Si e minuan jugosllavët kanalin e Korfuzit

Si u minua nga jugosllavët Kanali i Korfuzit. Cili qe ushtaraku shqiptar i pranishëm. Pse britanikët mbeten fajtorë. Çfarë u detyrua të pranojë kryeprokurori britanik. Si u pengua tentativa për arrati e tre shqiptarëve që do dëshmonin në Hagë. A është “anija e tretë” misterioze ajo që ndodhet në fund të detit përballë Butrintit?

Nga Artur Meçollari

Kapiten i Rangut të Parë

Duket se Z.Paskal Milo në librin e tij “Të vërtetat e fshehura të Incidentit të Kanalit të Korfuzit”, publikuar në vitin 2010, është bindës dhe kompleton me prova më të plota versionin britanik. Sipas Z.Milo, minimi i Kanalit të Korfuzit (Gjirit të Sarandës) është bërë natën e datës 18 shtator 1946 nga tre anije jugosllave me kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë. Nga burime arkivore të pasura, z. Milo vërteton se ka ekzistuar një plan për minimin e bregdetit shqiptar nga ana e jugosllavëve në tre zona bregdetare: Sarandë, Himarë dhe Borsh, si dhe kërkohej konspiracioni i lartë për zbatimin e operacionit. Për këtë operacion, sipas një radiogrami të prezantuar në librin e Z. Milo, ishin vendosur në dispozicion nga pala jugosllave një anije dhe 100 mina detare.

Në fakt radiogrami thotë se në Jugosllavi është “një vapor gati me 100 mina”. Ky radiogram është dërguar në fillim të shtatorit (10 shtator), fakt i cili kupton se përgatitjet për minimin e Kanalit të Korfuzit kishin nisur tashmë. Versioni britanik flet për minimin e kanalit nga dy minaheqëset Mljet dhe Meljine.  Radiogrami citon një anije që ka në bord 100 mina, kurse minaheqëset nuk mund të mbajnë më shumë se 30 mina detare secila.

Në të njëjtën kohë, gjithashtu sipas versionit të Profesor Milos, tre anije jugosllave kanë hyrë më 17 tetor 1946 në Ishullin e Sazanit në fshehtësi të plotë dhe kanë dalë një ditë më pas, Kjo provohet nga radiogrami i Major Mevlan Dervishaj, Komandant i Ishullit, drejtuar Shtatmadhorisë po atë ditë. Pra, siç duket, minimi nuk është realizuar nga dy anije, dy minaheqëset Mljet dhe Meljine, por në përbërje të operacionit ka qenë edhe një anije e tretë. Po ashtu minimi nuk ka ndodhur në 21 tetor (hipoteza britanike), por në 18 shtator 1946, sipas profesor Milos.

Në komunikimet me Shtatmadhorinë Jugosllave përmendet edhe një oficer marine shqiptar. Pavarësisht se emri i oficerit shqiptar që ka asistuar operacionin e minimit nuk është cituar në asnjë dokument, nuk ka dyshim se personit të cilit ato i referohen është Kapiteni i Parë Abdi Mati, ish Shefi i Shërbimit Detar në vitin 1946. Abdi Mati ishte një oficer detar, i cili kishte përfunduar Akademinë e Detarisë në Livorno (Itali) dhe kishte eksperiencë në operacione çminimi, pasi në periudhën 1944 dhe fillim të vitit 1945 kishte marrë pjesë në operacionet e çminimit të kryer nga anglezët në bregdetin shqiptar. Kapiten i Parë Abdi Mati deri në vitin 1974 do të drejtonte Flotën Luftarake Detare të Shqipërisë. Kundëradmiral Abdi Mati është ushtaraku më i shquar detar në historinë e Shtetit Shqiptar. Ai vdiq shtator 1992, në moshën 73 vjeç, por asnjëherë nuk foli për Incidentin e Kanalit të Korfuzit.

Ka dëshmitarë që thonë se, një oficer marine shqiptar, me eksperiencë, ka hipur në bordin e anijes minahedhëse, dhe nëse kjo është e vërtetë duhet të ketë ndodhur diku, “sa më në veri”, siç rekomandon radiogrami i Shefit të Shtatmadhorisë Jugosllave gjeneral Koça Popoviç. Në fund të gushtit 1946 Abdi Mati ka qenë në Split, për blerjen e disa lanxhave. Nuk dihet sa ka qëndruar, por përfshirja e Abdi Matit në operacionin e minimit të Kanalit të Korfuzit është e padiskutueshme.

