Po Edi Rama sa herë e ka keqpërdorur Kosovën për fushata elektorale?

Nga Enver Robelli –

Shtrohet pyetja: sa herë ka qënë Edi Rama në Kosovë për të bërë propagandë elektorale?

Në 10-vjetorin e pavarësisë (2018) në Kuvendin e Kosovës propozoi “president të përbashkët” të Kosovës dhe Shqipërisë. Ishte një deklaratë popullsitë për t’u dukur “babai i kombit” dhe ishte një deklaratë që në thelb shtetësinë e Kosovës e shihte si diçka eksperimentale, të përkohshme.

Më 2013 mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës ku u përpoq të rishkruajë historinë e Kosovës – duke mos përmendur Ibrahim Rugovën dhe duke e “stolisur” fjalimin e tij me citate figurash pa vota e pa ndikim në Kosovë. Fjalimi i tij u bojkotua me të drejtë nga deputetët e LDK-së.

Kacafytja verbale me Ramush Haradinajn për pak përfundoi në gjyq – sipas një padie të Ramës, të cilën e tërhoqi.

Edhe themelimi i një komisioni për gjoja sqarimin definitiv së asnjë individ i UÇK-se nuk ka kryer krime në Shqipëri, është lojë e ndyrë elektorale e eksponentëve të Partisë Socialiste. Instrumentalizimi i historisë së Kosovës është veprim i turpshëm. Edi Rama i ndihmon Kosovës (dhe Shqipërisë) nëse nuk e keqpërdorë Kosovën për agjenda elektorale.

E njëjta vlen edhe për politikanet e Kosovës. Shqipëria ka të drejtë të kërkojë takse rrugore. Sepse në asnjë shtet normal nuk mund të kalosh nëpër autostradë pa paguar. Pse nuk po i kërkojnë politikanët e Kosovës Ali Ahmetit të ndikojë të heq taksën e autostradës në Maqedoni?

Por, Shqiperia nuk ka të drejte të diskriminojë qytetarët e Kosovës, të cilët duhet të paguajnë për autostradë, ndërsa banorët e Kukësit jo. Zgjidhja më e mirë do të ishte që shoferët të paguajnë një vinjete vjetore prej 7 deri 10 euro. Dhe këto para të shkojnë në arkën e shtetit shqiptar për të mirëmbajtur autostradën. Tani paratë e kosovareve i arkëton një biznesmen i afërt me Partinë Socialiste.

Në përgjithësi politikanët e Kosovës nuk kanë pse të ankohen ore e çast për mungesën e ndihmës nga Tirana. Thelbi i problemit qëndron të qeverisja e keqe shumëvjeçare në Kosovë. Për shembull: asnjë politikani në Tirane nuk do t’i vinte rendi të përkrahte prishjen e kufijve të Kosovës po të mos kishte promovues të ideve të tilla në Prishtinë.

https://arkiva.kohajone.com/rama-sulmon-vjosa-osmanin-erdhi-per-te-bere-politike-propagande-per-vota/

SHKARKO APP