen , Borrejit, Lajçakut, etj etj. Në fund, ai guxon t’iu thotë shqip dhe trroç deputetëve serbë se, “Ne shqiptarëve, nuk n’a trembni dot kurrë”.
Kuptohet , se gjatë fjalës së tij, u tentua disa herë me ilaritet të mos i dëgjohej fjala, por edhe kjo i nxorri zbuluar këta dritëshkurtër, pasi doli, që ata, fare mirë kuptokan shqip. Kësaj here, Ivica Daçiç, diplomato-këngëtari, sot kryeparlamentar në Beograd, bëri gjysëm të moderuarin, edhe pse me Kushtetutë , Ligj dhe Rregullore të Kuvendit, deputetëve të pakicave, pra dhe Përfaqësuesit të Shqiptarëve , të mençurit, trimit dhe dinjitozit Shaip Kamberi, iu njihet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare, duke e lejuar atë t’a përfundojë fjalimin në shqip. Megjithatë, obez, me faqe të fryra dhe gushë të varur, i zhytur në kolltukun e rehatshëm të kryetarit, ai dukej qartë nga grimasat, se mezi po priste që të mbaronte fjala e Shaip Kamberit, i cili deklaroi se ka folur serbisht më parë, që qytetarët serbë të kuptonin qëndrimin e shqiptarëve, por pas këtij fjalimi do të vazhdonte të fliste vetëm shqip në Kuvend.
Kohë më parë, edhe një tjetër personalitet i shquar shqiptar i Luginës, Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, kishte reaguar ashpër , për gjuhën e urrejtjes dhe përçmimit ndaj shqiptarëve përdorur prej Vulinit, këtij kokoshi të fryrë serb, që nuk dihet se në ç’vrimë qe futur, kur SHBA dhe NATO , bombardonin Beogradin. Ajo që është tronditëse, madje në kufijtë e të pabesueshmes është se, nga Tirana zyrtare dhe shumica dërrmuese e mediave të shkruara dhe vizive, të kontrolluara prej Qeverisë, ky qëndrim dhe ky fjalim, ka kaluar tangent dhe ndoshta kështu do të vazhdojë të jetë i mbështjellë nga akulli, që këto ditë pritet të mbulojë edhe vetë Shqipërinë.
I pritur nga Prof.Dr. Berisha, Kryetari i PD-së dhe i Opozitës Basha, si edhe Presidenti i Republikës, Meta, zoti Ragmi Mustafa gjeti mbështetje të fortë për të gjitha problemet e ngritura e kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës, të cilët Serbia, i ka lënë në prapambetjen më të thellë, krahasuar me çdo rajon tjetër të Serbisë!Por, nga ana tjetër, prej Qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama, nuk është mbajtur pothuajse asnjë premtim për banorët e Luginës, me përjashtim të një kërkese me gjysëm zëri bërë mikut serb të tij, Vuçiç, kundër Vulin-it, të cilit, mjafton t’i shohësh kapadaillëkun me të cilin pozon në fotot zyrtare, që të kuptosh delirin e madhështisë , që e ka kapluar këtë serbomadh të pompuar nga Moska e Carit të kuq, V.V.Putin. Është rasti të kujtojmë, se djallëzisht Tito dhe poshtërsisht, pjesa serbe e udhëheqjes jugosllave, ku kryesori ishte Rankoviç, i ndanë shqiptarët dhe trojet e lashta të tyre në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi ( Lugina ).
Pikërisht këta të fundit, janë nën shtypjen dhe sundimin e Serbisë “demokratike” dhe kanë nevojë, shumë më tepër se të tjerët për ndihmë e përkrahje, por jo për mëshirë. E mesa duket, nga ky vesh Qeveria Rama këto tetë vite, përveç premtimeve të pambajtura, nuk dëgjon. Edhe raportet me Kosovën, sot janë në kuotën më të të ulët, që nga shpallja e Pavarësisë së saj, për shkak të konfliktualitetit absurd dhe paternalizmit ndaj udhëheqësve të saj, që kërkon të imponojë Tirana zyrtare, sidomos pas atyre historive, që nuk e nderojnë aspak, si ajo e shkëmbimit të territoreve, apo copëtimit me “lezet” të Kosovës, Minishengeni Ballkanik, Taksimi 100 % i mallrave serbe, përgjumja letargjike e diplomacisë sonë para ofensivës serbe të ç’njohjeve, për të kulmuar me paradoksin e paimagjinueshëm të hedhjes në gjyq të Ramushit nga Rama, kontradiktat parimore me Albinin dhe fyerjet ndaj Vjosa Osmanit.
Kosova në veçanti dhe të drejtat e liritë demokratike të shqiptarëve në Rajon në përgjithësi janë dhe duhet të jenë përparësi e përparësive për Shqipërinë. Sot, Shaip Kamberit, këtij shqiptari të guximshëm e dinjitoz, i duhet siguruar mbështetje dhe mbrojtje, pasi nuk duhet harruar, se ai është nën shantazhin e “arkanëve” të shumtë, që vranë deri Kryeministrin e tyre Xhinxhiç, apo Presidentin Stamboliç e pastaj t’i qajmë hallin Greqisë, e t’i bëjmë apologji të “drejtave”, që ajo s’i paska ditur e që i “takokan” për ato 12 milje të kufirit detar.