Debatet në Kuvend për Buxhetin
Edmond Haxhinasto
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë diskutimit lidhur me buxhetin e vitit 2015, theksoi se ky pr/buxhet, synon të mbështesë më tej sektorin e infrastrukturës, për një shërbim më të sigurtë dhe më cilësor. Haxhinasto nënvizoi se krahasuar me këtë vit ka një rritje prej rreth 2.76% të buxhetit të vitit të ardhshëm për Ministrinë e Transportit.
Krahas përmirësimit të sektorit të infrastrukturës, Haxhinasto u shpreh se rëndësi do t’i jepet përmirësimit të kanalizimeve dhe furnizmit me ujë të pijshëm, çka do të sjellë rritje të prurjeve aktuale që është 16 orë ujë në ditë në rang vendi.
Gjithashtu rëndësi do t’i kushtohet edhe sektorit të hekurudhës, ku nënvizoi se ky është një nga sektorët me potenciale të mëdha.
“Buxheti i ri do të mbështesë filozofinë tonë për më shumë siguri dhe cilësi. Buxheti do të mbështesë sektorin e transportit për një shërbim më të mirë. Peshën më të madhe të investimeve e zë Ministria e Transportit.
Krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014 kemi një rritje prej 2.76% më shumë. Së pari kjo do të na ndihmojë për afrimin e legjislacionit të transportit me atë të BE-së. Sa i përket mirëmbajtjes së rrugës, do të realizojmë një projekt shumë të rëndësishëm që shkon në 17 miliardë dollarë.
Objektivat janë ambicioze. Do të realizojmë zgjerim dhe përmirësim me ujë të pijshëm, duke rritur mesataren aktuale që është 16 orë ujë në ditë. Mbështetja buxhetore për ujësjellës kanalizime është rritur me 15% për vitin e ardhshëm, dhe do të realizojë mbylljen e të gjithë projekteve të nisura në vitet 2012 dhe 2013.
Zë i rëndësishëm është transporti hekurudhor, që është sektori i harruar por zhvillimet e vitit 2014 kanë treguar se është sektor me potencial të madh dhe ka treguar se mund të shërbejë sa më mirë ekonomisë dhe për këtë duhet t’i hapim rrugë investimeve reale.
Do të realizojmë studime për rikonstruksionin e linjës Tiranë-Durrës. Pra mund të them se si nga përzgjedhja e prioriteteve, politikat e iniciuara nga kjo qeveri, do të vazhdojnë të konsolidohen më tej, me qëllim që të afrohemi sa më pranë standarteve të BE-së dhe t’i shërbejmë sa më mirë qytetarëve shqiptarë”, tha Haxhinasto.
Edmond Panariti
Duke folur në seancën plenare ku po diskutohet mbi pr/buxhetin e vitin 2015, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti vlerësoi mbështetjen në rritje në masën 26% krahasuar me vitin aktual, për dikasterin që ai drejton.
Panariti theksoi se bujqësia si këtë vit ashtu edhe në vitin e ardhshëm do të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete.
Në këtë kuadër ai theksoi se deri më tani Shqipëria eksporton drejt 20 vendeve por që pritet të ketë një trend rritës të këtij fenomeni. Panariti u shpreh se tashmë falë nismave të ndërmarra nga ana e qeverisë, fermerëve nuk iu intereson të jenë informalë por të përfitojnë nga subvencionet e qeverisë, si dhe fondet e BE-së.
“Pavarësisht se në një vit të vështirë bujqësia tregoi rritje. Politika jonë është mbështetëse sa i përket prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Ne nuk mund të mbështesim skema që gjelbërojnë dhe nuk prodhojmë.
Prandaj jemi të orientuar drejt rezultatit. Duke stimuluar rezultatin inkurajojmë edhe zgjerimin e sipërfaqes, pra jemi më të efektshëm. Nga ana tjetër nuk do të ndalemi në implementimin e teknologjive të reja. Shqipëria eksporton në 20 vende, por ne po kërkojmë edhe tregje dhe porositës të ri.
Paketa e bujqësisë është një arritje e madhe. Nuk ka njohur bujqësia një përkrahje dhe stimulim kaq të madh. Një fermer që identifikohet dhe regjistrohet, krahas subvencioneve, do të marrë fonde edhe të BE-së.
Prandaj nuk ja vlen të jesh informal. Shqipëria do të ketë shumë shpejt hartën e prodhimeve bujqësore, që do të prezantohet të premten. Nga ana tjetër ne do të bëjmë edhe hartën e specializimeve të prodhimeve bujqësore.
Pra harta e realizimt të prodhimeve do të jetë edhe harta e shërbimeve. Një rritje prej 26% për buxhetin e vitit 2015. Shumë evidente janë mbështetja që i jepet vaditjes, që është 83% më shumë”, tha Panariti
Niko Peleshi
Zv.Kryeministri Niko Peleshi e ka cilësuar buxhetin për vitin 2015 si një buxhet për reforma të guximshme.
