Viti i “De Gol” mbyllet pa audiencë për shkak të COVID -19
Nga Mentor HOXHA (Paris)-
Viti 2020 ishte shpallur “Viti i de Gaulle” në Francë për të përkujtuar themeluesin e Republikës së Pestë Franceze dhe një ndër figurat më të shquara historike, jo vetëm të Francës, por dhe të botës së shekullit të XX, Gjeneralin legjendar, Sharl de Gol (Charles De Gaulle). “Viti i De Gol” u shpall për 50 vjetorin e vdekjes e De Gol, për ditëlindjen e tij të 130-të dhe për apelin e 18 qershorIt 1940 që Gjenerali u drejtoi francezëve 80 vjet më parë. Për shkak të Covid -19, “Viti i De Gaulle” u zhvillua në një atmosferë të pazakontë, pa ndonjë shkëlqim të veçantë dhe pa audiencë të madhe, siç meritonte figura më e famshme e kombit heroik francez. Në cermoninë e 9 nëntorit që përmbylli edhe përkujtimet e “Vitit De Gaulle”, mori pjesë vetëm Presidenti, Emmanuel Macron dhe tridhjetë persona, përfshirë anëtarët e familjes de Gaulle. Asnjë fjalim nuk u mbajt dhe mesha e përkujtimit që zhvillohet çdo vit u anulua për shkak të pandemisë.
De Gol, u shua 50 vjet më parë në Colombey-les Deux-Eglises (fshati Haute-Marne) në të cilin kishte dalë në pension. Ai vdiq më 9 nëntor 1970. Pas vdekjes së tij, data 9 nëntor u bë ditë pelegrinazhi për golistë të shumtë. Nga viti 1970, ata mblidhen çdo 9 nëntor pranë varrit të De Gol dhe bëjnë homazhe e luten për shpirtin e tij. Ky pelegrinazhi më 9 nëntor, ishte bërë një ngjarje e pashmangshme që nga vdekja e tij më 1970. Gaullistë të shumtë dhe Presidentët Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozi, e kanë ndjekur në vazhdimësi këtë rit. Preisdenti socialist François Hollande e vizitoi varrin e De Gol në Colombey vetëm një herë gjatë mandatit të tij 5 vjeçar, kurse Presidenti aktual, Macron e ka vizituar dy herë. Cermonia përmbyllëse për 50 Vjetorin e vdekjes së tij, u zhvillua më 9 nëntor në Colombey-les-Deux-Eglises (Haute-Marne) nga një komitet i vogël për shkak të pandemisë. Kreu i shtetit, Macron e nderoi atë më 9 nëntor, në rrjetet sociale dhe gjatë një ceremonie private. I shoqëruar nga gruaja e tij, Brigitte, ai vizitoi La Boisserie, një rezidencë ku Gjenerali pushonte dhe jetoi deri kur vdiq në moshën 79 vjeçare. Më pas, Makron shkoi te varri i De Gol, përpara se të kryesonte një cermoni ushtarake në këmbët e kryqit të madh të Lorenës (simbol i Rezistencës) i ngritur aty afër. Macron nuk mbajti asnjë fjalim, por u mjaftua me një prononcim në twitter, i cili përmbante një video me fragmente nga fjalimi i gjeneralit: “Qëndrueshmëri dhe vullnet. Kjo frymë u mishërua nga Charles de Gaulle. I përkushtuar ndaj Francës në kohë dhimbjesh si në ato të lavdisë. Kjo frymë është një trashëgimi, ajo e Francës”. Në këtë video, Macron nënvizon se Gaulle kishte “një besim të patundur në fatin e Francës. Na tregon se Franca është e fortë kur qëndron e bashkuar”. Përmes këtij mesazhi, Macron përpiqet të marrë frymëzim nga periudha aktuale e de Gaulle, i cili vazhdon të mishërojë diçka në sytë e francezëve, gjë që e dëshmon edhe seriali mbi Gjeneralin në France 2, i parë nga pesë milion shikues. Më 9 nëntor, Presidenti ishte edhe në shtëpinë e familjes De Gaulle në Colombey-les-Deux-Eglises, kur shkruajti këtë tekst në librin e miqve: “Pesëdhjetë vjet më vonë”, kujtimi i gjallë i Gjeneralit de Gaulle mbetet një burim frymëzimi për Kombin tonë, Republikën tonë”. Ky udhëtimi i Presidentit në Haute-Marne shënoni dhe fundin e kremtimeve të “Vitit të Gaulle”.
