Teodor Laço, një intelektual që do t’i mungojë shoqërisë
Nga Kristaq Balli/Në dt. 15 Tetor 2016, pas një sëmundjeje të rëndë u nda nga jeta shkrimtari dhe intelektuali i shquar shqiptar Teodor Laço.
Ai lindi në Dardhë në vitin 1936 në një familje emigrantësh patriotë.
1958 – Kreu Institutin e Lartë Bujqësor, fakulteti Agronomi, Tiranë.
1958 -’64 – Punoi si specialist në Seksionin e Bujqësisë të K. E. Korçë dhe arsimtar në Bilisht e Korçë.
1964 -’70 Përgjegjës i sektorit të duhanit në N.SH.G., Korçë
1970 -’75 Punoi në sektorin e letërsisë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Tiranë.
1975 -‘ 82 Qarkullon në Teatrin “Bylis” të Fierit.
1986 -1992 Përgjegjës i redaksisë së filmit dhe drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”
1990 – Është një nga kritikët konsekuentë të politikave kulturore e artistike të kohës.
1991 – Njëri nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate e nënkryetari i saj.
1992 – Zgjidhet deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PSD.
1994 – Shkëputet nga PSD për arsye politike.
1994 – 1997 Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
1995 – Bëhet themeluesi i Partisë Bashkimi Socialdemokrat që, më vonë, mori emrin Partia Bashkimi Liberaldemokrat. Për 10 vjet është kryetar i saj. Prej vitit 1997 kjo parti bën pjesë në parlament.
1997-2005 Zgjidhet deputet në parlament, kryetar i grupit parlamentar liberaldemokrat, anëtar i komisionit të jashtëm, më pas i atij të medias, punës e çështjeve sociale.
2006-2008 – Është ambasador i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse.
Në veprimtaritë shoqërore ka qenë kryetar i LSHA, dega Korçë, anëtar i forumeve drejtuese të LSHA, anëtar i kryesisë së shoqatës së Atlantikut, etj.
Që në rininë e hershme është marrë me krijimtari letrare, të cilën e lëvron edhe sot. Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të njohur e më prodhimtarë shqiptarë, i cili ka shkruar në shumë gjini e zhanre letrare si tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë, si dhe publicistikë politike e social-kulturore, të cilat e kalojnë numurin 50. Një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në antologji në Francë, Britani, Itali, Rusi, ShBA, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Kosovë, etj. Shumë prej veprave të tij kanë fituar çmime e vlerësime të larta letrare në konkurse kombëtare.
Është “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.
Mban “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë” dhe “Çmimin e Republikës”
Eshtë kryetar nderi i Shoqërisë Dardhare “Shpresa.
Vdekja e Teodor Laços është humbje e një personaliteti të shquar shqiptar që ka lënë gjurmë të thella në jetën artistike e politike të shoqërisë shqiptare, të cilat do të mbeten si kontribute të pashlyeshme edhe për brezat e ardhshëm.