Ka të dhëna që pas largimit nga Sazani në mbrëmje të 18 shtatorit 1946, tre anijet jugosllave, nuk mundën të realizonin minimin. Anijet janë goditur me artileri përballë Kepit të Qefalit dhe janë detyruar të kthehen përsëri në Sazan. Natën e dytë, atë të 19 shtatorit 1946, operacioni i minimit u krye me sukses, pasi artileria bregdetare e Kepit të Qefalit u njoftua për kalimin e anijeve.

2Nga sa më lart duket se, operacioni i minimit të Kanalit të Korfuzit nga marina jugosllave është realizuar në mbrëmjen e datës 19 shtator 1946 nga tre anije: dy minaheqëse të Klasit Malinska, Mljet dhe Meljine, si dhe një anije e tretë, minahedhëse, e cila kishte në bord 100 mina detare. Kjo nënkupton se, përgatitja për minimin është bërë në dy faza: përgatitja e anijes minahedhëse dhe më pas e dy minaheqëseve, veprime të pavarura nga njëra tjetra. Hipoteza britanike ka mospërputhje rreth një muaj lidhur me datën e minimit. Ndoshta britanikët kishin informacion jo të plotë dhe përdorën dy dëshmitarë të manipuluar për t’i dhënë besueshmëri hipotezës në procesin gjyqësor.

Mbasi dështuan me dy dëshmitarët jugosllavë në GJND, britanikët bënë një tentativë me tre dëshmitarë shqiptar, Vlash Bushin, Xhemal Kërrniqin, Enver Kruçin, duke inskenuar më 1 qershor 1947 rrëmbimin e motovedetës shqiptare “Mujo Ulqinaku”. Tentativa nuk u realizua për shkak të aktit heroik të marinarit Spiro Kote.  Përfshirja e motovedetës në skenarin britanik për arratisjen e tre marinarëve shqiptarë ka mundësi të jetë për shkak të përfshirjen e saj në minimin e Kanalit të Korfuzit.

Kapiteni i I-rë Abdi Mati, nuk rezulton të ketë qenë në Vlorë midis datave 18 dhe 19 shtator 1946.  Po ashtu, Kapiteneria e Portit të Vlorës nuk ishte në dijeni të hyrjes së anijeve jugosllave në Ishullin e Sazanit.  Me shumë gjasa, Abdi Mati ka hipur dhe zbritur në/nga bordi i anijes jugosllave në afërsi të Durrësit duke përdorur një motovedetë ushtarake, ndoshta motovedetën “Mujo Ulqinaku”. Kjo mund të shpjegojë faktin se përse kapter Vlash Bushi, ekuipazh i motovedetës, ishte pjesë e skenarit të arratisjes për të dëshmuar në GJND për Incidentin e Kanalit të Korfuzit në favor të hipotezës britanike.

1

Skema e minimit të Kanalit të Korfuzit dhe analiza e saj

Skema dhe plani origjinal i minimit të Gjirit të Sarandës duhet të jenë në Beograd. Çminimi i Kanalit të Korfuzit mbas incidentit të datës 22 tetor 1946 u realizua nga Marina Mbretërore Britanike në datat 12-13 nëntor 1946 nëpërmjet operacionin e koduar “Retail”. Për çminimin e kanalit u ngarkua Flotilja e 5-të e Minaheqëseve Britanike nën drejtimin e Kapitenit të Rangut të Dytë Whitford. Në përbërje të kësaj flotiljeje për operacionin e çminimit ishin pesë minaheqëset, HMS Byms, HMS Seabear, HMS Skipjack, HMS Truelove dhe HMS Sylvia, të klasit Algerine. Në përfundim të operacionit rezultuan të çminuara 22 mina të Typit EMC (minë kontakti me spirancë) ose sipas klasifikimit britanik, mina GY.

Në datën 20 nëntor 1946 Kapiteni i Rangut të Dytë Whitford dorëzoi raportin e operacionit të çminimit së bashku me hartën shoqëruese. Nga raporti i tij duket qartë se, anijet kanë çminuar mina vetëm në Rrugëkalimin MEDRI, nga kepi i Qefalit deri tek në afërsi të Shkëmbit të Pleshtit (Barketa). Minat u çminuan kryesisht përpara Gjirit të Sarandës dhe në kufijtë e rrugëkalimit MEDRI. Një pjesë e minave ishin pothuajse në një vijë, por një pjesë në formë të çrregullt. Po ashtu, në raportin e tij Kapiten i Rangut të Dytë Whitford bën një vlerësim dhe thekson se, duhet të ketë ende mina në drejtim të Kepit të Qefalit.

