Që nesër të mos dalin “trungje” nga shkollat tona
Nga: Artur Ajazi
Prej afro 35 ditësh, në sistemin shkollor parauniversitar dhe universitar, po zhvillohet mësimi on-line, (ose mësimdhënia e emergjencës) siç quhet ndryshe në emërtesat e korrespondencës nxënës-mësues përmes whatcap-it. Dukej si një eksperiencë e re, e mirëpritur dhe duhet thënë shumë e nevojshme. Shumë shpejt, teknika dhe taktika e re, e papërdorur ndonjëherë në sistemin shkollor në Shqipëri, do të nxirrte në sipërfaqe problemet e veta,që nisin nga ato profesionale (për një pjesë të mirë të mësuesve) dhe duke vazhduar me rritjen e stresit tek pjesa dërrmuese e nxënësve.
E ndërsa dita e hënë, nis me “sms” e çdo mësuesi lënde për grupin e nxënësve, ngarkesa bëhet maksimale për nxënësit, kur celulari mbushet brënda 20 minutash, me dhjetra materiale, skica, video, ushtrime, fjalime, udhëzime, porosi, dhe nuk mungojnë edhe “urdhërat” e ndonjë mësuesi fillestar. Të gjendur përballë kësaj situate stresante, nxënësit që kanë një mundësi interneti dhe celulari bashkohor, mund t’ja dalin, mund të arrijnë të bëjnë ndonjë detyrë pa u ngatërruar me dhjetra e dhjetra “sms” që vazhdimisht vijnë nga shokët dhe shoqet e klasës, për sqarime, për ndihma etj.
Çdo lëndë ka grupin e saj, çdo mësues ka grupin e tij, dhe komunikon me nxënësit shpesh, jo sipas orarit javor, (që në fakt duhej të ishte kështu) por sipas oreksit dhe mundësisë. Sërish kjo mënyrë ka nxitur rrëmujën dhe stresin tek nxënësit. Gjatë dhënies së temës së mësimit, gjë e cila ndodh çdo ditë pas ores 08.30, mësuesit nxitojnë (dhe nuk dihet përse) të japin temat e mësimit edhe porosi të tilla si “kush e mbaron brënda 15 minutash ka notën 10). Dhe pikërisht këtu nis kaosi, nisin sms e nxënësve dhe prindërve, që ankohen sepse u duhet të bëjnë njëkohosisht 3-4 palë detyra në të njëjtin orar. Vlerësimi?
Ai është më fiktivi, pasi askush nga mësuesit nuk është në gjendje të ndjekë dhe shikojë nga shtëpia, si dhe kush po e ndihmon nxënësin të bëjë detyrat. Në këto 35 ditë mësimi on-line, nxënësi i notës 5 ose 6, ka arritur të marrë notën 9 ose 10. Dhe mësuesi është i detyruar ti vërë notën, sipas “detyrës” që merr përmes sms në whatcap. Dhe kështu ndodh çdo ditë, qoftë me nxënësit e sistemit 9 vjeçar, ashtu edhe me nxënësit e gjimnazeve, apo studentët e universiteteve.
Problemin e ka të qartë edhe Ministria e Arsimit, madje zonja Shahini ka folur disa herë mbi “efektivitetin e kësaj mënyre të re të mësimdhënies dhe vlerësimit përmes rrugës elektronike, ndaj situata e krijuar, e bën të padiskutueshme zbatimin e mësimdhënies on-line”. Në dukje e “qetë” dhe “pa probleme”, mësimdhënia on-line, shumë shpejt do të japë problemet e veta, ku një ndër ato është, mungesa e dijeve efektive, nga një pjesë e madhe e nxënësve, kryesisht në sistemin parauniversitar. Drejtoritë e Arsimit dhe ZVA në rrethe, marrin çdo ditë telefonata dhe mesazhe nga prindër, mësues dhe nxënës, ku u kërkohet “zvogëlimi ngarkesës, ndryshimi metodollogjisë së mësimdhënies edhe në kushtet e komunikimit elektronik” apo dhe elozhe të tipit “kemi arritur suksese, kemi ecuri të kënaqshme, nxënësit po na ndjekin”, etj.
Por e vërteta qëndron në faktin se, shkollat e sistemit parauniversitar, veç problematikave të trashëguara, mendoj se do të përballen shumë shpejt, edhe me produktin “e gatshëm” që do të nxjerrin pas përfundimit të këtij viti shkollor. Shumë specialistë të fushës së arsimit, janë të mendimit se “mësimi on-line, si diçka e detyrueshme për situatën, duhet të shoqërohet me përgjegjshmëri më të madhe nga stafi i Drejtorive Arsimore dhe ZVA-ve, lidhur me ngarkesën ndaj mësueve dhe nxënësve”. Rritja e ngarkesës, është tipari i kësaj periudhe karantinore, gjë e pazakontë në periudhën kur shkollat funksiononin normalisht. Provimet e lirimit, (në 9 vjeçare) dhe ato të maturës (në gjimnaze) po trokasin, ndaj duhet menduar seriozisht lidhur me mënyrën e vlerësimit për çdo nxënës, duke mos harruar ecurinë e tij qysh nga fillimi i vitit shkollor.
Pozitiv është fakti, se nxënësit nuk mbetën pa mësim, qoftë edhe no-line, por kryesore mbetet shqetësimi për “produktin e gatshëm”, për atë që nesër do të dalë nga shkollat tona, për ata nxënës që do të mbarojnë 9 vjeçaren dhe do të kalojnë në gjimnaze, dhe për ata maturantë, që gjithë vitin ishin nxënës të 4- 5 apo 6, dhe në provimet e shtetit on-line, mund të arrijnë të “marrin” 9 ose 10, dhe pastaj mund të pretendojnë të shkojnë edhe në universitete. Që nesër të mos dalin “trungje” nga shkollat tona, dhe të themi se fajin e kishte karantina…..