60% e qytetarëve i tremben përfshirjes së Shqipërisë në luftë
Lufta ruse në Ukrainë, prej më shumë se 50 ditësh, kanë shqetësuar botën. Tre në pesë shqiptarë janë të shqetësuar se Shqipëria mund të përfshihet në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, si pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.
Mes të rinjve, më shumë se gjysma e tyre, i tremben përfshirjes së Shqipërisë në luftën në Ukrainë.
Barometri në ”Euronews Albania” i pyeti shqiptarët lidhur me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e tyre lidhur me një përfshirje të mundshme të Shqipërisë. Gjysma e shqiptarëve (48%) mendojnë se Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka përse të ngatërrohet me luftërat e të tjerëve.
Pjesa tjetër e qytetarëve, janë ndarë thuajse në dy pjesë të barabarta mes atyre që nuk janë dakord me këtë pohim (27%) dhe atyre që nuk janë të vendosur (24%). Shumica e shqiptarëve (61%) mendojnë se vendi ynë duhet të dërgojë ushtarë në Ukrainë, në rast se NATO vendos të ndërhyjë ushtarakisht.
Thuajse dy në pesë shqiptarë (38%) nuk janë dakord që Shqipëria të dërgojë ushtarë në Ukrainë, nëse NATO përfshihet në luftë. Më shumë se gjysma e qytetarëve (58%) nuk janë dakord që shqiptarët të shkojnë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë. Dy në pesë të anketuar (38%) mbështesin vajtjen si vullnetar në luftën Ukrainë-Rusi të shqiptarëve.