Basha dhe Rama në bazë, jo zyrtarisht nis fushata për zgjedhje të parakohshme
Pas liderit të opozitës Lulzim Basha, edhe Kryeministri Edi Rama ka nisur një turne në bazë. Por edhe LSI-ja ka zhvilluar gjithashtu takime me simpatizantët e saj. Duket se vetëm zyrtarisht ky muaj, nuk është muaj zgjedhjesh.
Dorëheqja e ditës së sotme e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, i jep edhe më shumë dilema situatës politike.
Është folur edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa Kryeministri Edi Rama zbriti kabinetin qeveritar në takim me bazën gjatë fundjavës.
Fjalimet e tyre ngjajnë shumë me ato të një fushate elektorale. Por ndërsa Basha prezanton platformën e tij duke premtuar ulje taksash, Rama po përsërit të njëjtat batuta me ato të zgjedhjeve të vitit 2013.
Në gjysmën e mandatit qeveritar, krerët e dy partive më të mëdha në vend iu rikthyen bazës, në një seri takimesh që të risjellin në mendje fushatat elektorale.
Lulzim Basha ka lënë mënjanë buzëqeshjen që karakterizonte fillimet e lider-shipit të tij opozitar dhe ka trashur zërin.
Edi Rama është i detyruar të përballet me ata që i dhanë votën dy vjet më parë me shpresën se do t’i ndihmonte për të gjetur një nga 300 mijë vendet e reja të punës së premtuar prej tij.
Turneu i nisur prej disa javës nga Basha ngjan si një projektim i hershëm në zgjedhjet e 2017, ku krye-demokrati shpalos platformat e tij duke premtuar ulje të peshës fiskale dhe rikthim te taksa e sheshtë.
Rama shfaqet i detyruar të mbrojë taksën progresive që vendosi me ardhjen në pushtet. Shembujt e përdorur prej tij kundër taksës së sheshtë, janë identike me ato të fushatës së vitit 2013.
Nga tregtarët te fermerët, Lulzim Basha propozon ulje takash duke folur në shifra konkrete. Por Edi Rama preferon të përgjigjet duke treguar histori nga e kaluara.
Për të përforcuar akoma më shumë ngjashmëritë me një fushatë elektorale, nuk mungojnë edhe akuzat për kopjim të ideve. Pulla fiskale që do të mbronte bizneset nga tatimorët abuzivë, u kthye në mollën e sherrit.
Sipas Lulzim Bashës nuk ka rrugë tjetër përveç mosbindjes civile.
Ndërsa Edi Rama thotë se ka dy, për njëra është kthim mbrapa.
KOHA JONË SONDAZH

