Pse shpërtheu kryeministri kundër ambasadës amerikane?

Nga Red Varaku –
Ambasadorja amerikane Yuri Kim në disa deklarata rresht i ka kërkuar liderëve politikë shqiptarë të mos kondidojnë njerëz me rekorde kriminale dhe njerëz nga lista e zezë e DASH.

Madje, për ta përforcuar mesazhin e saj , ajo i ka kërkuar edhe popullit shqiptar që të bëjë kujdes dhe të mos votojë kandidatë të tillë.

Është e qartë që ky në fakt është një ‘tërheqje veshi’ për kryeministrin aktual, sepse aludimi i saj lidhet me disa informacione që ajo ka në lidhje me kandidimin e disa individëve me cilësi të tilla .

Kjo me sa duket e ka acaruar kryeministrin shqiptar, i cili me sa duket e ka humbur përfundimisht durimin dhe i është përgjigjur i nervozuar ambasadës amerikane në lidhje me kërkesën e saj.

Ai deklaroi se nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me individët që me sa duket i ka ‘paracaktuar’ prej kohësh se do i kandidojë, duke lënë të kuptojë se vullneti i tij për të vjedhur sërish zgjedhjet nuk do të ndryshojë, duke nënkuptuar se për këtë është gati të futet në një kurs përplasjeje edhe me SHBA-të, të cilët janë edhe garantë të zgjedhjeve të 25 prillit.

E vërteta është që acarimi i tij nuk lidhej dhe aq me vetë deklaratat, se sa me faktin që këto deklarata denigruese po i bënte përfaqësuesja e aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik SHBA, sepse këto deklarata i rrëzojnë atij alibinë me të cilën ai i mashtron mbështetësit e tij ,se SHBA-në e ka në anën e tij.

Ato janë gjithashtu një mesazh i qartë për qytetarët që dëshmon se SHBA-të janë të vendosura që nuk do të tolerojnë më as edhe një përpjekje për trafikimin e vullnetit të qytetarëve dhe me sa duket është pikërisht ky fakt që e ka detyruar kryeministrin të turfullojë kundër Yuri Kim.

SHKARKO APP