Çuçi prezanton në KiE reformën administrative: Kursyem 10 milionë dollarë
Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi prezantoi para 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës në Strasburg, reformën administrativo-territoriale të ndërmarrë nga qeveria shqiptare, duke e konsideruar “një rast suksesi”.
Gjatë punimeve të Komitetit Europian për Demokraci dhe Mirëqeverisje, në selinë e KiE-së, Çuçi nënvizoi se reforma synon rritjen e funksionalitetit të bashkive, uljen e kostove administrative dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Reforma, nënvizoi ai, tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit të saj dhe nga mirëadministrimi i shpenzimeve administrative janë kursyer 10 milionë dollarë.
Mbledhja e taksave lokale, krahasuar me të njëjtën periudhë është 15 milionë dollarë më shumë.
Çuçi nënvizoi se brenda këtij viti synohet miratimi i ligjit të parë integral për financat e qeverisjes vendore, që do të ishte një gur themeli për forcimin e bashkive dhe decentralizimin fiskal.
Drafti, i hartuar me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare dhe vendase, pritet të jetë një iniciativë domethënëse për financat vendore jo vetëm për Shqipërinë, por krahasuar dhe me rajonin.
Ministri theksoi se një nismë tjetër shumë e rëndësishme është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve administrative që bashkitë ofrojnë për qytetarët. Modernizimi, përmes sporteleve unike të shërbimeve, do të thjeshtojë hallkat burokratike dhe do të ulë koston e tyre, u shpreh Çuçi.
KOHA JONË SONDAZH

