Biznesi i vogël përplas Ramën me PD-në në Shkodër (Video)
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë në qytetin e Shkodrës, ku temë diskutimi do të jetë dhe vendosja e TVSH-së tek biznesi i vogël, një temë që ka ngjallur tepër debate mes palëve politike. Kryeministri Rama do të jetë në mesditë në një panel me bizneset e vogla për të diskutuar për TVSH, gjatë Panairit të parë Rajonal të Punës për Shqipërinë.
Programi për sot i Ramës në Shkodër
Ora 09:00 Nisja nga Tirana
Ora 10:30 Inaugurimi i Qendrës Multifunksionale/ MFE
Ora 11:00 Çelja e Panairit të parë Rajonal të Punës për Shqipërinë (vendi: Shkolla Industriale)
Ora 12:00 Panel me bizneset e vogla për të diskutuar për TVSH-në
Ora 13:00 Drekë me bizneset e vogla në Shkodër
Ora 14:30 Dëgjesa me minoritetin serb dhe malazez
Protesta në Shkodër
Po sot biznesi i vogël do të ketë protestën e dytë 1 orëshe, kundër vendosjes së TVSH-së. Partia Demokratike ka lajmëruar se do të jetë përkrah tyre së bashku me aleatët e tjerë opozitarë. Për organizimin e saj, kryesia e kësaj force politike në Shkodër zhvilloi të enjten një mbledhje me praninë edhe të deputetëve të qarkut, si dhe kryetarët e grupseksioneve, ndërsa ra sërish në sy mungesa e kryebashkiakes Voltana Ademi. Në fjalën e tij kryetari i selisë blu, Ramiz Çobaj theksoi se askush nuk mund të ndalë protestën, duke ju referuar edhe proçedimit penal që prokuroria ka marrë ndaj tij dhe një pjesë të deputetëve. “Do mbështesim këtë protestë, por nuk do të mjaftohemi me kaq. Do të fillojmë stinën e protestave deri sa t’ia bëjmë jetën e pamundur kësaj qeverie. Ndale opozitarizmin në kafe dhe rrjete sociale, hajde në rrugë me ne dhe protesto”- theksoi Çobaj.
Ndërkaq, protesta do të jetë jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe kundër varfërisë, përmbytjeve, si dhe një solidarizim me banorët e Kukësit etj. Më pas mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike Shkodër vijoi me dyer të mbyllura, ku janë diskutuar edhe problematikat të tjera organizative të brendshme, si dhe rrugëtimi i saj si opozitë.
Burime nga mbledhja bënë me dije se ka qenë një mbledhje që ka zgjatur një orë në Kryesinë e PD-së së Shkodrës ku është vendosur që të shtunën për 60 minuta bizneset e vogla të ulin sërish qepenat për të kundërshtuar TVSH-në ndaj tyre.
U theksua se do të ketë një formë reagimi të mosbindjes civile dhe sjellje të ngjashme me atë që pamë edhe sot në Kuvend sa i përket arrestimit të protestuesve në Kukës, rritjes së taksave në terësi por edhe sjeljes diskriminuese që qeveria po bën jo vetëm ndaj Shkodrës, por kryesisht ndaj veriut të Shqipërisë.
Ndryshe nga protesta e parë e biznesit të vogël, këtë radhë është vendosur që deputetët e qarkut të Shkodrës të mbështetur dhe nga drejtues të lartë të PD-së të protestojë në disa zona të ndryshme, jo vetëm në tregun e Zdrales, por edhe në zona të tjera ku operon biznesi i vogël si formë reagimi për të kundërshtuar atë sjellje që qeveria ka me rritjet e taksave ndaj biznesit.
Kjo protestë ndoshta vjen edhe e mirëmenduar nga PD-ja, pasi gjatë ditës së sotme pritet që në kryeqendrën e veriut të mbërrijë kryeministri Rama së bashku me një pjesë të Ministrave të tij. /Herion Mesi
Pamjet nga protesta te ofruara nga deputeti demokrat Bardh Spahia
“Shkodra përgatitet të presë kryeministrin Edvin Rama”- thekson Spahia teksa publikon dhe një video ku shfaqet një tregtar, i cili ankohet mbi situatën.
https://www.facebook.com/100009522289777/videos/2004423333218390/
Pamjet nga protesta te ofruara nga deputetja demokrate Izmira Ulqinaku
https://www.facebook.com/izmira.ulqinaku/videos/10211566528224159/
Thirrja e PD për protestë

KOHA JONË SONDAZH