Çminimi i Kanalit të Korfuzit është realizuar edhe në vitin 1958 nëpërmjet një operacioni të përbashkët midis Flotës Luftarake Shqiptare dhe Forcave Detare Greke. Operacioni i çminimit të Kanalit të Korfuzit ka vazhduar nga shkurti deri në gusht 1958. Flota Luftarake Shqiptare për këtë operacion krijoi një Grup Çminimi, në përbërje të të cilit ishin Minaheqësja e Radës 333 dhe 335 të Projekt 255К, prodhuar në ish Bashkimin Sovjetik dhe ardhur në Shqipëri në vitin 1957, si dhe një Katër Rade. Drejtues i operacionit për palën shqiptare ishte Kapiten i Rangut të Parë Abdi Mati, Shefi i Degës së Flotës pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

Palët ndanë Kanalin e Korfuzit në zona çminimi. Flota Luftarake Shqiptare kishte për detyrë të çminonte hapësirën detare pranë bregdetit shqiptar, duke nisur nga Gjiri i Ftelias deri tek Kepi i Kavadonit (Palermo).  Në përfundim të operacionit Flota Luftarake Shqiptare çminoi vetëm katër mina, të cilat u zbuluan me sy në bregdet: një në Gjirin e Ksamilit, një diku ndërmjet Gjirin të Limionit dhe Kepit të Qefalit, dy ndërmjet Plazhit të Qeparoit dhe Gjirit të Palermos. Minat ishin të po të njëjtit tip (GY ose EMC) të njëjta me ato të çminuara nga britanikët më 12-13 nëntor 1946.

Në vitin 2008 gjatë vëzhgimit në jug të Shqipërisë, Ekspedita Arkeologjike Amerikane, zbuloi dy objekte në Kepin e Qefalit, në thellësinë rreth 70 m. Mbas dërgimit të Mjetit Nënujor të Lëvizshëm u verifikua se objektet ishin mina detare. Minat u filmuan dhe nga ekzaminimi i tyre rezulton se janë po të njëjtit tip (GY ose EMC) të njëjta me ato të çminuara nga britanikët me 12-13 nëntor 1946, por të pa aktivizuara.

Pozicioni relativ i minave të zbuluara dhe çminuara nga britanikët me 12-13 nëntor 1946 tregon se, minimi është realizuar brenda kufijve të rrugëkalimit MEDRI në një gjatësi prej tre milje detare. Pavarësisht shpërndarjes së tyre, duket se kemi të bëjmë me një vijë me mina në formë harku, i cili shtrihet nga Kepi Paladha deri tek Kepi Denta.

Nga pikëpamja teknike një operacion i vendosjes së minave nuk është i komplikuar. Elementët më të vështirë gjatë një operacioni për vendosjen e minave detare janë përgatitja e tyre, masat e sigurisë dhe sidomos ruajtja e fshehtësisë së tij. Faza e fundit e minimit nuk kërkon shumë kohë. Dhe vetë lundrimi nëpër rrugëkalimin MEDRI, me sa duket ka shërbyer për të mbajtur të fshehur të gjithë këtë operacion.

Vija me mina e zbuluar përpara Gjirit të Sarandës, mbas çminimit britanik të datave 12-13 nëntor 1946, ka një përputhje logjike me planin shqiptaro-jugosllav për minimin e bregdetit shqiptar të paraqitur nga Z. Milo “në tre zona bregdetare: Sarandë, Himarë dhe Borsh, si dhe konspiracionin e lartë për përmbushjen e operacionit”. Deri sot janë zbuluar 30 mina detare të tipit GY në Gjirin e Sarandës. Vetë vija me mina e skicuar mbas çminimit të britanikëve, përfaqëson një vijë të lakuar paralel me Gjirin e Sarandës, sipas shtrirjes së rrugës MEDRI. Duhet theksuar se, një vijë e tillë nuk përbën pengesë për kalimin nëpër rrugëkalimin MEDRI, por pengon një zbarkimi të mundshëm në Qytetin e Sarandës.

