Shqipëria me stendë në Panairin e Librit në Lajpcig
Letërsia shqipe do të ketë stendën e saj në Panairin e Librit që çdo vit mbahet në Lajpcig nga data 15 deri më 18 mars. Stenda e Shqipërisë atje është ideuar si një vënd promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëhore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin.
“Kemi zgjedhur të jemi në Panairin e Lajpcigut sepse i jepet më shumë mundësi autorit të ketë biseda të zgjeruara dhe natyrisht këto takime bëhen për të nxitur përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj. Takime të tilla kanë bërë të mundur që autorët të kenë pasur kontrata dhe përkthime të librave të tyre në gjuhën gjermane”, shprehet Mimoza Hysa, drejtore e Librit në Ministrinë e Kulturës.
Ajo që ministria e quan prurja më e mirë e letrave shqipe në vitet e fundit, përfaqësohet nga shkrimtarët bashkëkohorë të vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në tre vitet e fundit, si: Bashkim Shehu, fitues i Çmimit Balkanika 2015, Rudi Erebara, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, Idlir Azizaj Autori i Vitit” 2017, Agron Tufa “Autori i Vitit i Pananirit të Librit”, Parid Teferici, Virion Graçi, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku e të tjerë. Stenda e Shqipërisë është ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëhore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, e përshtatjes me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimit, bashkëjetesës.
Të ftuar në stendën shqiptare do të jenë autorët Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që jeton prej njëzet vitesh në Greqi e që përmes krijimtarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal.
Thanas Medi, i cili në një pjesë të mirë të krijimtarisë trajton jetën e një pakice kombëtare në Shqipëri, si vllehët, si dhe historinë e një brezi që përjetoi ndryshimet e mëdha të viteve nëntëdhjetë.Dhe brezi i më të rinjve prezantohet me Manjola Nasin, përkthyese dhe poete që sjell një lirikë urbane dhe imazhiste.
”Ne kemi mundësinë që një herë në tre vjet të promovojmë dhe një autor shqiptar siç ishte kësaj here Rudi Erebara që fitoi çmimin e madh europian, gjë që i jep atij mundësinë të përkthehet në gjuhët e Europës.Tregu ka filluar të hapet. Autorët tanë të kenë dhe lëvizshmëri më të madhe dhe të kenë mundësi edhe të rezidencave dhe qëndrimeve jashtë vendit”, thotë Hysa.
Kjo është një mundësi e shumë që autorët shqiptarë të prezantohen aty me lexime, intervista të hapura për publikun, të krijonë kontakte me botues që i hapin rrugën përkthimeve në gjuhë të tjera. Ministria e Kulturës ka menduar që në stendën shqiptare t’i bëhet homazh shkrimtarit Kasëm Trebeshina, duke e prezantuar atë pas vdekjes dhe për herë të parë në deklaratat publike të ministrisë, si simbol i disidencës.
Profili i Trebeshinës shoqërohet nga një prezantimin i shkurtër i romanit “Odin Mondvalsen” që është përkthyer tashmë në gjunë gjermane. Panairi i Lajpcigut që është ngjarja e dytë e madhe në botën gjermanofone pas Panairit të Frankfurtit, ka si karakteristikë leximin.
/shqip