Ambasadori britanik: Blerja e votës ka vazhduar, zgjedhjet e prillit janë jetike
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman gjatë Konferencës “Kostot e Demokracisë II” deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit janë jetike dhe sfiduese për të ardhmen evropiane të vendit.
Norman tha se se vullneti i popullit nuk po respektohet plotësishtm, ndërsa evidentoi probleme si intimidimi i votuesëve apo blerja e votës. Ai thekson se transparenca e financimit të partive mungon, duke nënvizuar rëndësinë e saj.
“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit demokracia shqiptare ka bërë progres por është përballur edhe me probleme. Vullneti i popullit shqiptar ende nuk po respektohet plotësisht. Fenomene negative kanë vazhduar, si keqpërdorimin i Zyrës Publike, intimidimi i votuesve, apo blerja e votës. Vazhdon të ketë mungesë transparence sa i takon financimit të partive. Zgjedhjet e 2021-shit do jenë sfiduese, jetike, një hap i rëndësishëm drejt demokracisë dhe integrimit europian”, tha Norman.
Ndërkohë zëvendësambasadorja e OSBE-së, Clarisse Pasztory bëri me dije se për zgjedhjet e 25 prillit do të këtë një mision vëzhgimi ndërkombëtar.
“Ne si OSBE mbështesim Shqipërinë, siç e kemi mbështetur dhe në proceset reformuese në të kaluarën. Do të ketë një mision vëzhgimi ndërkombëtar, ne po e rishikojmë këtë”, tha ajo.