Berisha do sherr, Basha merr byrek! Deputetët të djegur nga vapa e tetorit po sillen si të ”fortë”

Nga: Redjon Shtylla

Kaosi në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është një pamje e re. Por kjo është e trishtë, se kur humbet pesha e fjalës, grushtat janë një komedi për një vend që është i etur për zhvillim, dhe aspak i rendur për konflikte. Grupi i Rithemelimit dhe ai që është me Gazment Bardhin, nuk kanë lejuar seancat e fundit plenare që të zhvillohen, pra që deputetët të flasin për hallet e popullit, edhe pse zgjidhjet janë me pikatore por fjala është ajo që ka në dorë deputeti.

Me stinën e vjeshtës, ku gjethet zverdhen, ata janë skuqur dhe duan sherr me qeverinë dhe Partinë Soocialiste në Kuvend. Një skuqje e vonuar, madje të djegur nga vapa e tetorit, nuk po prodhojnë asgjë përfituese për aksionin opozitar, e aq më pak për hallet e popullit, që po sheh një dramë-komedi.

Prej 9 vitesh i kemi parë në protesta të shumta, në aksione opozitare të frikshme si nga djegia e mandateve, deri tek dhuna që ka marrë populli opozitar mbi kurrik, por edhe gazi që kanë thithur në çdo protestë. Sot janë tek skenari i kaosit në Kuvend, të mos lejimit të zhvillimit të seancave plenare, por duket se kjo taktikë nuk po e rrëzon qeverinë Rama që është në mandatin e tretë qeverisës.

Selia blu është e ndarë në dy kampe. Kampi i Bashës që është me disa deputetë, të hënën nuk ishin në seancë plenare, madje madje, kreu i vulës u pa edhe në një kioskë duke blerë byrek. Një pamje e trishtë që një copëz e opozitës rendet pas byrekut dhe jo të jetë në ballë të opozitarizmit.

Në vend që të merren me punët e qeverisë, po merren me vulën dhe se kush është kush. A mund të zgjasë kjo situatë aq sa PD të mbetet ”përjetë” në opozitë? Që PD të mos mbesë opozitë, duhet të shuajë njëherë e mirë debatet brenda. Që PD të mos mbesë opozitë, duhet të shoh përpara dhe të denoncojë çdo abuzim të qeverisë, me fakte, prova dhe akuza konkrete.

Që PD të mos mbesë opozitë, duhet që të mbajë frymën e ndryshimit që populli e do, por nuk ka besim. Që PD të mos mbesë opozitë, zërat e quajtur kritikë ti afrojë, ti mbajë pranë vetes. Të jetë një PD si PS, që është një trup, një mendje dhe një mënyrë e të punuarit. Veç se bashkë, pa devijime dhe pa rrëmunjë, PD-ja ka shumë shance që të mos mbesë opozitë.

SHKARKO APP