Akuzat për organizmin e protestave, Kryemadhi: Do të ishte nder për mua dhe LSI por nuk i kemi organizuar ne
E ftuar në emisionin “LOG, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi foli mbi akuzat e mazhorancës për organizimin e protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Ajo i cilësoi akuzat të pavërteta dhe u shpreh se do të ishte nder për të dhe LSI nëse do të ishte organizatore e këtyre protestave. Kryemadhi hodhi dhe akuza ndaj policisë pasi sipas saj, tentoi manipulimin e fakteve me deklaratat kontradiktore.
Znj. Kryemadhi, a jeni ju organizatore e këtyre protestave?
Absolutisht jo. Do të ishte nder për mua të isha organizatore e një proteste aq të sinqertë e atyre të rinjve, të rejave e atyre qytetarëve të Tiranës, por sigurisht që kompleksi dhe në një farë mënyre vetëpërmbajtja dhe autokontrolli politik i secilit nga ne ka bërë që me shpirt dhe zemër të ishim pjesë aty.
Sigurisht që ndoshta edhe po të kishim qenë mund të mos kishte ndodhur ajo dhunë dhe ai agresivitet ndaj të rinjve, ndaj protestuesve apo edhe anasjelltas më pas, sepse vjen si një lloj reagimi njerëzor. Nuk mund të themi që shqiptarët tashmë janë robotë dhe mjafton që ju fut të dhënat dhe ata vazhdojnë ecin sipas dëshirave, apo iluzioneve të Kryeministrit që të gjithë duhet të thërrasin: ‘Parti Edi Jemi gati kurdoherë!’
Kjo është një nga proceset të cilat ne dashje pa dashje kemi një frustrim, apo një agresivitet që ka ardhur si rezultat ndoshta edhe prej vetë shkakut që u krijua nga Policia.
Për vrasjen e Klodian Rashës ne kemi nja katër deklarata nga Policia e Shtetit. Njëherë ka qëlluar me armë te ‘Zogu i Zi’, njëherë pastaj u gjet arma 80 metra larg. Pastaj është njeri me precedentë penalë dhe në fakt ndodhi diçka tjetër. Kur një polici e shtetit që ju pretendoni që të jenë ata të cilët do të çojnë faktet dhe provat për çdo qytetar që do të paraqitet nesër përpara drejtësisë, manipulon në mënyrë kaq flagrante, brenda 24 orëve, kjo nervozon jo vetëm njerëzit, por çdo njeri që ndjek një televizion, që ndjek një media, por edhe vetë gazetarët, pasi edhe gazetarët janë ata të parët që mendojnë që tjetër gjë na thatë në 8 të mëngjesit, tjetër gjë na thatë në 2 të drekës dhe tjetër gjë në 6 të pas drekës.
Nganjëherë kur ne kërkojmë që të përdorim qoftë fatkeqësitë të njërës palë apo tjetrës, për background politik, atëherë unë mendoj që kjo është vrasje apo edhe gabim i dyfishtë nga të dyja palët.