“Piratët e Karaibeve” pa konkurrencë në shikueshmëri

Pas gjashtë vitesh pritjeje të gjatë, “Piratët e Karaibeve” i kanë mbushur sërish sallat e kinemave në mbarë botën që prej disa ditësh dhe duket se ky film as e ka ndërmend të zbresë në vendin e dytë të filmave më të ndjekur edhe për ditët në vijim. Erërat e fatkeqësisë në këtë seri do të fryjnë edhe më fort për kapitenin Jack Sparrow, kur fantazmat e piratëve të vdekur në bashkëpunim me armikun e tij të vjetër kapitenin e tmerrshëm Salazar, të arratisur nga Trekëndëshi i Djallit, do të përpiqen të vrasin të gjithë piratët e deteve, duke përfshirë edhe atë vetë. E vetmja shpresë e kapitenit Sparrow do të jetë kërkimi i Sfurkut të Poseidonit, i cili i jep zotëruesit të tij fuqi të pakontrolluar mbi detin. Dwayne Johnson dhe heronjtë e premierës së re “Baywatch” po përpiqen me të gjitha forcat t’i afrohen arkëtimeve të “Piratëve të Karaibeve”, por duket se është një mund i kotë. As vajzat joshëse të “Baywatch” nuk kanë mundur të ndalin suksesin e piratëve Johnny Depp, Geoffrey Rush e Javier Bardem, në prodhimin me efekte 3D të Walt Disneyt, i cili ka arkëtuar më shumë se 390 milionë dollarë në “box-office” deri më tani. Katër seritë e para të sagës së aventurave detare kanë mbledhur rreth 2.45 miliardë dollarë, shifër, e cila do të vijojë të rritet deri në fund të projeksioneve të “Piratëve të Karaibeve 5”.

SHKARKO APP