Basha merr mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë: Me planin tonë ekonomik do të thithim investimet e huaja

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbardhur dy takimet e fundit zhvilluar me kryeministrin e Sllovenisë dhe atë të Kroacisë.

Nëpërmjet një videomesazhi, kreu i demokratëve thotë se dy kryeministrat mirëpritën planin ekonomik të PD, me të cilin sipas Bashës do të thithen investime të huaja.

Basha thotë se Shqipëria duhet të ecë në një rrugë të sigurt drejt Bashkimit Europian.

“Kjo nuk ndodhi gjatë 8 viteve të Ramës. Rama vetëm e ka larguar Shqipërinë nga Bashkimi Europian. Ne do të korrigjojmë të gjitha dështimet e Ramës, përfshirë këtu edhe këtë dështim.

Ashtu siç e anëtarësova Shqipërinë në NATO, ashtu siç liberalizova vizat, jam i sigurt se të gjithë së bashku do ta integrojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian”, thotë kreu i PD.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës

Të dashur bashkëqytetar, jam kthyer nga një vizitë e rëndësishme në Slloveni dhe në Kroaci. Takova dy miq të mirë të mitë dhe të shqiptarëve; kryeministrin e Sllovenisë Janez Janša, i cili do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković, vendi me i ri anëtar i Bashkimit Europian.

Ishin takime jashtëzakonisht të frytshme dhe jam shumë i inkurajuar për mbështetjen që mora dhe ditët e mira që kemi përpara.

Të dy kryeministrat më shprehën dëshirën e tyre për të forcuar lidhjet mes vendeve tona në të gjitha fushat: në turizëm, në tregti, në diplomaci, në biznes, në investime. Diskutuam mënyrat se si mund të arrihen këto, menjëherë pasi të zgjidhem kryeministër.

Mirëpritën planin tonë ekonomik me të cilin ne do të thithim investime të huaja dhe zhvillojmë Shqipërinë, si dhe planin për integrimin europian të vendit.

Shqipëria do të ecë përpara në rrugën e Bashkimit Europian. Sepse ne kemi vullnetin dhe kemi mbështetjen e miqve tanë në këtë proces jetik.

Gjatë 8 viteve të qeverisjes se tij, Rama vetëm e ka larguar Shqipërinë nga Bashkimi Europian. Vetëm i ka shtuar pengesa Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ne do t’i kalojmë të gjitha pengesa dhe do të korrigjojmë dështimet e Ramës e do të sjellim zhvillim dhe progres në rrugën e integrimit europian.

Ashtu si ia dolëm që me vendosmëri dhe besimin e partnerëve europian dhe amerikan ta fusim Shqipërinë në NATO, ashtu siç hoqëm vizat, me të njëjtin vullnet dhe punë të pandalshme bashkë me ju dhe me ndihmën e miqve tanë do ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Ju falënderoj për mbështetjen tuaj të mrekullueshme. Mos u dorëzoni para vështirësive dhe problemeve të sotme. Ditë më të mira na presin për ju dhe për Shqipërinë tonë.

SHKARKO APP