Basha: Duhet ndryshim radikal i kursit nga qeveria për të mbështetur sakrificën e qytetarëve
Në një intervistë në emisionin ‘Përballë’ të gazetarit Lutfi Dervishi, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se duhet ndryshim radikal i kursit nga qeveria për të mbështetur sakrificën e qytetarëve.
“Me 1 prill, nesër, shumica e familjeve të cilat janë paralizuar ekonomikisht për shkak të këtyre masave nuk do të kenë të ardhura dhe ky është shqetësimi, brenga ime kryesore sot. Si do të mundemi t’i furnizojmë këto familje me mjaftueshëm likuiditet, para, financa për të siguruar ushqimin e tyre, për të siguruar përditshmërinë e tyre?
Dhe kjo është diçka që duhet ta lërë pa gjumë qeverinë. Ndaj insistoj në rradhë të parë të kemi një paketë realiste mbështetëse, sepse është e pakuptueshme që ne të kemi një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova! Si mund të kemi ne një paketë tre herë më të vogël se sa Kosova, kur ata e kanë buxhetin sa gjysma jonë?! A ka ndonjë shpjegim tjetër për këtë përveçse ngadalësisë, paaftësisë apo prioriteteve të gabuara? Sepse nga ana tjetër janë harxhuar 52 milion euro këto tre javë me shpenzime totalisht të panevojshme. Ka vend jo për përmirësim, por për një ndryshim radikal të kursit nga ana e qeverisë për të mbështetur sakrificën e qytetarëve.”– u shpreh Basha.
Kryedemokrati tha se Kosova jep për krizën 3 herë më shumë para se Shqipëria, megjithëse ka më pak banorë. Ndaj tha ai, Qeveria duhet të ndërpresë pagesat për tendera dhe koncesione të panevojshëm.
“Për fat të keq kemi humbur tre javë. Propozimi ynë për paketën ekonomike daton më 11 mars. Kemi humbur 3 javë të vlefshme dhe akoma nuk kemi likuiditet, akoma nuk kemi para të injektuara tek shtresa të cilat po përballen tani në fund të muajit, me nevojat më bazike, për bukë, për ushqimet e shportës apo për domosdoshmëritë për të shlyer detyrime themelore që nuk do të çojnë në penalizime siç është energjia apo uji. Kjo shkon absolutisht kundër prioritetit numër 1 që është mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së qytetarëve. Kjo do të thotë që buxheti për shëndetësinë, I cili ka pësuar një rritje prej 25 milionë eurosh pas propozimeve tona, duhet të mbështetet edhe më shumë. Për këtë nuk ka nevojë të shikojmë më tutje sesa Kosova. Duket qartë që kemi një disbalancë. Një vend me nje buxhet sa gjysma e Shqipërisë, me një popullsi sa 2/3 e Shqipërisë ka vendosur 3 herë më shumë para, 170 milionë euro për këto qëllime, ndërkohë që qeveria shqiptare ka vënë më pak se 65 milionë euro për të njëjtat qëllime. Pra qartësisht këtu ka një problem. Nga vjen problem?
Sepse akoma qeveria shqiptare vazhdon të autorizojë pagesa në thesar vazhdon të paguajë, tendera, koncensione, vazhdon të bëjë tendera për gjëra totalisht të panevojshme në këtë kohë krize. Për beton, për rikonstruksion zyrash, për qeleshe të cilat tregojnë se këtu kemi të bëjmë të paktën me një amulli, të mos them me një grup njerëzish që do të përfitojë në kurriz të krizës. Ndaj, thirrja ime është e qartë, është e përsëritur. Qeveria duhet të ndërpresë menjëherë çdo shpenzim jo esencial dhe të ridestinojë të gjitha paratë e shqiptarëve, të gjitha qindarkat e shqiptarëve me tre prioritetet e vetme të kësaj krize: Jeta dhe shëndeti, shtresat në nevojë dhe ekonomia shqiptare”, tha Basha.
A shikoni ju reflektim apo një dinamikë tjetër pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ndaj propozimeve që ju keni shtruar?
