“Babalizmi”, ose fenomeni që zëvendësoi “fake news”!
Nga Alfred Peza/
Konkludimi i hetimit të çështjes së njohur si “Babalja”, me kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për masat e arrestit të protagonistëve të saj, nuk duhet parë si çast triumfi për ndokënd në Shqipëri.
Por, si një moment reflektimi, për gjithkënd. Një periudhë kthjellimi për këdo që kërkon pastrimin e klimës së kontaminuar në ligjërimin publik dhe shëndoshjen e sistemit demokratik, nëpërmjet promovimit të alternativave reale dhe çmontimit të kulturës së të pavërtetave.
Rëndësia e hetimit të kësaj çështje, nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me kërkesën për arrestin me burg të Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti. Të cilët duket se ishin, njëri në rolin e inskenuesit e tjetri atij të imituesit, në bisedën e famshme të audiopërgjimit të denoncuar nga PD, që tentoi të implikonte në trafikun e drogës vëllain e ministrit të Brendshëm. Rëndësia e kësaj çështje nuk lidhet as me masën e detyrimit për paraqitje të një gazetari, apo thirrjen në Prokurori të një deputeti, që e bëri i pari publik inskenimin, nga selia e partisë së tij opozitare.
Ajo çfarë u raportua nga mediat, ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me hapat procedurialë të një dosje, ndër mijëra çështjet që shqyrton çdo vit organi i akuzës. Ky hap i vogël i drejtësisë shqiptare, është i rëndësishëm për diçka tjetër. Ai është i çmuar, nëse nëpërmjet tij arrijmë që ta shndërrojmë këtë çështje, në fillimin e një ndërmarrje që do ti jepte fund njëherë e përgjithmonë një fenomeni të rrezikshëm që i kanoset demokracisë sonë. Një fenomen që është edhe më i rrezikshëm se ai që po përjetojnë demokracitë e tjera ndërkohë. I cili fitoi qytetarinë në SHBA gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit presidenciale, për tu shndërruar në një fenomen global, e që njihet me togfjalëshin; “lajmeve të rreme” ose “fake news”.
Fenomeni i lajmeve të rreme është i njohur dhe i përhapur gjerësisht edhe në Shqipëri. Duke u ndihmuar shpeshherë edhe nga mediat jo profesionale online dhe përdoruesit e rrjeteve sociale. Por në ndryshim nga demokracitë e tjera ku investohet për të shpërndarë “fake news” për interes të njërit apo tjetrit kamp politik, nga portale anonime kryesisht, Shqipëria ka shkuar më larg. Ne i kemi dhënë fenomenit global, nuancat, trajtat dhe fizionominë unikale të një fenomani lokal, tipik shqiptar.
Shenjat e para të tij ishin parë edhe ndër çështje të tjera. Por ai mori pamjen e plotë, pak më pas. Atëherë kur në skenë doli çështja me protagonist Albert Veliun, i njohur edhe me nofkën “Babalja”. Rasti “Babalja” dhe efektet e para publike që ai prodhoi, duket se i pëlqeu shumë, regjisorëve të saj. Ndaj me sa duket, nisën të mendonin, për ta përsërtiru, duke i dhënë rastit formën e një fenomeni. E që “Babalja” të konsiderohej si gjeneza e fenomenit të “Babalizmit”, duhej që teknologjia e përdorur për prodhimin e tij, të perfeksionohej duke u përdorur më pas si “stampë” e “model” për prodhimin në masë të rasteve të tjera të ngjashme me të.
Çështë “Babalizmi”?
“Babalizmi” si fenomen nuk është gjë tjetër, veçse evoluimi nëpërmjet një hapi cilësor, që e çon atë në një shkallë më lartë sesa vetë “fake news”-i. Sepse, nëse lajmet e rreme përhapen me koshiencë nga media anonime ose jo profesionale, për të krijuar një perceptim të rremë publik, për ngjarje dhe personazhe të ndryshme me qëllim dëmtimin e kundërshtarit politik, “Babalizmi” nuk është thjeshtë një gënjeshtër e pastër. Por, një gënjeshtër e pastër që mbulohet me elegancë me ambalazhime të shkëlqyera, nga materiale të ricikluara nga grimca të vërtetash.
Ndryshe nga “fake news”-et, ky “mall” made in Albania hidhet në treg nga vetë partitë politike, nëpërmjet fushatave agresive të marketingut, që e reklamojnë atë si një kuazë opozitare që synon diskretitimin e personazheve kryesorë të mazhorancës. Duke tentuar që ta vendosin atë dhe partinë e mazhorancës, në pozita sa më të vështira politike, me qëllimin final rrëzimin e qeverisë dhe rikthimin e tyre në pushtet.
Aq shumë e entuziazmoi lidershipin e opozitës sonë suksesi fillestar i “Babales”, sa duket se vendosën që ta shdërronin fenomenin e “Babalizmit”, në filozofinë e tyre të re për ta përdorur si shkopin magjik, që do ti printe në rrugën më të shkurtër, për tu rikthyer sa hap e mbyll sytë, në qeverisjen e vendit.
Eshtë kjo me sa duket arësyeja se përse opozita jonë, i është larguar Parlamentit dhe parlamentarizmit, takimeve me strukturat dhe anëtarësinë e saj, me qytetarët dhe rrugës së protestave dhe mitingjeve. Duke u strukur çdo ditë e më shumë nëpër salla luksoze hotelesh në qendra prefekturash, në selitë qëndrore të partive dhe banaqe televizive. Tani ndoshta kuptohet më qartë se përse ajo e ka zëvendësuar çdo ditë e më shumë, aksionin dhe alternativën reale opozitare të qytetarëve anekënd Shqipërisë, me prodhimin kompjuterik të serive të reja të telenovelës “Babalja”.
Ndaj, çmontimi i çështjes “Babalja”, më shumë sesa thejshtë e vetëm hetimi i një dosje për të zbuluar të vërtetën që fshihet pas një përgjimi “fake”, është një operacion me interes më të gjerë publik e shoqëror. Një mision për të nisur çmontimin njëherë e përgjithmonë, të një fenomeni që më shumë sesa mazhorancën, po dëmton opozitarizmin dhe opozitën shqiptare vetë.