Swinton dhe Gyllenhaal ambientalistë në “Okja”

Shfaqja e filmit “Okja” të rrjetit “Netflix” në Festivalin e Kanës u ndërpre në minutat e para të transmetimit për shkak të një problemi teknik. Filmi, ku interpretojnë dy emra të njohur të “Hollywood”-it, Tilda Swinton dhe Jake Gyllenhaal, ishte shoqëruar në çelje me fërshëllima nga një pjesë e audiencës, kur që në fillimin e tij, në ekran u shfaq logoja e “Netflix”-it. Pas kësaj nisi ngadalë të vërehej se diçka nuk ishte në rregull me të. “Okja” është rrethuar me polemika të mëdha, për shkak se kompania amerikane e argëtimit ka refuzuar ta shfaqë në kinematë franceze. Në zemër të konfliktit qëndron një ligj, i cili kërkon përqindje nga fitimet në kinema, DVD, video të prodhura me porosi, si dhe të ardhura televizive apo “streaming”. Gjiganti amerikan nuk deshi të ishte pjesë e sistemit francez dhe një pjesë e industrisë vendase të filmit mbeti e fyer nga qëndrimi i tij. Në një konferencë për shtyp në mënyrë diplomatike regjisori  koreano-jugor Bon Joon-ho komentoi “Unë jam i kënaqur, kështu publiku ka parë fillimin e filmit dy herë. E kam adhuruar të punoj me Netflix, më kanë mbështetur në të gjithë projektin , edhe pse me një buxhet shumë të rëndësishëm: kam patur të gjithë lirinë në çdo fazë të punës dhe për këtë duhet t’u jem atyre mirënjohës”, nënvizoi regjisori. Ai shtoi se “jam një fans i kryetarit të jurisë Pedro Almodovar, prandaj është emoicion të mendosh se do të shikoj filmin tim dhe do të flas për të, ndoshta mirë ose keq”. Edhe Tilda Swinton, që është edhe producente e filmit ndërhyn mbi këtë polemikë”: “Presidenti i jurisë ka të gjithë të drejtën të bëjë deklaratët e tij, ne nuk kemi ardhur në festival për çmimet, kemi ardhur të shfaqim filmin, duke pasur mundësinë e mrekullueshme dhe privilegjin që mund ta projektojmë në ekranin e madh”. Ndërsa aktorja e re koreane An Seo Hynn u shpreh se, “para se të filloja kete film haja shumë mish derri, pastaj në farë mënyre u përfshiva nga personazhi im dhe sot nuk jam shumë mishngrënëse si më parë”. Filmi koreano-jugor i zhanrit aventurë rrëfen historinë e një vajze të quajtur Mija, e cila përpiqet të parandalojë rrëmbimin e mikut të vet më të mirë, një derri të madh me emrin “Okja”, nga një kompani shumëkombëshe. Filmi do të jetë i disponueshëm në plaformën Netflix nga 28 qershori. Në deklaratën e nxjerrë nga organizatorët e Festivalit të Kanës thuhet se, përgjegjësinë e plotë për incidentin e mban shërbimi teknik i festivalit, i cili i ka paraqitur apologjinë e tij regjisorit, producentëve dhe publikut.

SHKARKO APP