Ushqimet e duhura për të infektuarit me COVID/ Dietologia tregon çfarë duhet të hamë për çdo vakt
Ndërsa jemi në një periudhë pandemie, ku imuniteti është më i rëndësishëm se kurrë për të luftuar virusin, është mirë të dimë edhe ushqimet që duhet të konsumojmë, sidomos për ata që tashmë po luftojnë me “armikun” e padukshëm.
Dietologia Blerina Bombaj, në një lidhje për emisionin “Ftesë në 5”, ka treguar se çfarë duhet të konsumojnë personat e sëmurë me COVID në çdo vakt dhe çfarë duhet të shmangin, në mënyrë që trupi ta luftojë më shpejt virusin.
“Në mëngjes është mirë të shmangim sheqernat, e mira është një fletë bukë integrale, pak djathë dhe vezë, është një mëngjes i ushqyeshëm, krahas një lëngu portokalli, apo lëng frutash të pasur në vitaminë C që është një nga elementët kyç që organizmi i njeriut nuk e prodhon dot vetë. Në momentin që trupi lufton me një virus, vitamina C harxhohet shumë ndaj duhet të kemi kujdes.
Më pas mund të konsumojmë kos me hudhër, vakt për në mes të ditës, po flasim me persona me COVID. Por mund të marrim edhe arra dhe fruta të thata. Në vaktin e drekës e mira është të marrim vaj ulliri dhe mish pa dhjamë.
Gjoksi i pulës dhe peshku që na japin zink, shumë i rëndësishëm. Këtë vakt do ta marrin me një sallatë me perime jeshile, të freskëta apo pak të gatuara i brokoli. Makaronat integrale, orizi integral, bizelet dhe patatet. Darka të jetë një supë kungulli, apo kërpudhash, supa të ngrohta që janë një burim i mirë proteinash dhe të mos harrojmë çajrat dhe hidratimin dhe personat që janë në terapi me kortizonikë dhe antibiotikë, të marrin probiotikë dhe sa më pak kripë”, tha dietologia.