Çmenden edhe në Norvegji! Qëllohet në rrugët e kryeqytetit. Dy të vrarë dhe 10 të plagosur nga të shtënat në Oslo

Nga “Zëri i Amerikës”-

Një person i armatosur hapi zjarr në një zonë klubesh të natës në Oslo, të shtunën herët, duke vrarë dy persona dhe duke lënë 10 të tjerë të plagosur rëndë, në atë që policia po e heton si një sulm të mundshëm terrorist gjatë festivalit vjetor të Krenarisë në kryeqytetin norvegjez.

Hetuesit thanë se i dyshuari, i identifikuar si një shtetas norvegjez 42-vjeçar me origjinë nga Irani, u arrestua pasi hapi zjarr në tre vende të ndryshme në qendër të Oslos.

Ndërsa motivi është i paqartë, organizatorët e “Paradës së Krenarisë” në Oslo anuluan një parakalim që ishte caktuar për të shtunën si ngjarje kryesore e një festivali njëjavor. Një palë të shtëna ndodhën afër “London Pub”, një klub i njohur për komunitetin LGBTQ të qytetit, vetëm disa orë para fillimit të parakalimit.

Prokurori Christian Hatlo, tha se i dyshuari po mbahej nën dyshimin për vrasje, tentativë vrasjeje dhe terrorizëm, bazuar në numrin e njerëzve të shënjestruar në disa vende.

“Vlerësimi ynë i përgjithshëm është se ka arsye për të besuar se ai donte të shkaktonte frikë të madhe tek popullata”, tha zoti Hatlo, sipas të cilit po hetohet edhe shëndeti mendor i të dyshuarit.

Hetuesit thanë se i dyshuari ishte i njohur për policinë, por jo për ndonjë krim të madh të dhunshëm. Të dhënat për të përfshijnë një vepër penale lidhur me narkotikët dhe një për mbajtjen e një thike, tha Christian Hatlo.

Ai tha se policia sekuestroi dy armë pas sulmit: një revole dhe një armë automatike, të cilat i përshkroi si “jo moderne”, pa dhënë hollësi. Sipas zotit Harlo i dyshuari nuk kishte dhënë asnjë deklaratë në polici se është herët të thuhet nëse personi i armatosur kishte në shënjestër në mënyrë specifike pjesëtarët e komunitetit LGBTQ.

Megjithatë, policia këshilloi organizatorët e festivalit të Krenarisë të anulojnë parakalimin e së shtunës.

“Prandaj ‘Oslo Pride’ u bën thirrje të gjithë atyre që kanë planifikuar të marrin pjesë ose të shikojnë parakalimin, të mos dalin. Të gjitha ngjarjet në lidhje me këtë festival janë anuluar”, thanë organizatorët në faqen zyrtare në Facebook.

Kryeministri Jonas Gahr Stoere tha në një postim në Facebook se “ishte një sulm mizor dhe thellësisht tronditës ndaj qytetarëve të pafajshëm”.

Norvegjia me 5.4 milionë banorë, ka një shkallë relativisht të ulët të krimit, por ka përjetuar sulme të dhunshme nga ekstremistët e krahut të djathtë, përfshirë të shtënat masive më të këqija në Evropë në vitin 2011, kur një person i armatosur vrau 69 njerëz në ishullin Utoya, pasi hodhi një bombë në Oslo, duke lënë prapa tetë të vdekur.

SHKARKO APP