Z. Kryeministër në ikje, Vlora nuk ka nevojë për shfaqje bajate
Magazinë E Shtunë, 14 Nëntor 2020 21:04
Nga Ermal Xhelilaj –
Z. Kryeministër në ikje, Vlora nuk ka nevojë të dukeni në fundjavë si turist i dalldisur për të bërë propagandë, për të treguar barcaleta apo për të inaguruar rrugicat e ngushta të betonizuara në skamje e varfëri të plotë e të boshatisura nga njerëzit që janë detyruar gjatë qeverisjes tuaj ta braktisin këtë qytet të bukur e të bekuar nga Zoti. Vlora nuk ka nevojë për një Kryeministër fasadë që pikturon pallatet e ndërtimet skandaloze e të ngjeshura, që po i marrin frymën vlonjatëve.
Vlora nuk ka nevojë të shpartalloni trotuaret vit pas viti për të hapur tendera abuziv për kompani klienteliste të Qeverisë dhe as të bunkerizoni bregdetin me leje ndërtimi të dyshimta e abuzive. Vlorës nuk i duhet një Kryeministër që ka mbushur administratën publike lokale me militantë, diletantë e njerëz të paaftë që ua kanë bërë të vështirë jetën qytetarëve vlonjatë.
Vlora përtej fasadës e fallsitetit qeverisës gjatë këtyre 8 viteve që keni sunduar e jo qeverisur, jeton në varfëri, me familje që nuk arrijnë të ushqejnë fëmijët e tyre, me bizneset që po falimentojnë përditë, me qendra shëndetësore të rrënuara e sistem social në ditët e tij më të zeza. Vlora nuk ka nevojë për një Kryeministër që bën qoka e propagandon siguri për qytetarët por që në të vërtetë rendi dhe siguria në qytet të kujton Siçilinë e viteve 70. Përtej fasadës propaganduese, lagjet e Vlorës vuajnë për rrugë, ujë të pijshëm, drita, pastërti dhe rend e siguri. Përtej propagandës kryeministrore, zonat rurale te Qarkut vuajnë nga varfëria dhe gëlojnë nga bimët “medicinale” që ju doni t’i legalizoni.
Z. Kryeministër në ikje, kishit mundësinë që Vlorës përtej aeroporteve prej shakaje 3D në lap topin e atij që ju përpilon propagandën qeveritare, t’i ofronit vende pune, sistem social eficent, infrastukture konstruktive e efikase, politika lehtesuese për rigjenerimin e biznesit, taksim eficent e të ndershëm, shkolla e kopshte të reja për brezin e ri, politika inkurajuese e incentiva për turizmin, etj. Ju nuk keni bërë asgjë nga këto. Janë pikërisht këto inisiativa, politika e vendimmarrje që mund t’i japin mundësinë një qeverie për t’u kërkuar vlonjatëve mandatin e tretë. Në kontrast, ajo çfarë Qeveria juaj ka promovuar ka qenë propaganda, kriminalizimi, korrupsioni, arroganca e keqqeverisja.
Koha juaj politike si Kryeministër tashmë ka mbaruar sepse shqiptarët e për më tepër vlonjatët janë të ndërgjegjshëm se në këto 8 vite qeverisjeje keni instaluar një strukturë të dyshimtë amorfe keqqeverisjeje dhe jo një shtet të së drejtës nga qytetarët dhe për qytetarët shqiptarë.