Dështimi i arrestimeve politike
Duhet ta mbledhin mirë mendjen edhe ata që kanë marrë shtetin, por edhe shtetasit e këtij shteti: Asnjë akuzë nuk mund të ngrihet nga askush tjetër përveç se Prokurorisë!..
Nga Ylli Manjani
BIRN raporton se “Prokuroria në Kavajë ka vështirësi të provojë para Gjykatës korrupsionin e tatimorëve”.
Kujtojmë që ata u arrestuan me urdhër politik. Trumpetat e propagandës i akuzuan e i shpallën “armiq”, “parazitë” etj…
Normal që ka vështirësi! Madje e ka të pa mundur!
Si mund të provosh akuzën e Korrupsionit kur ska asnjë provë të tij?! Denoncimi nuk është provë por indicie për të filluar procesin hetimor të mbledhjes së provave.
Si mund të provosh një akuzë penale të ngritur publikisht dhe për motive të pastra politike?!
Si mund të fajsosh dikë që është arrestuar politikisht?! Arrestohet sa për të dalë në televizor, por i mbetet në “inventar” Prokurorisë dhe në “forcë” Drejtorisë së Burgjeve.
Ndërkohë policët dalin “burra të mirë”. Policët po na shpëtojnë nga armiqtë dhe parazitët! Këto fjalë që u përdorën, janë të huazuara nga fjalori politik i diktaturave…
Si mund të provosh një akuzë kur Policia e Shtetit nuk bën asnjë veprim mbledhje provash, por quan provë çdo gjë që “vjen nga lart”…?!
A e pyeti Policia Kryeministrin psh, i cili foli gjatë në publik për rastin dhe dukej që kishte dijeni për çështjen?! Nësë nuk e pyeti Policia, po Prokuroria e bëri këtë gjë?
Kur kërkoi masat e sigurisë Prokuroria nuk kishte asnjë provë?! Si mund të arrestohet njeriu pa prova dhe pa asnjë shenjë rreziku?!
Normal që çështje të tilla janë DËSHTIM i pastër i shtetit. Kështu ndodh kur ky i fundit, drejtohet politikisht dhe nga populistë!
Duhet ta mbledhin mirë mendjen edhe ata që kanë marrë shtetin, por edhe shtetasit e këtij shteti:
Asnjë akuzë nuk mund të ngrihet nga askush tjetër përveç se Prokurorisë!
Prokuroria ka rregulla proceduriale si e bën këtë gjë. Akuzat në media, për më tepër politike, nuk gjykohen nga asnjë gjykatë e sistemit demokratik!
Nëse duan vërtetë të luftojnë korrupsionin dhe krimin, duhet të qepin gojët, të vënë policinë nën Prokurorinë dhe ta lejojnë këtë të fundit të punojë!
Rrugë tjetër nuk ka!
Metodat e shtetit politik kanë dështuar edhe në kohën e diktaturës.
Politika po të dojë të luftojë korrupsionin të qeverisë mirë dhe të rregullojë ekonominë. Arrestimet politike nuk ndihmojnë as njërën e as tjetrën.