Paketa Antishpifje/ Rama gabon juridikisht, filozofikisht dhe politikisht

Nga Klementin Mile –

Ku gabon Kryeministri me propozimin e Paketës Antishpifje? Në një postim në “Facebook”, ai thotë se “asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje”. Të gjitha shpifjet e hedhura në drejtimin e tyre nga “kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale”, ata do t’i padisin në gjykatë.

E parë kështu, nga profili zyrtar digjital i Kryeministrit, Paketa Antishpifje duket në rregull dhe, madje, një hap përpara drejt promovimit të interesit publik. Por Kryeministri gabon me nismën e vet për të rregulluar ambientin mediatik, në të paktën tri drejtime.

Së pari, Kryeministri gabon juridikisht. Gjykata, në të cilën do t’i padisin shpifësit ministrat dhe deputetët socialistë, sipas Paketës Antishpifje, është Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA). Por AMA nuk mund të marrë kompetencat e gjyqësorit duke vendosur gjoba apo bllokime të mediave. Gjithashtu, Paketa Antishpifje, duke vendosur AMA-n si gjykatë, shkel parimin e sigurisë juridike. Kjo, sepse gazetari ose pronari i medias së paditur për shpifje do të gjykohet nga persona pa formimin dhe statusin juridik të nevojshëm.

Përveç kësaj, Paketa cenon të drejtën e apelimit, duke i bërë të zbatueshme menjëherë gjobat e AMA-s. Për më tepër, gjobat janë disproporcionale. Në kundërshtim me konkluzionin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Paketa Antishpifje e vendos lirinë e shprehjes më poshtë se liria e dinjitetit të personit, çka e dëshmon vendosja e gjobës penalizuese ndaj subjektit shpifës, e tillë që mund ta falimentojë këtë të fundit.

Së dyti, Kryeministri gabon filozofikisht. E vërteta është subjekt shumë delikat për t’u trajtuar. Ka konceptime të ndryshme për të vërtetën: si korrespondencë, si koherencë, si konstruksion, si zbulesë, si saktësi etj. Të gjitha këto konceptime duhet të na bëjnë të tregohemi më të matur kur bëhet fjalë për të vërtetën. Kjo, pasi sa më shumë konceptime zhvillohen për të, aq më të pasigurt bëhemi. Atëherë, si duhet vepruar në kushtet e pasigurisë për të vërtetën? A mund t’ia japim AMA-s të drejtën dhe, bashkë me të, monopolin për të vendosur për të vërtetën? Pse u dashka të besojmë që disa nëpunës të nivelit të mesëm si ata të AMA-s qenkan në gjendje ta dallojnë të vërtetën më mirë se të tjerët?

Përkundër kësaj, në kushtet e pasigurisë për të vërtetën, do të duhet t’i drejtohemi një parimi universal të drejtësisë, atij që thotë “më mirë njëqind të fajshëm jashtë sesa një i pafajshëm në burg”. Edhe pse Paketa Antishpifje nuk sanksionon burg për pronarët dhe gazetarët e mediave të paditura si shpifëse, ky parim mund të interpretohet lehtësisht për ta vendosur në kontekst. Kështu, ai mund të riformulohet: “Më mirë të lejojmë njëqind medie të fajshme sesa të ndalojmë një medie të pafajshme”.

Po nuk e respektuam këtë parim të drejtësisë, dhunojmë njëkohësisht edhe prezumimin e pafajësisë, që rrjedh logjikisht prej tij. Ky i fundit, le të kujtojmë, parashikohet në nenin 30 të Kushtetutës sonë, e cila thotë: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Sikundër vijon edhe Kodi i Procedurës Penale në nenin 4 të tij, “çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit”. E drejta shqiptare, pra, është një mur me të cilën përplaset dhe kthehet mbrapsht Paketa Antishpifje.

Ka arsye kushtetuese për këtë. Filozofia e shtetndërtimit e përcakton lirinë e shprehjes si njërin nga gurët themelorë të shtetit demokratik. Siç është shprehur Gjykata Kushtetuese, “pa garantimin e kësaj të drejte nuk mund të bëhet fjalë për pluralizëm, tolerancë dhe krijim të vullnetit të lirë politik, aq të domosdoshëm për shoqërinë demokratike… Liria e shprehjes përfshin në vetvete edhe të drejtën e informimit, si një e drejtë themelore për të marrë dhe për të dhënë informacion, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike”.

Së treti, Kryeministri gabon politikisht. Pas votimeve të 30 qershorit, pushteti i mazhorancës është i plotë. Ajo kontrollon tërësisht qeverinë qendrore dhe qeverinë lokale. Mazhoranca dikton pa asnjë lloj opozite politikat qeveritare dhe Kryeministri dikton pa asnjë lloj opozite mazhorancën. Organet e tjera të shtetit, të cilat do të mund ta ndalnin diktatin, mungojnë ose nuk janë funksionale. Kështu, me përjashtim të Presidentit, kompetencat e të cilit, sidoqoftë, janë shumë të kufizuara, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk kemi Gjykatë të Lartë funksionale, nuk kemi prokuror të përgjithshëm të përhershëm, nuk kemi opozitë parlamentare të fuqishme, nuk kemi dhomë të dytë legjislativi.

Sa më sipër dëshmon për diktat të pakundërshtueshëm, të pakontrollueshëm dhe të pabalancueshëm të vullnetit kryeministror. Diktatura, në këto kushte, nuk është gjë tjetër veçse përdorimi sistematik i diktatit. Një problem ekzistencial i diktatorit, për të mbijetuar në pushtet, është kontrolli i popullit në përgjithësi dhe i opozitës në veçanti. Kjo mund të bëhet në dy mënyra: përmes shtypjes, ose përmes kooptimit.

Me Paketën Antishpifje Kryeministri po synon ta kontrollojë popullin përmes shtypjes së energjisë, burimeve dhe opinioneve opozitare. Pikërisht ky është gabimi politik i tij. Në një gjendje diktatoriale thuajse perfekte, shtypja është disfunksionale. Në vend që ta shuajë zjarrin e vogël opozitar, ajo provokon rritjen e tij. Mënyra politikisht efektive për Kryeministrin do të ishte kooptimi. Diktatura duhet të bëhet relativisht lejuese dhe shpërblyese që ta vazhdojë ekzistencën e saj./Gazeta Liberale

SHKARKO APP