Peleshi bëri ironi me opozitën, duke kujtuar skenarët grek të saj, por sipas tij asnjë nga paralajmërimet e opozitës nuk rezultoi i vërtetë.
“Jemi në politikë për t’i dhënë vendit tonë dhe qytetarëve një jetë më të mirë. Opozita duhet të ishte edhe për të përballur faktin se askush nga paralajmërimet e bëra si sot një vit më parë nuk rezultuan të vërteta.
Është folur për skenar grek, për taksa që do u merrnin frymën bizneseve. Trashëguam një rritje ekonomike 1,4% e krahasueshme vetëm me vitin ‘97. Ekonomia ishte në rënie, të ardhurat ishin në rënie, e vetmja gjë që po rritje ishte borxhi.
Ja dolëm për ti dhënë fund treguesve negativ që në muajt e par të qeverisjes. Shqipëria u ngjit me 40 vende në indeksit e të bërit biznes”, tha Peleshi.
Sipas tij, ky buxhet është ambicioz për të pasur një ndikim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit. koha kur disa paguajnë dhe disa jo ka mbaruar.
“Buxheti i 2015 është buxheti i investimeve të mëdha. Ne po ulim borxhin dhe po rritim investimet. Për të dytin vit radhazi po injektojmë në ekonomi rreth një milionë dollarë”, theksoi Peleshi.
Arben Ahmetaj
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj u shpreh optimist për rritjen ekonomike gjatë 2015, duke shtuar se ajo parashikohet të shkojë në 3 %. Ahmetaj tha se vendi pret që vetëm vitin që vjen të ketë 1,3 miliardë investime të huaja.
“Punë dhe reforma në një vit, ka qenë i vështirë, me sakrifica, ndaj po them që 2015 konsolidon rritjen ekonomike ku do kalojë në 3% për të arritur në fund të mandatit në 4,5%. Nëse nuk kapërcen mbi 4% rritja ekonomike përfitimet tek qytetari janë shumë të vogla”, deklaoi Ahmetaj.
“Dikush qeshi dhe u tall por janë144 milionë dollarë më shumë eksporte dhe 5600 vende të reja pune. Industria kimike dhe plastike janë rritur eksportet me 40% ka gati 4 mijë vende të reja pune të hapura”, theksoi ai.
Ndërsa në lidhje sektorin energjetik dhe minerar, Ahmetaj tha se “reforma që do ndërmarrim në këtë sektor do garantojë që 20 mln dollarë që po hedhim në vitin 2015 në 2 dhe 3 vitet në vazhdim nuk do jenë më mbështetje po do kthehet ky sektor të na mbështesë ne nga gati 500 milianë”.
Taksat që zerohen ose hiqen
1- Sektori i sigurimeve heqim TVSH-në dhe zbatojmë vetëm një taksë prej 3% mbi primin bruto.
2- Ulja e taksës doganore të naftës bruto, ose më saktë zerimi nga 10% në 0% që do të sjellë ulje të kostos së rafinerive.
3- Ulja e rentës për kromin e përpunuar, është masë që do të stimulojë atë për të cilën prej vitesh Shqipëria ka nevojë .
4- Ulje të taksës për gomat e reja që në pamje të parë ngjan si diçka pa fort lidhje, por ka lidhje të shumëfishta duke filluar që nga mbrojtja e mjedisit dhe sigurisë rrugore.
5- Zerim të akcizës mbi bitumin natyral. Shqipëria edhe në këtë pasuri ka mjaft për të mund të marrë shumë më tepër se çka marrë. Përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të kontributeve me fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit.
6- Kemi rimbursimin e TVSH-së rivlerësim i mëtejshëm duke vendosur riskun si kriter në kontroll dhe duke hequr kontrollin e detyrueshëm.
7- Rrisim rentën minerare për pushtetin vendor, duke hequr kufizimet në ligjin e buxhetit .
8- Heqja e akcizës për pijet energjike.
9- Lehtësimi i agro-përpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizime nga fermerët, nga 6% që ishte më pare.
10- Kemi pranuar një tjetër hap, duke përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, të gjithë sektorin e peshkimit.
11- Ne do të subvencionojmë naftën për fermerët, me kushtin që fermerët apo për të gjithë ata fermerë, që do të jenë pjesë e sistemit, të angazhimeve dhe të detyrimeve karshi buxhetit të shtetit.
12- Po ashtu, për të gjitha lëndët e para, grurin, materialin biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim, ne do t’i heqim tërësisht tarifat doganore.
13- Po ashtu, përjashtimi nga TVSH-ja në import për mjetet dhe makineritë ushqimore, si dhe përjashtimi nga TVSH-ja në import për kafshët e gjalla .
Taksat që shtohen
1- Akciza për cigaret
2- Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin
3- Barazimi i tatimit mbi të ardhurat personale dytësore me tatimin mbi të ardhurat nga paga.