Vepra e Sharl De Gol, vazhdon të jetë frymëzim për brezat e sotëm, një referencë politike dhe një udhërrëfyes për politikanët e të gjitha ngjyrave ideologjike brenda dhe jashtë Francës. Ideologjia politike “Gaullism”, vazhdon të ketë ndikim të madh në politikën franceze edhe në ditët e sotme. Emri e vepra e tij janë të lidhura ngushtë me historinë franceze të viteve ’30-’60-të të shekullit XX. Edhe tani, gjysëm shekull nga vdekja, figura e tij, jo vetëm që nuk është zbehur, por është bërë akoma më e dashur për Francën dhe për francezët. Çdo vit që kalon e lartëson më shumë figurën e tij. Sondazhet e rendisin si figurën më të madhe në historinë e Francës, dhe si një nga personalitetet më të dashura të kombit francez. De Gol është njeriu që i shërbeu Francës në vitet më të vështira dhe më të lavdishme të saj. Ai ishte burrë shteti, gjeneral, organizator dhe drejtues i Rezistencës Antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1944) dhe fitues i kësaj lufte. Është themeluesi i Republikës së Pestë Franceze dhe një nga drejtuesit më të mëdhj të Francës në vitet e pas luftës. Ai botoi edhe disa libra ku trajtoi me dhjetra çështje ushtarake. De Gol është i pranishëm kudo në Francë. Emrin e tij e mbajnë shumë rrugë dhe disa sheshe e institucione publike. Emri i tij ndodhet në aeroportin kryesor të Parisit dhe në kryqëzimin e trafikut më të ngarkuar të kryeqytetit në rrethin Harkut të Triumfit (Arc de Triomphe), është në tekstet e historisë së shkollave të të gjitha niveleve arsimore. Nuk ka një qytet në Francë pa një rrugë apo shesh pa emrin e tij. Një statujë e tij është vendosur në Champs Élysées dhe është krijuar fondacioni “Sharl de Gol”. I janë ngritur buste dhe statuja, janë shkruar shumë filma dokumentarë, me dhjetra e dhjetra libra brenda dhe jashtë Francës, si dhe janë realizuar disa filma artistikë. Regjisori i njohur, Gabriel Le Bomin, ka realizuar disa dokumentarë dhe filma artistikë për De Gol. Në gjithë dokumentarët e tij që kanë të bëjnë me luftën algjeriane, për Francën e lirë, apo për institucione franceze, por edhe në filmin e tij të fundit “Nos patriotes” (2017) flitet për themeluesin e Republikës së Pestë Franceze, me hijen dhe legjendat e tij. Në filmin e tij “Njeriu i 18 qershorit”, ku rolin e gjeneralit e luan aktori Lambert Wilson, ai përzien historinë e madhe dhe të vogël duke paraqitur dhe burrin dhe babanë. Duke zgjedhur “Njeriun e 18 qershorit”, Gabriel Le Bomin dhe skenaristi i filmit, Valérie Ranson Enguiale, jo vetëm që bënë zgjedhjen e matur për të kufizuar veprimin e filmit në periudhën nga maji deri në korrik të vitit 1940 në një kohë në jetën e tij kur, në moshën 50 vjeç, i brishtë dhe romantik ai dyshoi në fatin e tij. Ngjarjet i japin atij një biografi të shkurtër të një ushtari rebel, por të zhgënjyer nga stafi, bashkëshort i mirë dhe baba i mirë i tre fëmijëve, komandant në luftë dhe burrë shteti vizionar.
U lind më 22 nëntor 1890 në Lille. U diplomua në akademinë më të lartë ushtarake të Francës, Saint-Cyr (1909-1912), akademia më e famshme në atë kohë. Pas diplomimit u emërua toger në një regjiment këmbësorie. Angazhohet në Luftën e Parë Botërore (1914-1918) dhe merr pjesë në Betejën e Verdunit (1916), një nga betejat më të ashpra dhe më vdekjeprurëse. Plagoset dy herë, bie rob në duar e ushtarëve të huaj dhe burgoset. Lirohet në fund të luftës. Pas Luftës, regjistrohet në Ecole Supérieure de Guerre. Më pas emërohet në Këshillin e Lartë të Luftës të Francës. Pas vitit 1940 e deri në maj të 1968-ës kur u dorëhoq nga pushteti është figura qendrore dhe më dominuese ushtarake dhe politike e Francës. Reformatori i Kushtetutës franceze, Themeluesi i Republikës së Pestë, lider i dekolonizimit dhe President i Francës.
