Në emisionin “Të Paekspozuarit”/Drejtimi i Këshillit të Sigurimit, Zogaj: Rama e ekzagjëroi, ishte thjesht spiker!

Preç Zogaj ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për drejtimin e Këshillit të Sigurimit të OKB nga Edi Rama.

Ai e quajti një ngjarje mjaft pozitive për Shqipërinë, por që më pas u ekzagjërua nga Edi Rama, kur u konsideruar si ngjarja më krenare e politikës së jashtme të Shqipërisë. Zogaj tha se Rama ka “sindromën e vitit zero”, duke mohuar arritjet e paraardhësve.

“Mendoj se nuk i takon aktorit të ngjarjes që të bëjë vlerësuesin e ngjarjes, apo gjyqtarin. Rama duhet të ishte më modest. Nëse do ta bënte dikush tjetër këtë vlerësim, do të ishte tjetër gjë, por jo aktori, sepse e zhvlerëson vetë pohimin.

Sigurisht që Shqipëria ka prodhuar shume ngjarje më të rëndësishme, për fatin e vet, jo për performancën e një lideri politik, që i bie rasti të interpretojë një rol që nuk i bie shpesh një lideri të Shqipërisë. I ra kryeminstrit tonë për shkaqet që lidhen me procedurën.

Ngjarje më të mëdha për fatin e Shqipërisë dhe jo për përformancën e personit, ka qenë hyrja e Shqipërisë në NATO. Do të jetë në të ardhmen hyrja e Shqipërisë në BE.  Ka një varg ngjarjesh. Kjo është një ngjarje specifike, nuk do ta quaja ngjarja më e madhe, por është një ngjarje e rrallë, e para në llojin e vet.

Rama në këtë rast është bartës i një stafete që ka nisur herët, që kur ka qenë Partia Demokratike në pushtet, sikurse edhe plot procese të tjera dhe përcillen si stafetë nga një kryeministër tek një tjetër. Edhe PD, për hyrjen në NATO, ka trashëguar kontributin e PS në kohën e Nanos. Nuk mund të personalizohet si arritje, është gabim i madh. Rama e ka sindromën e vitit zero, e ka përdorur që në fillimet e mandatit.  Pra, sikur gjithçka fillon nga zero.

Nuk i ka hije askujt të mohojë rëndësinë e kësaj ngjarje, por nuk i ka hije askujt ta konsiderojë si një gjë gjeniale. Ramës i eci fati, sepse ishte ambasadori i Rusisë që i kërkoi shpjegime. Ndryshe, ky do të vijonte sepse ishte thjesht spiker.

Ka precedent, që kur në rendin e ditës vendosen çështje që përfshijnë një shtet të caktuar, përfaqësuesi i atij shtetit është i pranishëm. Do të ishte e paimagjinueshëme të diskutohet për Ukrainën, pa qenë Presidenti i Ukrainës atyre.

Jehonë ka patur, jo aq e madhe sa e bëjnë. Jehonën më të madhe ia bëri vetë Zelensky. Ai është në pozicionin, që çdo fjalë që thotë ka peshë”, tha Zogaj.

SHKARKO APP