Vdes në moshën 88-vjeçare aktori që interpretoi Batmanin

Aktori, i cili i dha jetë personazhit komik “Batman” në televizionin amerikan, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare në Los Anxhelos, njoftoi dje familja e tij. Adam Uest vdiq i rrethuar nga të afërmit dhe familjarët e tij pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e leuçemisë, bëhet e ditur sipas njoftimeve të mediave amerikane, që citojnë një zëdhënës të familjes. “Babai ynë e konsideronte gjithmonë veten si ‘kalorësi i zi’ dhe aspironte të ndikonte pozitivisht në jetët e adhuruesve të tij. Ai ishte dhe do të jetë gjithmonë heroi ynë”, thuhej në një deklaratë për shtyp e cituar nga revista “Hollywood Reporter” dhe media të tjera amerikane. Seriali televiziv “Batman” u shfaq për herë të parë në televizionin amerikan në vitin 1966, duke u shndërruar në një program tepër popullor. Aktori Adam Uest e pati të vështirë të gjente sërish punë pas anulimit të serialit. Vonë në karrierën e tij ai pranoi të merrte një rol dublimi në komedinë e famshme të animuar “Family Guy”.

SHKARKO APP