Fati e hodhi në anën e duhur të histories, dhe si i tillë ai diti t’u jap zgjidhje imediate problemeve më të vështira politike dhe ushtarake me të cilat u përball që nga viti 1940 kur krijoi në Londër Lëvizjen “Franca e Lirë” e deri në maj të 1969-ës kur u dorëhoq përfundmisht nga posti i Presidentit dhe nga jeta publike dhe u pensionua në fshatin Kolombei le dë Eglizë (Colombey-les-Deux-Eglises), vendi mitik i tij, ku dhe u shua, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme ushtarake dhe politike.
GJENERALI QË ÇLIROI FRANCËN NGA USHTRIA NAZISTE, REFORMATORI I KUSHTETUTËS FRANCEZE DHE ARKITEKTI I REPUBLIKËS SË PESTË
Periudha më e lavdishme e De Gol, mbetet padyshim periudha e Luftës së Dytë Botërore (1940-1944), kur ai organizoi dhe drejtoi Rezistencën antifashiste Franceze deri në fitore. Figura e tij mori përmasa gati mitike në këtë Rezistencë ku u shfaqën aftësitë e tij të rralla si lider ushtarak dhe politik në ideimin, organizimin dhe drejtimin e kësaj Rezistence që i solli Francës lirinë e marrë nga ushtria gjermane e Hitlerit, pas katër vitesh të përgjakshme dhe me shumë martirë. Me emrin e tij lidhen betejat në shkretëtirat e Afrikës, zbarkimi në Normandi, çlirimi e Parisit dhe shumë ngjarje të mëdha ushtarake dhe politike në historinë e Francës të viteve ’30-’60-të të shekullit XX. Ky njeri, kur pa poshtërimin e kombit të tij nga ushtria e pashpirt hitleriane me në krye Hitlerin, nuk e pranoi nënshtrimin dhe dorëzimin ndaj pushtuesit. Në kohën kur nisi lufta midis Gjermanisë dhe Francës, ai drejtonte një brigadë tankesh. Në maj të 1940-ës, emërohet përkohësisht Gjeneral Brigade i Divizionit të IV. Qershori i 1940-ës e vuri Francën dhe kom bin heroik francez në një pozitë mjaft të vështirë, të cilat erdhën nga kapitullimi dhe paraliza e aparatit shtetëror dhe e komandës ushtarake. De Gol nuk u pajtua me kapitullimin, e kundërshtoi marrëveshjen e Qeverisë Franceze me Hitlerin dhe u largua në Londër për të organizuar Rezistencën. Në Londër krijoi më 1940 organizatën politike “Franca e Lirë”, i mbështetur nga kryeministri britanik, Winston Churchill, duke mos u pajtuar kështu me me elitën drejtuese franceze dhe opinionin publik francez që mendonin se nuk mund të luftohet kundër Gjermanisë. Në këtë sfond të errët politik dhe ushtarak në historinë më tragjike të Francës, ai rishfaqet si dritë shpëtimi në sytë e miliona francezëve. Përmes “Radio Londrës”, lëshoi më 18 qershor 1940 kushtrimin kryengritës për kombin e madh francez: “A tous les Francais: La France a perdu une batalle! Mais la France n‘a pas perdu la guerre.” (“Thirrje gjithë francezëve. Franca humbi një betejë! Por Franca nuk ka humbur luftën). Ushtarë, kudo që të jeni, më këmbë!” Me këtë kushtrim të famshëm ai hyri në historinë e lavdishme të Francës. U bë simbol i “Francës së lirë”, simbol i luftës dhe simbol i lirisë së Francës. Ky kushtrim historik, sidomos fraza e famshme “Franca humbi një betejë, por Franca nuk ka humbur luftën”, ka hyrë në fjalorin politik, si një nga thirrjet më kushtruese dhe frymëzuese për popujt e shtypur dhe të pushtuar. De Gol bashkoi në Lëvizjen e tij në Londër elementë dhe grupe antifashiste, si dhe organizoi ushtarë nga kolonitë franceze për të luftuar përkrah trupave aleate. Thirrjes së tij iu përgjigjën me mijra francezë, të cilët nisën aksionet luftarake dhe shpërndarjen e trakteve