Balla: Do miratojmë patjetër amnistinë fiskale

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se mazhoranca do të miratojë me patjetër ligjin për amnistinë fiskale. Në një intervistë për “News 24”, Balla tha se ishte i bindur se kjo paketë do të miratohet me më shumë se 84 vota pro në Parlament.

Sipas Ballës, me këtë nismë ligjore do të garantohet formalizimi i parave të emigrantëve apo shqiptarëve që kanë punuar në bujqësi me punë të ndershme.

“Nisma e rishpallur dje, të cilën kryeministri e ka shpallur në mars është instrument shumë i rëndësishëm por duke u formalizuar një amnisti qoftë fiskale dhe penale. Duhet të kuptojmë që do e miratojmë me më shumë se 84 vota për t’u garantuar atyre personave që kanë bërë punë të ndershme në emigracion apo në bujqësi, sepse e dimë në 30 vite bujqësia ka qenë e joformalizuar dhe mban para cash nën jastëk”,- tha Balla.

Amnistia synon që të futen në qarkullim paratë e padeklaruara nga qytetarët në Shqipëri apo emigrantët jashtë saj. Ndërkohë në shpjegimin e Tualant Ballës thuhet se fermerët kanë para të padeklaruara! Nëse amnistia pret të mbushë buxhetin e shtetit me lekët e perimeve dhe zarzavateve të fermerëve, atëherë dikush në qeveri duket se nuk e ka idenë se çfarë po miratojnë.

Ndërkohë opozita ka hedhur dyshime se pas kësaj nisme ligjore fshihen interesa për të pastruar dhe legalizuar pasuri që është vendosur në mënyrë të paligjshme. Paratë e vëna me anë të korrupsionit dhe paratë e drogës, janë të parat që mund të legalizohen.

SHKARKO APP