Teatri Kombëtar hap konkursin për sezonin e ri artistik

Teatri Kombëtar ka hapur thirrjet për projekt propozimet për sezonin e ri artistik 2017-2018. Ftesa i drejtohet gjithë regjisorëve që kërkojnë të vendosin një vepër në skenën e teatrit përgjatë vitit në vijim.

“Teatri Kombëtar njofton të gjithë regjisorët shqiptarë që duke filluar nga data 01.06.2017 deri më 20.06.2017 të paraqesin pranë sekretarisë së Teatrit Kombëtar propozimet e tyre për sezonin artistik 2017-2018.

Propozimet e tyre duhet të jenë të shoqëruara me: Tekstin origjinal ose të përshtatur të veprës artistike. Teksti duhet të jetë i printuar ( Një kopje) dhe të dërgohet në versionin elektronik në adresën zyrtare: info@teatrikombetar.gov.al).Sinopsin e veprës artistike, shoqëruar me një koncept-ide mbi imazhin regjisorial (jo më tepër se 2-3 faqe A4).

Një përfytyrim paraprak mbi shpërndarjen e roleve të veprës artistike. Një përllogaritje të përafërt mbi buxhetin e veprës artistike (shpenzime skenografie, shpenzime kostumografie, elementë të tjerë të domosdoshëm). Ndërkohë Teatri ka nisur leximet publike për “Netët e leximit të dramës shqipe 3”.

Vepra e parë që u lexua ishte “Prostituta” nga Leka Bungo. Lexuan aktorët: Gladiola Harizaj, Laert Vasili,Leka Bungo,Karafil Shena. Vepra e dytë, që u lexua ishte “Tag” nga Bashkim Hoxha. Lexuan aktorët: Karafil Shena, Olta Daku,Helidon Fino, Genti Deçka, Laert Vasili,Luli Hoxha, Besmir Bitraku,Elia Zaria, Klodian Hoxha,Elidon Alikaj,Delvis Bejleri, Engjëll Hoxha. Veprat e tjera të selektuara për “Netët e leximit të dramës shqipe 3”, janë ”Eksperimenti” me autor Agush Mulliqi, “Duke pritur Gobon” Armando Bora, ”Mea Culpa” me autore Diana Çuli, « Ingranazhi fantastik» Erjon Kame, “Na vodhën nënën” Ilir Bezhani,”Kandili i Argjendit” Martin Camaj ,”Pengu” Saimir Gongo, “Fisnikët” Ylljet Aliçka.

“Veprat e selektuara janë ato tekste që sipas perceptimit të TK-së i shkojnë më shumë për shtat repertorit të institucionit. Kuptohet , Teatri Kombëtar do të donte ti lexonte të gjitha veprat, si një kontribut për zhvillimin e dramës shqipe, por duke patur parasysh infrastrukturën e institucionit nuk e ka të mundur”, thuhet në një njoftim zyrtar të Teatrit Kombëtar.

SHKARKO APP