antifashiste në mbarë Francën, ndërkohë qindra të tjerë shkuan në Londër për t’u bashkuar me Lëvizjen e tij. Në këto momente, kur nga bashkimi rreth frontit antifashist, varej çlirimi nga nazimi dhe fashizmi, De Gol, si drejtues i organizatës “Franca e Lirë” dhe i Komitetit Kombëtar Francez, që kishte atributet e një Qeverie të Përkohshme Franceze në mërgim, arriti të bëjë bashkë të gjithë faktorët politik, shoqëror dhe fetar brenda dhe jashtë Francës. Ai bëri bashkë të majtë e të djathtë, komunistë dhe antifashistë, ndërkohë kundërshtoi dhe demaskoi Qeverinë Franceze të luftës si bashkëpunëtore të fashistëve. Pas shkërmoqjes së Qeverisë Franceze, e njohur si Republika e Katërt në fund të viteve 1950, De Gol u rikthye në Francë nga mërgimi, ndihmoi në formimin e qeverinë, zgjidhet President i Francës në janar të vitit 1959, reformon Kushtetutën dhe krijon Shtetin modern francez, i njohur ndryshe si Republika e Pestë. Nën qeverisjen e tij, Franca u bë një nga vendet më të zhvilluara dhe më të fuqishme ekonomike dhe ushtarake në botë. Lidhjet diplomatike me Shqipërinë nuk i ndërpreu asnjëherë, as kur Shqipëria u izolua nga Perëndimi dhe u bashkua me Bashkimin Sovjetik dhe Bllokun Komunist të Lindjes.
DORËHEQJA, PENSIONIMI NË FSHATLINDJE DHE VDEKJA LARG PUBLIKUT DHE MEDIAVE
…Ndonëse luftoi dhe bëri aq shumë për Francën dhe për kombin francez, në vitet e fundit të pushtetit, sikur u ndje paksa i braktisur nga francezët dhe elita politike franceze. Betejat e shumta dhe të gjata ushtarake dhe politike që zhvilloi për rreth 29 vite me radhë (1940-1969), sikur u zbehtësuan në sytë e qytetarëve francezë, që kërkonin akoma më shumë në aspektin politik dhe ekonomik. Kryengritjet për Pavarësi në Algjeri (koloni franceze) dhe protestat e brenda Francës, sidomos ato të studentëve, e lëkundën kultin e tij politik. Qëndrimi i gjatë në pushtet filloi t’ia largonte shkëlqimin tek qytetarët francez. Të mësuar ndër shekuj me liri dhe beteja politike, francezët kërkonin ndryshm të kursit politik. Shpërthimi i protestave të fuqishme studentore më 1968 e detyruan të dorëhiqet për pak kohë. Shumë shpejt, arriti të rivendosë rendin publik, por pas një viti vendos të largohet përfundimisht nga pushteti dhe nga jeta publike. U dorëhoq nga Presidenca në prill të vitit 1969 pas një beteje mbi reformat politike dhe ekonomike. U vendos në shtëpinë e tij në Colombey-les-Deux-Eglises, ku pati përgatitur fjalimet për krijimin e partisë goliste “Bashkimi për Francën” dhe pati shkruar kujtimet e tij. Nga viti 1969 kur u dorëhoq, e deri kur u shua më 9 nëntor 1970 nga një sulm kardiak në shtëpinë e tij, e kaloi jetën në një fshat të largët dhe të vogël, larg zhurmës publike dhe mediatike. Edhe vdekja e tij, u mor vesh nga francezët një ditë më pas, kur biri i Gjeneralit, Philippe, pasi udhëtoi gjithë natën nga Columbei për në Paris, i dorëzoi në mëngjez Presidentin francez, Pompidu testamentin e Gjeneralit. “Në këtë stinë të trishtë dhe të fundit të jetës së tij, i dëshpëruar, ai do t’u thoshte me pezm miqve më të afërt të tij: “Francezët nuk më duan më. Ata nuk duan të jenë më francezë. Franca e ka mohuar vetveten. E madhe dhembja e Gjeneralit, i cili vetveten, siç duket tashmë, po e kthente në një personazh tragjik”, -shkruan ish ambasadori i Shqipërisë në Francë, Luan Rama në librin e tij “Sharl De Goli – Një Legjendë e gjallë”.