Enigma e anijes së mbytur në Kanalin e Korfuzit

Në vitin 2008 gjatë vëzhgimit në jug të Shqipërisë, Ekspedita Arkeologjike Amerikane, zbuloi dhe filmoi një objekt nënujor në Kanalin e Korfuzit (përball Gjirit të Butrintit), i cili rezultoi të ishte një anije. Fillimisht u mendua se mund të ishte minaheqësja Britanike HMS Regulus, e cila u mbyt nga një minë më 12 janar 1945 gjatë kthimit për në Portin e Korfuzit. Më pas u vërtetua se HMS Regulus është mbytur në jug të Kepit të Stillos, ndërsa objekti i gjetur është në veri të tij. Është interesante se pranë anijes gjenden shumë mina të tipit gjerman EMA të ndryshme nga ato të Incidentit të Kanalit të Korfuzit.

Mbas shqyrtimit të videos së anijes, u pa qartë se anija është një anije e periudhës gjatë ose pas Luftës së Dytë Botërore. Është e çuditshme por, deri më sot asnjë shtet nuk e pretendon atë. Anija e mbytur në Kanalin e Korfuzit (përballë Gjirit të Butrintit) nuk provohet të ketë lidhje me incidentin e datës 22 tetor 1946, por prezenca e saj në afërsi të rajonit dhe mungesa e pretendimit nga ndonjë shtet, të bën të dyshosh. Fakti që, gjatë minimit të Kanalit të Korfuzit nuk kanë qenë vetëm dy minaheqëse, por edhe një anije tjetër minahedhëse me kapacitete për akomodimin e 100 minave detare, të cilës nuk dihet fati, të bën të dyshosh se anija e mbytur në Gjirin e Butrintit mund të ketë lidhje me minimin e Kanalit të Korfuzit, për më tepër që pranë saj gjenden disa mina gjermane. Ndoshta e vërteta gjendet në fund të detit në Kanalin e Korfuzit.

Nëse do të pranonim këtë hipotezë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë përfaqëson kjo anije. Sot kemi vetëm një video me pamje të pjesshme të anijes, pasi Ekspedita Amerikane ndërpreu filmimin dhe tërhoqi robotin në momentin që identifikoi minën. Nga pamjet filmike vërehet se, anija është mbytur në thellësinë 54 m, e anuar në njërin krah. Direku i saj arrin thellësinë 10 metër. Ai është i dyfishtë dhe në krye ka një “T” të mbushur. Kjo të lë të dyshosh se kemi të bëjmë me anije tregtare të modifikuar për hedhje minash.

Në vitin 1946 Marina Jugosllave kishte kapacitete të kufizuara për hedhje minash me minaheqëset e klasit “Malinska”. Tre dragaminat në inventar kishin së bashku kapacitet deri në 90 mina. Ato dolën nga armatimi në vitin 1968. Në atë kohë, në përbërje të Marinës Jugosllave e vetmja anije e cila mund të akomodonte 100 mina ishte minahedhësja “Pionir”, më vonë “Zelengora”, e modifikuar për këtë qëllim dhe që ka dalë nga armatimi në vitin 1962.

Plane dhe kundërplane

Incidenti i datës 15 maj 1946, kur dy luftanije britanike u goditën me artileri nga bregdeti shqiptar duke kaluar në rrugëkalimin MEDRI, i cili pasoi me pezullimin e kalimit paqësor, vuri në diskutim prestigjin e Marinës Mbretërore Britanike, si dhe të vetë Britanisë së Madhe. Mbas këtij incidenti, Komanda Detare e Mesdheut pezulloi përkohësisht kalimin në Kanalin e Korfuzit por, më 21 Shtator 1946, Admiraliati Britanik në një letër drejtuar Admiral Willis, Komandantit Detar të Mesdheut, i shkruante se “Do të dëshironim të kishim informacion nëse ndonjë nga anijet tuaja ka kaluar nëpër Ngushticën e Kanalit të Korfuzit qysh nga Gushti, dhe nëse jo kur keni planifikuar ta bëni këtë qjë së shpejti?”. Përgjigjja ishte e menjëhershme “deri tani ende jo, por parashikojmë ta bëjmë një gjë të tillë me H.M.S. Mauritus dhe H.M.S. Leander, ….në datën 22 Tetor 1946”. Pra Komanda Detare e Mesdheut, jo vetëm kishte filluar planizimin, por kishte përcaktuar edhe anijet pjesëmarrëse dhe datën e kalimit.

