BIRN: Deputetët e PS kërkojnë më shumë imunitet përballë drejtësisë

Tetorin e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga parlamenti leje për arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, në rastin e parë kur kërkesa për arrestimin e një deputeti vjen jashtë kushteve të flagrancës. Gjithsesi, deputetët e Partisë Socialiste e rrëzuan kërkesën duke pretenduar se prokurorët “nuk kishin prova” dhe se kishin “axhendë politike” pas kërkesës për arrestim.

Nga Gjergj Erebara

Një propozim për ndryshimin e neneve 118 dhe 119 të rregullores së kuvendit, firmosur nga Taulant Balla, kërkon që prokuroria në të ardhmen të dorëzojë “provat” në kuvend bashkë me kërkesën për arrestimin e një deputeti, një lëvizje që u kritikua nga opozita dhe ekspertët si një hap pas dhe si një përpjekje për të kthyer parlamentin në gjykatë.

Duke pretenduar se procedura aktuale parlamentare për trajtimin e kërkesave të prokurorisë për arrestim deputetësh është e mangët, deputetët e Partisë Socialiste propozuan ndryshime në rregulloren e Kuvendit duke shtuar se prokurorët duhet të dorëzojnë “provat” krahas kërkesës për arrestim.

Rregullorja aktuale [link] përshkruan procedurën se si trajtohet nga parlamenti një kërkesë për dhënie leje për arrestimin e një deputeti por nuk përmend nevojën për të dhënë “provat” mbështetëse.

“Ndryshimi i propozuar synon të përmirësojë ndjeshëm dispozitat […] veçanërisht nenet që kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit të deputetit,” shkruhet në relacionin që shoqëron propozimin e firmosur nga Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist. [Link propozimi]

Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike në opozitë e kritikoi lëvizjen duke e quajtur atë një përpjekje për ta degraduar zyrën e prokurorisë së posaçme (SPAK) në një organizatë joqeveritare.

“Edi Rama ka propozuar një ligj i posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj”, tha Basha.

“Ligji propozon që gjykata të jetë kuvendi, që prokuroria të dërgojë provat jo në gjykatë, por në kuvend dhe që gjykatësi të jetë Edi Rama,” shtoi ai.

Petrit Vasili, zëvendëskryetar i LSI, e konsideroi propozimin socialist “të njëanshëm” dhe të tillë që synon të “krijojë një mburojë të re për çdo çështje korruptive për pushtetarë apo deputetë të saj në mënyrë që drejtësia të mos funksionojë dot mbi ta”.

“Sot çdo shqiptar e ka shumë të qartë se kush janë ata që kanë frikë [nga drejtësia]”, tha Vasili.

Në përpjekje për të mbrojtur propozimin e vet, Balla tha në një konferencë për shtyp se qëllimi i propozimit është “për të rregulluar gropa jofunksionale në rregulloren e kuvendit”. Balla propozoi mes të tjerash që kuvendi të mos mblidhet rregullisht dy herë në javë në seancë plenare, siç bëhet prej kohësh në Shqipëri, por që së paku një javë në muaj ta ketë pushim në mënyrë që deputetët të kenë kohë të lirë “për të qenë pranë popullit”.

Tetorin e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi nga parlamenti leje për arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, në rastin e parë kur kërkesa për arrestimin e një deputeti vjen jashtë kushteve të flagrancës. Gjithsesi, deputetët e Partisë Socialiste e rrëzuan kërkesën duke pretenduar se prokurorët “nuk kishin prova” dhe se kishin “axhendë politike” pas kërkesës për arrestim.

Një debat publik pasoi vendimin kontrovers të socialistëve mbi atë se si duhet të trajtohen kërkesa të tilla nga parlamenti dhe çfarë funksionesh kanë deputetët në këtë rast.

Afrim Krasniqi, një profesor i shkencave politike në Institutin e Studimeve Politike në Tiranë, i tha BIRN se sipas mendimit të tij, propozimi i socialistëve reflekton “sëmundjen e zakonshme të mandatit të dytë të qeverive shqiptare, konkretisht, paaftësinë për të çuar përpara reformat dhe përqendrimin për të administruar pushtetin dhe fitimet që vijnë nga pushteti”.

“Më 2013 Partia Socialiste premtoi se do të anulonte të gjitha llojet e imuniteteve ndërsa tani po propozon ekzaktësisht të kundërtën,” tha Krasniqi.

“Parlamenti nuk është gjykatë dhe nuk ka kapacitetin për të gjykuar mbi faktet një një hetim apo një dosje penale. Ky është standardi në perëndim dhe kriteri kushtetues në Shqipëri. Ikja nga ky standard është një zhvillim shumë negativ në një kohë kur ne po presim krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit”, shtoi Krasniqi.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është një institucion i ri i krijuar nga reforma në drejtësi, e cila u miratua në vitin 2016 por që po zbatohet aktualisht ngadalë. Ky institucion do të duhet të hetojë rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. Reforma në Drejtësi synon për herë të parë në historinë e re të Shqipërisë të krijojë një shërbim prokurorie të pavarur nga politika. Më herët, prokurori i përgjithshëm zgjidhej nga parlamenti dhe kishte pushtet të plotë mbi prokurorët e tjerë dhe proceset hetimore.

Krasniqi theksoi gjithashtu që deputetët e sotëm në Shqipëri nuk kanë një staturë politike të veten por ia detyrojnë pozicionin udhëheqësve të plotpushtetshëm partiakë. Për këtë shkak, parlamenti nuk funksionon si një balancë dhe kontroll ndaj qeverisë dhe marrja e rolit të gjykatës dobëson akoma më shumë sistemin sakaq të pafuqishëm të ndarjes së pushteteve në Shqipëri.

“Parlamenti ynë nuk krijon institucion deputeti me liri veprimi, me bindje personale dhe me integritetin e votës, por është produkt i listës shumëemërore të kryetarëve të partive, pra i bindjes dhe urdhrit politik,” tha ai.

Një problem tjetër me propozimin e socialistëve lidhet me faktin se eksperiencat e mëparshme të ndryshimit të rregullores së parlamentit i kanë mëshuar nevojës për kryerjen e këtyre ndryshimeve me mirëkuptim politik mes maxhorancës dhe opozitës, ndërkohë që propozimi i Ballës është aktualisht i njëanshëm. Rregullorja e kuvendit ndryshohet me 71 vota dhe socialistët kanë mundësi ta çojnë përpara propozimin me votat që i disponojnë. Megjithëse lajmi për propozimin u publikua vetëm të hënën, socialistët pritet të mbledhin mërkurën Këshillin për Rregulloren dhe Imunitetin për ta diskutuar propozimin menjëherë.

BIRN/Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

SHKARKO APP