DE GOL: “MË VARROSNI NË FSHAT, NË VARRIM NUK DUA AS PRESIDENT, AS MINISTRA, AS DEPUTETË”
I shkëputur nga jeta publike dhe i dezilizionuar nga elita politike, në vitet e fundit të jetës, De Gol filloi të mendojë edhe për vdekjen e tij, për vendin e varrimit dhe për cermoninë mortore. Ndonëse, ishte i qartë, se vdekja dhe varrimi i tij meritonin një funeral dinjitoz shtetëror, ai nuk e dëshironte aspak një gjë të tillë. Në testamentin që i la të birit, Filipit për Presidentin francez Pompidu dhe që ky i fundit e lexoi një ditë pas vdekjes së De Gol shkruhet:
“Kërkoj që varrimi im të bëhet në Kolombei le dë Eglizë. Varri im të jetë aty ku prehet vajza ime Anë dhe ku një ditë do të prehet gruaja ime. Si mbishkrim: Sharl de Gol, 1890… Asgjë tjetër. Nuk dua funerale kombëtare. Në varrim nuk dua as President, as ministra, as deputetë. Vetëm ushtria franceze mund të marrë pjesë në ceremoni… As muzikë, as fanfara… Refuzoj çdo medalje, dekoratë franceze apo të huaj…”.
Në lidhje me varrimin e De Gol, Luan Rama shkruan: “…Shokët e luftës të Gjeneralit kërkuan menjëherë që ai të varrosej në “Mont Valerian”, pranë Parisit, ose në Pantheon apo Les Invalides. Por Ivona kërkoi të zbatohej dëshira e Gjeneralit: një varr i thjeshtë në Kolombei, pranë Anës, vajzës së tyre. Gjenerali gjithnjë e kishte përbuzur idenë që pas vdekjes trupi i tij të vendosej në Panteon. Sigurisht, ai ishte i vetëdijshëm se gjithë populli do të donte ta vendoste në Panteon, në tempullin e madh të lavdisë franceze. Por, siç dukej, ai kishte zgjedhur atë fshat të humbur, një varr të thjeshtë pranë njerëzve të tij, për të mbetur kështu gjithnjë me ta, në përjetësi. Siç dukej, nuk kishte dashur të ndahej prej tyre. Po, ai e kishte bërë tashmë detyrën ndaj Francës, si një ushtar dhe gjeneral i devotshëm. Kishte bërë Historinë! (Luan Rama, “Viti De Gol në Francë”- Shqiptarët dhe Gjenerali heroik”, Gazeta Shqiptare, 7.04.20)
De Gol është varrosur në varrezat e fshatit Kolombei le dë Eglizë, një fshat me 350 banorë. Varri i tij është i thjeshtë dhe i bardhë ku dallohet veçse emri i tij dhe vitet 1890-1970. Pranë tij, prehen prej vitesh dhe vajza e tij, Ana, e pasuar nga gruaja, Ivona.
Nga dëshirat e shprehura në testamentit, vetëm dy iu plotësuan: varrrosja në Kolombei pranë vajzës dhe pjesmarrja në cermoni e ushtrisë. Dymbëdhjetë të rinj nga fshati Kolombei mbajtën mbi supe arkivolin e Tij, e futën në blindin ushtarak të ushtrisë franceze mbuluar me një flamur dhe e zbritën në varr. Dëshirat e tjera nuk iu plotësuan, pasi ai tashmë i përkiste gjithë Francës dhe kombit francez dhe si i tillë nuk mund të varrosej me një funeral të thjeshtë siç donte ai. Vdekja e tij përloti mbarë Francën dhe u përhap si vetëtimë edhe në botë, ku nuk munguan ngushëllime nga të gjithë liderët e botës, por edhe nga shteti shqiptar. Presidenti francez i kohës, Zhorzh Pompidu, i tronditur vdekja e Gjeneralit iu drejtua kombit francez me fjalët: “Franceze dhe francezë! Gjenerali De Gol vdiq. Franca ka mbetur e ve…”. Në varrimin e tij, morën pjesë mijra njerëz nga e gjithë Franca. Mori pjesë Presidenti dhe kryeministri francez si dhe shumë presidentë, kryetarë shtetesh dhe personalitete të larta botërore. I pranishëm ka qenë edhe ish ambasadori shqiptar në Paris, Javer Malo.