Ambasadori Lu: Kujdes ju politikanë të korruptuar! SPAK dhe BKH po ngrihen
Shpresa më e madhe për të luftuar korrupsionin në nivele të larta është ngritja e Prokurorisë Speciale.
Por struktura e njohur me shkurtimin SPAK nuk ka asnjë shans të ngrihet së shpejti, pavarësisht se ka kaluar një vit e gjysmë nga miratimi i të vetmit ligj të pranuar me konsensus të paketës së reformës në drejtësi.
Struktura e posaçme antikorrupsion duhet të kishte nisur nga puna në 31 gusht 2017, pra sipas parashikimeve ligjore brenda 300 ditëve nga miratimi i ligjit. Që SPAK të niste nga puna pikërisht në ambientet ku sot gjendet Prokuroria e Gjykata e Krimeve të Rënda fillimisht duhet të ishte formuar organi qeverisës i akuzës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ashtu sikurse për gjykatën që do të hetojë korrupsionin duhet të ishte ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organi i vetëm kompetent që emëron prokurorin e posaçëm të SPAK.
Me përjashtim të Arta Markut që aktualisht mban postin e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme , janë në gare 25 kandidatë për gjashtë nga 11 vendet e KLP.
Por anëtarët e KLP janë ende nën Vetting, ndërkohë që shkarkimi i Besa Nikëhasani, e hoqi emrin e saj nga gara duke hapur diskutimet për riçeljen e garës.
Por ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë që zgjedh prokurorët e SPAK është ende larg, me optimisti në këtë situatë është ambasadori amerikan.
Besoj që SPAK dhe BKH do të ngrihen këtë verë. Duhet të kalojnë Vettingun mjaftueshëm persona për të pasur mundësi zgjedhjeje të personave që të jenë të pastër dhe që mund të bëhen drejtor i SPAK dhe drejtor i BKH.
Donald Lu mund ta ketë mbaruar mandatin e ambasadorit derisa prokuroria speciale dhe Byroja e Hetimit të ngrihen. Megjithatë e rëndësishme është që në rrjetat e SPAK të bien sa më shumë peshq të mëdhenj.
Dy shkaqet që vonuan ngritjen e institucioneve si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë zgjidhur tashmë, thotë Donald Lu.
Në një deklaratë për Top Channel ambasadori amerikan i përgjigjet pyetjeve se çfarë po e vonon ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
“Vonesat kanë ardhur për dy arsye. E para, ishte kundërshtimi i ligjit të Vettingut nga opozita. Ata e humbën këtë sfidë. E dyta, ishte vonesa në gjetjen e kandidatëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së. Tashmë, të dyja këto çështje janë zgjidhur. Kandidatët për këto institucione janë duke kaluar në procesin e Vettingut. Ata do të jenë funksionalë shumë shpejt”, tha për Top Channel Donald Lu.
Asnjë habi nga ambasadori Lu për ata që nuk e kanë optimizmin e tij.
“Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura. Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”, thotë Lu.
Ambasadori Amerikan e deklaroi reformën në drejtësi si pikë kryesore të misionit diplomatik që në ditën e tij të parë në Shqipëri.
KOHA JONË SONDAZH

