Pse ka plumb në bojën e papirusëve egjiptianë?
Plumbi i gjetur në bojën kuq e zi të përdorur në papiruse nga egjiptianët e lashtë, ndoshta është përdorur për të tharë shkrimet shpejt. Sipas një studimi të botuar në PNAS, të kryer nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Kopenhagenit, egjiptianët e lashtë përdorën bojëra me bazë plumbi për të ndihmuar ngjyrën të thahej duke shmangur njollosjen. Kjo zgjidhje ishte dokumentuar vetëm për pikturat evropiane të shekullit të 15-të, ndërsa tani përdorimi i pigmenteve me bazë plumbi mund të datojë që në vitet 1400.
Me një teknikë të mikroskopisë me rreze X, studiuesit analizuan 12 fragmente të papirusëve egjiptianë që datojnë nga vitet 100 deri 200 pas krishtit, periudha e dominimit Romak. “Analiza jonë ka nxjerrë në pah përbërës deri më tani të panjohur në bojërat kuq e zi të përdorura nga egjiptianët e lashtë”,-shpjegon kryesuesi i studimit, Thomas Christianen, “veçanërisht plumbi dhe hekuri”.
Hekuri u gjet në bojërat e kuqe, ndoshta i krijuar nga okri, një pigment natyral në të cilin janë të pranishëm edhe alumini dhe guri hematit. Nga ana tjetër, plumbi është gjetur në bojërat e kuqe dhe të zeza. Studiuesit besojnë se plumbi nuk është përdorur për të ngjyrosur bojën, por për ta tharë atë shpejt në papirus.
Fragmentet e papirusit të studiuara bëjnë pjesë në një seri dorëshkrimesh që i përkasin bibliotekës së tempullit të qytetit antik të Tebtunis. Është e mundur që priftërinjtë e tempullit, autorë të papirusëve, nuk prodhuan bojërat, por i blenë ato. Siç u zbulua nga analizat, në fakt, bojërat e kuqe ishin veçanërisht të komplikuara për t’u mbajtur dhe kërkonin dorën e specialistëve.