CNN: Kohës së Boris Johnson në Downing Street i erdhi fundi, por çfarë surprizash mund të priten prej tij
Nga CNN
Ndërsa koha e Boris Johnson në Downing Street përfundon javën e ardhshme, pyetja dhe spekulimet janë se çfarë mund të bëjë ai më pas.
Johnson largohet nga posti siç hyri, unik midis kryeministrave për emrin dhe famën.
Johnson ishte, për shumë njerëz, fillimisht një personazh i famshëm dhe së dyti një politikan.
Ai ka një karrierë të gjatë dhe të mirë-dokumentuar mediatike si kolumnist, autor, prezantues televiziv dhe madje ka shërbyer si redaktor i revistës politike më me ndikim në vend, The Spectator.
Pagat e tij për këto punë të ndryshme ishin shumë më tepër sesa paguhej si kryeministër.
Ato gjithashtu i dhanë atij llojin e pushtetit dhe ndikimit jashtë detyrës që edhe politikanët në pushtet e kishin zili.
Gjatë periudhës së tij si kryebashkiak i Londrës, zyrtarët qeveritarë do t’i kushtonin vëmendje rubrikës së tij javore në Daily Telegraph, e cila botohej të hënën në mëngjes dhe shpesh do të përmbante kërcënime të fshehta, nëse prioritetet e tij politike shpërfilleshin.
Thënë troç, profili dhe popullariteti i Johnson nënkuptonin se ai mund t’i shkaktonte probleme reale qeverisë në detyrë thjesht duke ofruar kritikën ose miratimin e tij publik.
Është e arsyeshme, pra, që Johnson, një burrë me shtatë fëmijë, një stil jetese luksoz dhe të shtrenjtë, por pa prirje për punë të palodhur, mund të japë mundësinë që ai të kthehet përsëri në një karrierë fitimprurëse mediatike që i jep atij shumë kohë të lirë pa shumë angazhime.
Miqtë dhe kolegët e Johnson, megjithatë, nuk janë të bindur se ai ka mbaruar me politikën në vijën e parë, dhe as se ai do të humbte shansin për të rihyrë në Downing Street, nëse do të lindte ndonjëherë rasti.
CNN foli me miq të shumtë, aleatë politikë dhe kolegë të Johnson për atë që ata mendonin se mund të ndodhte më pas për kryeministrin në largim.
Të gjithë folën në kushte anonimiteti për shkak të pasigurisë në politikën britanike për momentin.
Aleatët më të afërt të Johnson besojnë se ai është i zemëruar me mënyrën se si u detyrua të largohej nga detyra përmes presionit politik për skandalet dhe jo me percaktimin e asaj qe del në kutitë e votimit, diçka që ai e la të kuptohej në fjalimin e tij të dorëheqjes në Downing Street.
Nëse Johnson mund të kthehej realisht në pozicionin e tij si kryeministër është një çështje tjetër debati.
Johnson ka premtuar se do të mbështesë këdo që merr përsipër rolin e udhëheqësit dhe me shaka tha se mbështetja e tij për një kandidat mund të jetë “puthja e vdekjes”.
Megjithatë, një ish-menaxher i fushatës dhe mik i Johnson mendon:
“Ai mund të thotë në mënyrë legjitime se nuk u mund kurrë duke mos u votuar nga elektorati. Ai kurrë nuk u mund nga partia e tij, ai humbi votën e besimit. Sado e çuditshme që tingëllon tani, do ta ndihmonte karrierën e tij mediatike nëse ai e mbante të hapur idenë e një rikthimi. Të dyja shkojnë dorë për dore.”
Ata që punuan me Johnson në Downing Street nuk janë të bindur se premtimi i Johnson për besnikëri vlen kaq shumë.
“Ai i premtoi Spectator se nuk do të kandidonte për parlament më pas. Ai ka një histori të njohur se bën gjithmonë atë që është më e mira për Borisin,” thotë një ish-këshilltar i Downing Street që ka punuar me Johnson gjatë gjithë karrierës së tij politike.
“Nëse sondazhet fillojnë të bien sapo lideri i ri të jetë në pushtet, do të habitem nëse ai nuk ecën në çfarëdo rruge që fryn era. Dhe nëse duket se gjërat po shkojnë keq, ai lehtë mund të fshikullojë deputetët konservatorë deri në pikën që ata të mendojnë edhe një herë se vetëm Boris mund ta zgjidhë problemin dhe të fitojë zgjedhjet e ardhshme.”
Në këtë analizë mungon deri tani e vërteta e pakëndshme se publiku nuk ka thënë asnjë fjalë për shkarkimin e Johnson apo emërimin e pasuesit të tij.
Nëse gjërat fillojnë të shkojnë keq për kryeministrin e ardhshëm, do të ishte e mundur që partia konservatore t’i largonte ata dhe teorikisht të rivendoste Johnson si udhëheqësin e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