Lulzim Basha: Po shikoj reflektim, por është reflektim shumë i ngadaltë dhe shumë i pakët, për të përdorur shprehjen “to little too late”. Nuk kemi kohë për të humbur. Reflektimi është i pakët, është i ngadaltë dhe në shumicën e rasteve mbetët në letër. Reflektimi i vërtetë është në qoftë se është i zbatueshëm, zbatohet dhe qytetarët e ndjejnë përmirësimin që duhet të sjellë. Fjala bie, në qoftë se tre javë më përpara kemi propozuar këtë paketë masash me tre komponentë kryesorë: shëndetësinë, familjet në nevojë dhe ekonominë, pse është humbur kjo kohë? Kur do të përfitojnë këta njerëz paratë për të cilat kanë nevojë, likuiditetin pa të cilin nuk mund të rritet konsumi, pa të cilin nuk mund të marrë frymë ekonomia, pa të cilin nuk mund të luftohet kjo pjesë e rëndësishme e frontit që është kriza ekonomike dhe që po troket edhe si rezultat I krizës së koronavirusit. Pra ka vonesa, ka shumë fjalë e pak veprim. Ka qartësisht një hendek midis asaj që thuhet dhe asaj që bëhet. Kjo duhet të marrë fund. Qeveria duhet të veprojë me hapa të vendosur dhe duhet të veprojë në bazë të një plani, nuk duhet të reagojë. Është instiktive për institucionet të reagojnë në ditët e para, ndaj dhe ne e konceptuam rolin tonë duke i dhënë ato propozime në mënyrë konstruktive në vend që vetëm të tregonim me gisht, për të kontribuar që të dilej nga amullia, nga inercia e ditëve të para. Por tani, një muaj pasi situata është bërë e njohur, tre javë pasi jemi në këtë gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, nuk ka më asnjë alibi për vonesat, për amullinë dhe për reagimin spontan që ndryshon nga mëngjesi deri në darkë dhe që tregon një mungesë totale aftësie dhe planifikimi për tu përballur afatgjatë. Prandaj gjëja e parë që duhet të ndryshojë është mënyra se si mendohet për këtë çështje. Në qoftë se mendojmë sot për sot, kjo do të vazhdojë. Sot do të bëhet diçka, në darkë do të ndryshohet, të nesërmen në mëngjes do të ndryshohet përsëri. Kjo nuk është mënyra për t’u përballur me krizën. Kjo do të na çojë drejt një katastrofe të pa evitueshme. Mënyra për tu përballur me krizën është të planifikojmë sa më gjatë të jetë e mundur. Natyrisht nuk mund të parashikojmë gjithçka as ne dhe askush tjetër, por aq sa mund të parashikojmë mund të kemi skenarët tanë dhe në skenarët tanë të parashikimit duhet të kemi masat të cilat na lejojnë të përballemi sot me atë që do të vijë pas një jave, me atë që do të vijë pas dy javësh dhe jo të merremi sot për sot me problemet të cilat sa vijnë e rëndohen.
Pyetje: Z.Basha, kjo krizë ka pllakosur 180 vende në mbarë globin dhe ju iu referuat së paku tre herë modelit të Kosovës. Ju personalisht dhe ekipi i ekspertëve tuaj cilit model tjetër i afrohet për nga mënyra e reagimit buxhetor por edhe mënyra e komunikimit që iu bën më shumë pershtypje në këtë krizë?
Lulzim Basha: Ne kemi tre prioritete të qarta: Prioriteti i parë është shendetësia me dy komponentë; pajisjen e gjithë stafit shendetësor, mjekëve dhe gjithë të tjerëve me veglat, me instrumentat, nëse doni, me armët për t’u përballur me këte të keqe për te na mbrojtur gjithë ne të tjerëve. Dhe së dyti pajisjen e sistemit shëndetësor me financa të mjaftueshme për të përballur dy elemente; testimin që i paraprin dhe që mundëson ndërprerjen e zinxhirit te infektimit kur i gjejmë ata që janë infektuar dhe kurimin. Pra, mjaftueshëm pajisje respiratore, trajnim për stafin mjekësor, hapjen e pavijoneve apo hapsirave të mjaftueshme për trajtimin e të infektuarve. Ky është prioriteti i parë dhe për këtë hapi i hedhur me 25 milionë euro shtesë është i pamjaftueshëm. Shikoni 25 milionë euro për gjithë këtë dhe 22 milionë euro për betonin. Këtu ka diccka që nuk shkon. Kjo eshtë e para.
E dyta, paketa ndihmës për ata qe nuk kane para, për të blerë gjërat e nevojshme për ditën, minimalisht 3 herë më e vogël sesa nevojitet.
Me statistikat zyrtare të shtetit shqiptar nevojitet 3 herë më shume për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve. Nuk mund te lejojmë te kemi njerëz qe nuk blejnë dot bukën, qe pijnë ujë me sheqer, sicc pamë disa dëshmi tronditese nga Vlora ku kryeministri është edhe deputet. Nuk mund te lejojmë të tallemi apo te përqeshëm apo të vëmë në dyshim këtë mjerim. Ishte edhe para krizës me statistikat e Bankës Botërore 1 në 10 shqiptarë ushqej një herë në ditë para krizës. 290 mijë, afro 300 mijë shqiptarë një herë në dite mund te hanin. Imagjinoni si është situata tani me mbylljen e bizneseve, me mungesën e parave, të pagave, te vetëpunësurve dhe te tjerëve.
Dhe e treta, nuk mund te lejojmë falimentimin as biznesit të madh, gjë që do te shkatërrojë dhjetëra, qindra, mijëra vende pune. Ta fusë në një kolaps afatgjatë. Prandaj këto jane tre prioritete te qarta për te cilat nuk ka nevojë as te përtypemi, ka nevojë vëtem të jemi te vendosur qe paratë e shqiptarëve te shkojnë në këto tre drejtime dhe në asnjë drejtim tjetër. Ky është modeli i propozuar prej datës 11 Mars.