“Përse nxitove të ikësh?”, rrjeti “shpërthen” në lot për humbjen e mësueses nga Prrenjasi. Fjalët prekëse të ish-kryebashkiakes
Mësuesja nga Prrenjasi, Irena Bajlozi ka humbur betejën me koronavirusin që prej ditës së djeshme dhe në rrjet nuk kanë munguar reagimet dedikuar saj. Ishte Kujtim Cami që bëri të ditur se Irena, një nga këngëtaret më të mira të qytetit u largua në mënyrë të parakohshme se nuk ia doli dot me betejën ndaj Covidit.
Ai e cilëson si një person që dinte vetëm të inkurajonte të tjerët për të mos u dorëzuar kurrë, por vetë u dorëzua para sëmundjes duke lënë boshllëk tek të gjithë njerëzit e dashur.
“Sapo mora një lajm të hidhur . Ndërroi jetë mësuesja, artisja, qytetaria Irena Bajlozi. Shuhet një nga artistet e pakta të këtij qyteti të vogël . Irena ishte një nga kengëtaret më të mira të këtij qyteti. Ishte një mësuese e apasjonuar që punoi gjithë kohën për të nxierrë talente të reja . Ishte një shoqe shumë e mirë.
Njeriu që dinte vetëm të të inkurajonte e të nxiste për mos u dorzuar kurrë por….fatkeqësisht sot ajo vetë u dorzua dhe u largua duke lenë një boshllëk tek miqtë e tek familjarët . Mikja jonë artistja jonë jo kaq shpejt përse nxitove të ikësh ………??? E di që ti e besoje shumë ZOTIN po nuk është e drejtë që na braktise ne për të shkuar pran tij kaq shpejt . U prehsh në paqe Aritstja ,mësuesja dhe qytetarja e nderuar IRENA ”, shkroi Cami në Facebook.
Ndërsa ish-kryebashkiakja e Prrenjasit, Miranda Rira ka qenë nxënëse e Irena Bajlozit dhe e mban mend si intelektualen me zemër të madhe që jetën ia dedikoi edukimit të brezave.
“E tronditur nga ikja e parakohshme, e mësueses sime të muzikës, Irena Bajlozi! Askush nga ne se mendonte se ky dreq Covid-i, do të merrte nga ne vajzën nga Prrenjasi, intelektualen, artisten me zemër të madhe..!
Një jetë të tërë iu përkushtove edukimit të brezave, në Rrajcë, në Prrenjas dhe kudo në zonën tonë! Ke kaluar kaq shumë nxënës në duart e tua! Të qoftë dheu i lehtë, mësuesja ime e dashur! U prehsh në paqen e amëshueshme të Perëndisë..!”, shkroi Rira.
Mbetet e paqartë nëse Bajlozi kishte sëmundje të tjera shoqëruese ndërsa pritet që rasti i saj të raportohet në përditësimin e Ministrisë së Shëndetësisë në orën 16:00.