Basha: Rama nuk i hapi negociatat me BE-në
Reforma në drejtësi nuk është barriera e vetme që ndan Shqipërinë dhe Bashkimin Europian nga hapja e bisedimeve të anëtarësimit, por shumë më e gjerë se kaq.
Ky ishte mesazhi i përçuar nga Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, këtë të mërkurë.
Basha radhiti dekriminalizimin, korrupsionin, krimin dhe infiltrimin e tij në administratë si disa prej shqetësimeve të paraqitura fort në raportin e progresit të KE-së.
“Për të mbyllur përgjegjësitë e rënda për krimin dhe korrupsionnn në shkatërrimin e zgjedhjeve, Edi Rama kapet me alibinë e reformës në drejtësi. Reforma është e domosdoshme dhe urgjente. Kemi investuar vullnetin dhe kapacitetet tona më propozime dhe amendamente konkrete, por spektri i shqetësimeve dhe kërkesave të raportit për Shqipërinë është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë”, deklaroi Lulzim Basha.
Basha ripërsëriti qëndrimin e shprehur një ditë më parë pas marrjes së raportit të progresit nga ambasadorja e BE-së, Vlahutin.
“Raporti e thotë qartë se korrupsioni është përhapur gjerësisht, se infiltrimi i krimit në sektorin publik mbetet problem madhor. Nuk ka negociata pa miratuar dhe zbatuar ligjin e dekriminalizimit, nuk ka pëparim në integrimin e vendit me batërdinë e korrupsionit dhe krimit”, tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

