Arian Çani pas arrestimit të Gjutës: Do vriste kryeministrin me 120 mijë euro me vehte?!

Gazetari i mirënjohur Arian Çani te emisioni Open i Eni Vasilit thotë se janë qesharake të gjitha insinuatat për një atentat ndaj kryeministrit Rama pas arrestimit të Vladimir Gjutës pranë PS-së në orët e para të mëngjesit të së hënës. Çani thotë se dy janë mundësitë, ose Gjuta nuk ka lidhje me PS-në dhe u ndodh në vendin e gabuar në momentin e gabuar, ose ky është një skenar i përgatitur për të ngritur “legjendën” se kryeministri është në rrezik.

“A mund të spekuloj pak? Nuk e njoh shumë ngjarjen sepse policia nuk na ka dhënë detaje, por nga ato që dimë unë mund të bëj vetëm spekulim. E para, një njeri që shkon të vrasë apo të bë një atentat nuk merr 120 mijë euro me vete. Apo jo? Dimë që ai ka pasur një shumë të madhe parash. Mund të jetë edhe kjo që thuhet se aty ka nga këta që këmbejnë para rreth PS-së.

E dyta që mund të them është se në këtë kohën që po jetojmë me OFL, etj na duhet që edhe ta forcojmë pak skenarin. Duhet fuqizuar kulti i Ramës që po bën gjithë këtë luftë me krimin. Ndaj mund të ketë qenë që dikush mund t’i ketë thënë personit në fjalë “lk kalo pak nga PS se na duhesh”. Dhe pastaj e kanë arrestuar – tha Çani në studion e emisionit “Open” në TCH.

“Ky është një vend qesharak. Kur duhet të ndodhë një gjë e keqe nuk ndodh dhe atë herë kur nuk duhet, ndodh. Janë këto legjendat urbane të neveritshme si kjo e atentatit ndaj Ramës. Të hedhësh hipotezën e një atentati ndaj kryeministrit që në 8 e 30 të mëngjesit dhe pastaj kryeministri që ndërron makinat kur del nga zyra, etj.

Mua më duket e stisur e gjithë kjo histori. Mua më duket qesharake. Fare, fare qesharake. Kur ka pasur tentativa për atentate ndaj zyrtarëve të lartë ka pasur të tjera mënyra. Nuk shkon njeri me një çantë me lekë te PS dhe më pas gabimisht i bie pistoleta nga dora. Kjo është e stisur dhe shumë qesharake që ta mendosh” – tha Çani.

Ndërsa ish Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani,  i ftuar në emisionin “Open”, ku po flitet rreth “atentatit” e sotëm të Vladimir Gjutës ndaj kryeministrit Edi Rama nga Vladimir Gjuta, nuk ka kursyer ironinë.

Pasi gazetari i Top Channel, Muhamet Veliu, përshkroi me tone mjaft dramatike dhe lëvizje trupore, të gjithë skemën e Gjutës, ish ministri Manjani, e ironizoi ngjarjen, por edhe raportimin e Veliut, duke deklaruar se jeta e Edi Ramës ka qenë më e rrezikuar, kur dilte në foto me të fortët e Shijakut.

“Shiko se Meti është dhe gazetar i vjetër… Rama është kap në foto me ata të fortët e Shijakut, ka qenë më i rrezikaur atje, se sa te kjo me Gjutën, Gjatën… S’ka asnjë lidhje, me përjashtim të show-t që do të bëjë shoku Edvin për të ngritur kultin e individit. Nuk e kuptoj përse duhet ta komentojmë këtë ngjarje. Ne nuk dimë çfarë ka ndodhur, se po del sikur donin të vrisnin Edi Ramës”.

SHKARKO APP