Agron Duka: Kemi përgjegjësinë e alternativës, PD të provojë se i interesojnë zgjedhjet e lira
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet mosbesues për suksesin e reformës zgjedhore, nisur dhe nga qëndrimet e forcave kryesore politike. Në një intervistë për “Koha Jonë” duka shprehet se shtyrja e punimeve të komisionit të reformës zgjedhore është një lajm jo i mirë. Duke shprehet se janë partitë e opozitës ato që duhet ta përdorin reformën zgjedhore si një mundësi për të zhvilluar zgjedhje me standarde. “I takon opozitës të vërtetojë jo vetëm se kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ishte thjeshtë një slogan politik; por se beson që nëpërmjet ndryshimit të procesit zgjedhor mund të ndryshojë edhe cilësinë e demokracisë shqiptare”,- u deklaron Agron Duka.
Z. Duka javën e shkuar ndoqëm reagimin tuaj mbi punimet e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Si e komentoni punën e deritanishme të këtij komisioni?
Ajo që u mbajt javën e shkuar ishte mbledhja e parë pas shtyrjes së mandatit të Komisionit deri në korrikun e ardhshëm, pra në vetvete një lajm jo i mirë sepse kjo vonesë nënkupton mungesën e një vullneti për ta çuar përpara reformën me ritmin e duhur. Tashmë problematikat e sistemit zgjedhor i njohin jo vetëm anëtarët e Komisionit, por edhe qytetarët e thjeshtë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarët, pra faza e konstatimit të problemeve duhet konsideruar e mbyllur dhe Komisioni duhet të përqendrohet tek zgjidhjet. Edhe pse personalisht kam ende një farë skepticizmi, pasi këto reforma vijojnë të zhvillohen nga partitë dhe jo nga ekspertët e çështjeve zgjedhore, pres rezultate të paktën përpara se ky vit të mbyllet, pasi nuk mund të shkojmë në një tjetër fushatë zgjedhore me dyshime dhe mungesë besimi.
Si e konsideroni qëndrimin e ambasadorit të OSBE-së, z. Borchardt?
Ambasadori foli shumë qartë, duke thënë se duhen adresuar rekomandimet e ODIHR-it të tre zgjedhjeve të fundit. Sidomos kur vendosi theksin tek fenomeni i shit-blerjes së votës. Gjithashtu, ishte shumë domethënës qëndrimi i tij mbi përfundimin e kësaj reforme brenda këtij mandati të Komisionit, pra muajt korrik. Nuk di nëse OSBE gëzon ende një farë force ndaj partive kryesore, megjithatë ky afat kohor do të ndajë, në gjykimin tim, shapin nga sheqeri. Pasi nuk mund të flasim nëpër tubime, intervista, studio televizive dhe rrjete sociale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe kur na jepet mundësia për të kryer një reformë domethënëse, humbasim kohë duke krijuar edhe mosbesim brenda të njëjtit rreshtim politik. Në këtë pikë, gjykojë se shqetësimi kryesor për të përshpejtuar përfundimin e reformës, nuk duhet të jetë vetëm i ambasadorit të OSBE-së, por sidomos e përfaqësuesve të opozitës. I takon opozitës të vërtetojë jo vetëm se kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ishte thjeshtë një slogan politik; por se beson që nëpërmjet ndryshimit të procesit zgjedhor mund të ndryshojë edhe cilësinë e demokracisë shqiptare.
Nëse produkti i Reformës Zgjedhore nuk do të përkojë me pritshmëritë e PAA-së, si do të veproni?
E kemi detyrim ndaj elektoratit tonë vijimin, në çdo rast, të betejës politike për t’ju dhënë zë atyre kategorive dhe shtresave që ndihen të pa përfaqësuara. Është përgjegjësia e alternativës që na çon përpara, jo thjesht sistemi zgjedhor. Sigurisht, një sistem i drejtë do t’i lejonte një përfaqësim të denjë për të gjitha ato forca politike që kanë vullnetin për të sjellë përmirësime objektive në jetën politike. Megjithatë, ne do të vijojmë të ofrojmë alternativën tonë. Për këtë arsye, pavarësisht rezultateve të Komisionit, ne do të nisim qysh nga ky muaj përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme vendore. Do të shkojmë në çdo qytet dhe do të prezantojmë ofertën tonë për politike. Si PAA jemi të bindur se përgatitja e zgjedhjeve nuk mund të nis në prag të çeljes së fushatës elektorale, por të paktën një vit përpara, në mënyrë të tillë që qytetarët të njihen në kohë me kandidatët dhe propozimet e tyre.
Cilat janë synimet e PAA-së për zgjedhjet vendore të vitit 2019?
Ne kemi nisur rrugëtimin pikërisht aty ku e lamë zgjedhjet e kaluara. Sigurisht rezultati final nuk shpërbleu aksionin tonë, megjithatë ne arritëm të krijojmë jo vetëm struktura funksionale, por edhe besimin se Partia Agrare Ambientaliste është një forcë politike parimore, me një identitet të mirëpërcaktuar, vizion të qartë për çështjet që përfaqëson, me eksponent të specializuar dhe të besueshëm. Puna dyvjeçare e qindra burrave dhe grave, është guri i themelit i aksionit tonë për të qenë alternativë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në këto zgjedhje pretendojmë të kemi përfaqësues të PAA-së në të gjitha këshillat bashkiake; dhe aty ku ambicia jonë do të përkojë me vullnetin e përbashkët të strukturave tona, aktorëve të ndryshëm social, dhe aleatëve, do të konkurrojmë edhe për bashkitë.
KOHA JONË SONDAZH

