Pandemia shton problemet e shëndetit mendor, Rreli: 4400 vizita në 9 muaj, vetëm në 1 qendër
Në 9 muaj të këtij viti numri i atyre që kanë kërkuar ndihmën e psikiatrit vetëm në një nga tre Qendrat Komunitare të Shëndetit mendor në Tiranë ka kaluar atë të personave që paraqiteshin tek mjeku përgjatë 12 muajve tre vite më parë.
Pandemia e koronavirusit dhe pasiguritë në përditshmëri tregon psikiatrja Arjana Rreli kanë shtuar qytetarët që shfaqin probleme të shëndetit mendor.
Problematikat kryesore janë stresorët e përditshëm. Janë të vënit nën presionin, qoftë të kohës, të angazhimeve, që deri diku bëhen të vështira. Flas për persona që janë më marrëdhënie pune. Nga ana tjetër pandemia i ka futur në frikë dhe panik njerëzit…”
Të rinjtë janë pacientët më të shpeshtë të mjekëve psikiatër këto kohë, por nuk mungojnë as 50-vjeçarët të cilët shqetësimet që përjetojnë i manifesojnë me ankth dhe çregullime më të rënda mendore.
“Kryeson listën ankthi. Ankthi me format e veta. Mosha 20-30 vjeç duket se po ankohen shumë më tepër për gjendjen e ankthit..”
Në prag të ditës botërore të sensibilizimit për problemet e shëndetit mendor psikiatrja Rreli apelon për ta parë trurin si çdo organ tjetër dhe për të kërkuar ndihmë pa kompleks kur ai shfaq nevojë.
Ndërsa tek njerëzit përhapja e koronavirusit ka shfaqur stresor të rinj sistemin shëndetësor e ka sfiduar për të kuptuar dhe menaxhuar problemet e shëndetit mendor. /abcnews.al/