Talebanizmi qeveritar
Nga Leonard Olli
Në të gjitha rastet kur ekstremistët fetarë kanë pasur nën zotërim territore, si për çudi kanë patur, ndër të tjera, edhe një element përbashkët: shkatërrimin e çdo objekti që përbënte trashëgimi shpirtërore e kulturore. Nga Afganistani, Iraku e Siria, e vende të tjera, me mijëra objekte të vlerësuara ndërkombëtarisht, u shkatërruan apo u hodhën në erë me lëndë eksplozive. Në Shqipëri ky talebanzëm, në nivel shtetëror u shfaq që në kohën e komunizmit, ku qindra objekte kulti, një pasuri e jashtëzakonshme e trashëgimisë shpirtërore e kulturore e Shqipërisë u rrënuan në mënyrë demonstrative, ndërsa më qindra të tjerë u lanë të rrënoheshin nga koha.
Talebanët rilindistë nuk mund të ishin ndryshe. Trashëgimia dhe identiteti shqiptar ndër vite u heq mundësinë të provojnë teorinë talebaniste se historia fillon me ta, ekzaktësisht si paraardhësit e tyre talebanë që pushtuan Shqipërinë në vitin 1945. Godina e Teatrit Kombëtar mund të mos ishte e përsosur nga këndvështrimi arkitektonik, por pa as më të voglin dyshim ishte historia e artit skenik shqiptar, historia e diktaturës kur në atë sallë u dënuan me qindra intelektualë më vdekje, historia shpirtrave që kërkonin pak dritë në epokën e errësirës komuniste e ajo sallë ofroi jo pak herë emocione pa fund, nga kolosët e artit skenik shqiptar. Në fakt, që në vitet 1920, fqinjët tanë u përpoqën të na paraqisnin përpara botës si një komb i prapambetur e të paaftë të vetëqeverisemi, e prandaj nuk duhet të ekzistonim si një shtet i pavarur. Konica dhe intelektualë të tjerë të shquar kanë patur kurajon të vënë në dukje të gjitha defektet që kemi në mentalitetin si komb, gjë që e vlerësoj maksimalisht pasi kjo na ndihmon të vetëkorrigjohemi e të ecim përpara, por personalisht kam besuar se shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një komb i shkëlqyer, por në jo pak raste kanë prodhuar dhe u kanë besuar elitave tradhëtare talebaniste që kanë çuar ujë në mullirin e armiqëve më të egër të kombit të tyre. Qeveria talebanisto-rilindiste nuk ka bërë asgjë më shumë e asgjë më pak se të ecë në këtë drejtim dhe jo pa dashje. Kur territori i vendit tënd konsiderohet plaçkë lufte se fitova betejën (a thua se zgjedhjet janë luftë me armiqtë e kombit) atëhere mentaliteti dhe format e veprimit janë ekzaktësisht si ato të një pushtuesi, nuk kanë absolutisht asnjë ndryshim. Mjafton të shohësh çdo hap të kësaj qeverie nga dita që erdhi në pushtet (pra që pushtoi Shqipërinë) e deri më sot. Hedhja në erë e godinës së Teatrit Kombetar ishte vetëm plaçka e rradhës që u grabit. Është deklaruar herët nga kryetalebani se nuk kemi parë gjë akoma…. Sikundër thonë të moçmit e keqja nuk ka fund! Vetëm një gjë është e sigurtë që talebanët tanë na paskan ngritur një kuadër ligjor si të ishim Danimarkë, por ne të pagëdhendurit nuk jemi ende të aftë të kuptojmë… Pushtuesit e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë, po ne të pushtuarit???!!!