Në datën 5 tetor 1946, kundëradmirali Kinahan, Komandant i Skuadronit I-rë të Kryqëzorëve të Flotës së Mesdheut, nxori Urdhrin Operacional XCU (Exercise Corfu), i cili u modifikua me Urdhrin XCU ONE të datës 13 tetor 1946. Qëllimi ishte “për të testuar reagimin e shqiptarëve ndaj notave diplomatike të dërguara, duke përdorur në datën 22 tetor 1946 Kanalin e Veriut të Korfuzit”.

Të gjitha veprimet britanike u bënë në fshehtësi të plotë dhe plani parashikonte mundësinë e goditjes së anijeve nga toka me artileri bregdetare. Në rast goditjeje të anijeve britanike, plani parashikonte që “Ekuipazhet duhet të jenë në gadishmëri për të vepruar me armatim gati për të hapur zjarr në kohën më të shkurtër” dhe “Nëse bateritë shqiptare hapin zjarr, (……) Kryqëzorët të hapin zjarr në pozicionet e baterive sapo t’i kenë identifikuar ato duke përdorur vëzhgimin me avion”. Plani operacional XCU nuk merr në konsideratë mbrojtjen nga minat në Gjirin e Sarandës, fakt që provon se Komanda e Skuadronit I-rë të Kryqëzorëve të Flotës së Mesdheut nuk dyshonte aspak se Kanali i Korfuzit (Gjiri i Sarandës) ishte minuar qysh një muaj më parë.

Gjatë procesin gjyqësor në GJND, Britania e Madhe nuk i dorëzoi këto dokumente (XCU dhe XCU ONE) dhe përfaqësuesi i saj u justifikua duke deklaruar se dokumentet “përbënin sekret të Marinës Mbretërore”. Po ashtu gjatë proçesit gjyqësor dëshmitarët britanikë nuk pranonin t’u përgjigjeshin pyetjeve që lidheshin me inicialet XCU.

Prokurori i Përgjithshëm i Britanisë Sir Hartley Shawcross kishte bindjen se Plani XCU dhe shtojca XCU ONE nuk ishin plane kontigjence. Në një letër drejtuar Kryeministrit Britanik Attlee ai shprehet se “operacioni i flotës britanike në 22 tetor të 1946 nuk ishte një kalim paqësor siç pretendonte flota britanike, por një operacion i mirë menduar, mirë organizuar dhe mirë ekzekutuar deri në çastin fatal, kur anijet ranë në mina” . 

Nga pala tjetër, duket se fillimet për planizimin e një operacioni minimi të Gjirit të Sarandës kishin nisur mbas takimit të Enver Hoxhës me Titon më 19 gusht 1946. Pavarësisht dëshmive kundërshtuese, ishte kërkesa e palës shqiptare apo propozim jugosllav, ashtu siç edhe është shprehur Mehmet Shehu, duket se ky ka qenë propozim i Titos. Pavarësisht cila është e vërteta, shpejtësia e planizimit dhe ekzekutimit të operacionit të minimit të lë të dyshosh se njëra nga palët (më e mundshmja jugosllavët) kishin informacion mbi planet britanike, për kalimin e tyre në rrugëkalimin MEDRI ose arsyetuan se kjo do të ndodhte. Duket se zbulimi ushtarak jugosllav ishte një hap para atij britanik.

Planizimi dhe zbatimi i operacionit të minimit u bë në fshehtësi të plotë, aq sa britanikët nuk kishin asnjë informacion. Në momentin e rënies në minë të HMS Saumarez, Admirali Kinahan, Komandant i Skuadriljes së I-rë të Kryqëzorëve u gjend plotësisht i befasuar, aq sa urdhëroi prishjen e formacionit kolonë të anijeve, duke i bërë ato edhe më të ekspozuara ndaj rrezikut nga minat. Plani operacional i minimit është hartuar në Komandën e Marinës Jugosllave (Split), pasi ata ishin edhe zbatuesit e tij. Kjo ndoshta është edhe arsyeja pse Mehmet Sheu kur iu referohet personave në dijeni në Jugosllavi, përmend Shefin e Shtatmadhorisë Jugosllave, si dhe “detarët”. Ky plan me siguri të lartë duhet të jetë ende në arkivat e Beogradit. Por, prova të besueshme duhet të ketë edhe në arkivat shqiptare. Një pjesë e madhe e dokumentacionit mbi Incidentin e Kanalit të Korfuzit, edhe sot mbas 70-vjetësh vazhdon të jetë i klasifikuar “tepër sekret” dhe ekspozimi i plotë apo i pjesshëm i tyre për publikun përbën shkelje ligjore.

