Policia: Kujdes nga “Mashtrimet nigeriane”
Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët që të bëjnë kujdes të mos bien pre e një mashtrimi në rrjetet sociale, pasi njësia për Hetimin e Krimeve kompjuterike prej disa kohësh ka evidentuar një fushatë mesazhesh të cilat po dërgohen në telefonat celularë nëpërmjet aplikacioneve të mesazhimit.
Këto mesazhe, thotë Policia, janë me qëllim mashtrimin e shtetasve që vendosin t’iu përgjigjen atyre. “Një ndër mesazhet më të përhapura muajin e fundit quhet “Mashtrimi i WhatsApp”, i cili ka marrë emrin e tillë pasi shumicën e rasteve dërgohet në këtë aplikacion.
Numra telefoni të huaj dërgojnë një mesazh në aplikacionin WhatsApp me tekst në gjuhën angleze, që në gjuhën shqipe ka një kuptim të tillë:
“Urime!!, Numri juaj i telefonit është zgjedhur si fitues i shtatëqind mijë dollarëve të shteteve të bashkuara (700,000.00USD) në programin e donacionit COVID-19 të WhatsApp 2020. Dërgoni referencën tuaj fituese Nr.WH/US-6463457 në email: info@intldraws për më shumë detaje si të tërhiqni fondet tuaja. Kontaktoni info@intldraws për pyetje të mëtejshme. SHËNONI QË KY ËSHTË NJË TEKST KONFIDENCIAL.”
Në vazhdimësi të komunikimit nëpërmjet postës elektronike (email), organizuesit e këtij mashtrimi do kërkojnë të dhënat e kontaktuesit me qëllim dhënien e këtij çmimi. Të dhënat që do të kërkohen do të kenë të bëjnë me emrin e plotë, vendin, numrin e telefonit të kontaktit, shtetësinë, adresën, moshën, gjininë, statusin civil dhe punësimin. Gjithashtu, adresa e vendosur gjatë këtij komunikimi nga organizuesit e këtij mashtrimi do të jetë adresa zyrtare e Kompanisë “WhatsApp”.
Në vazhdim të komunikimit, organizatorët e mashtrimit përdorin dhe adresa të tjera të postës elektronike si psh: programintl.info@gmail.com dhe remittance@creditsunion.cc. Më pas dërgohet dhe një certifikatë për fitimin e çmimit ku kërkohet të rritet besueshmëria tek organizatorët e mashtrimit.
Po në vijim të komunikimit nga ana e organizatorëve jepen dhe dy mënyra për transferimin e shumës tek fituesi që janë nëpërmjet kartës ose nëpërmjet transfertës bankare dhe kërkohen përsëri të dhëna të shtetasve, ku tani përfshihen dhe të dhëna bankare. Në përfundim të kësaj skeme mashtrimi, nga ana e organizatorëve kërkohet një shumë e caktuar parash, me qëllim transferimin e shumës së fituar tek fituesi.
Organizatori i kësaj skeme mashtrimi, aktualisht është i paidentifikuar, por gjatë kësaj dekade këto lloj mashtrimesh bëjnë pjesë në ato që quhen “Mashtrimet Nigeriane”.
Aktualisht, sipas të dhënave që Njësia për Hetimin e Krimeve Kompjuterike disponon, me këtë lloj mashtrimi mund të preken të gjithë shtetasit që përdorin aplikacionin “WhatsApp”.
Qytetarët duhet të bëjnë kujdes për sa i përket fillimit të komunikimit me persona apo adresa të postës elektronike që ofrojnë çmime të fituara për të cilat shtetasit nuk kanë pasur dijeni dhe sidomos kur vërejnë të dhëna si:
Ø Mesazhi vjen nga një numër i huaj;
Ø Çmimi i fituar ka të bëjë me një aktivitet të pakryer nga përfituesi i mesazhit;
Ø Vlerat e fituara (sipas mesazhit) janë të konsiderueshme;
Ø Kërkimi i të dhënave personale;
Ø Kërkimi i të dhënave bankare;
Ø Kërkimi i dokumenteve të identifikimit ose dokumenteve të tjera personale, etj;
Policia e Shtetit apelon për këdo që ka rënë pre e këtij mashtrimi apo mashtrimeve të ngjashme, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit”.