Konkluzione 

Minimi i Kanalit të Korfuzit (Gjirit të Sarandës), tashmë pa asnjë dyshim, është bërë nga tre anije të Marinës Jugosllave në mbrëmjen e datës 18 ose, më e mundshmja më 19 shtator 1946. Veprimet luftarake duket se kanë qenë të planëzuara shumë mirë dhe tejet të detajuara.  Kjo nuk mund të ndodhte pa pjesëmarrjen dhe asistencën e një ushtaraku shqiptar. Po ashtu, masat e sigurimit të personelit, sidomos masat për sigurimin e mosrrjedhjes së informacionit kanë qenë në shkallën më të lartë.

Pezullimi i të drejtës së kalimit paqësor të anijeve të luftës nga Qeveri e Shqipërisë më 21 maj 1946 nëpër detin e saj territorial dhe minimi i Gjirit të Sarandës nga marina jugosllave me dijeni të Qeverisë Shqiptare, pavarësisht humbjeve njerëzore dhe materiale që iu shkaktua Britanisë së Madhe, nuk fajëson Qeverinë e Shqipërisë. Politikisht këto veprime të Qeverisë Shqiptare mund të jenë të diskutueshme, por nga pikëpamja juridike me këto veprime Shqipëria nuk ka shkelur asnjë normë zakonore apo të kodifikuar të së drejtës ndërkombëtare.

Më 22 tetor 1946, Britania e Madhe cënoi sovranitetin e Shqipërisë nëpërmjet një operacioni ushtarak të qëllimshëm, paramenduar dhe të mirëplanizuar, me karakteristika të dukshme kërcënuese, duke hyrë në detin e brendshëm dhe territorial të Shqipërisë, në kushtet kur ajo vetë kishte humbur statusin e neutralitetit. Këtë fakt e ka pohuar dhe Prokurori i Përgjithshëm i Britanisë së Madhe Sir Hartley Shawcross, i cili ndërsa ishte duke mbrojtur në mënyrë të shkëlqyer Britaninë e Madhe në GJND, në Hagë, i shkruante Kryeministrit Attlee: “Siç shihet, ne mbajmë dyshime të mëdha në lidhje me drejtësinë që është duke u bërë, të cilat ne vetëm mund të justifikojnë me parimin “vendi im …. drejtë apo gabim, është vendi im”. Ne të gjithë mendojmë se ne duhet të insistojnë që rrethana të tilla si këto nuk duhen lejuar të përsëriten.”

Incidenti i Kanalit të Korfuzit ka nevojë ende të studiohet dhe të zbardhen të gjitha të vërtetat dhe arsyet që e shkaktuan atë me qëllim që siç shprehet edhe Sir Hartley Shawcross, ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Tanimë pas 70-vjetësh, është hedhur shumë dritë mbi këtë ngjarje, falë edhe hapjes për publikun të dokumenteve britanike. Është koha që edhe shteti Shqiptar të bëjë një gjë të tillë.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë rivendosur 25 vjet më parë dhe sot Britania e Madhe është një nga partnerët dhe aleatët kryesorë të Shqipërisë. Pesha e Incidentit të Kanalit të Korfuzit nuk duhet në asnjë rrethanë të ndikojë këto marrëdhënie. Qeveria Britanike çdo përvjetor jubilar të 22 tetorit 1946 përkujton 45 detarët që humbën jetën në këtë incident nëpërmjet një ceremonie zyrtare në varrezat e tyre në qytetin e Korfuzit. Do të ishte në nderin tonë dhe një akt paqeje shpirtërore dhe humanizmi kombëtar që, në një përvjetor të tillë në të ardhmen edhe shteti shqiptar të nderonte marinarët britanikë që dhanë jetën në ujërat shqiptare gjatë Incidentit të Kanalit të Korfuzit më 22 tetor 1946. Armiqësia është produkt i politikës, ushtarakët i shërbejnë asaj në përmbushje të detyrës ndaj atdheut.

Fund/Gazeta Dita/

SHKARKO APP